Një propozim që mban firmën e deputetes së Partisë Socialiste, Zamira Sinaj, synon të krijojë një korsi të shpejtë dhe paralele për realizimin e porteve turistike, duke bërë një ndërhyrje në legjislacionin ekzistues.
Aktualisht, ligji për portet turistike, parashikon se ndërtimi i tyre bëhet përmes procedurës së koncensionit. Me ndryshimin e propozuar, për ata që kanë statusin e investitorit Strategjik, krijohet mundësia që mos i nënshtrohen këtij detyrimi.
Investitorët strategjik, kanë një sërë favoresh. Ato përjashtohen nga disa taksa, kanë procedura të përshpejtuara burokratike, ndërsa shteti i ndihmon dhe me infrastrukturën, rrugë, rrjet energjitik e kanalizime. Një pjesë e mirë e tyre kanë marrë kundrejt vlerës simbolike 1 euro dhe shfrytëzimin e bregdetit, për disa dhjetë vjeçar. Me propozimin e deputetes socialiste, u shtohet dhe një favor tjetër.
Sipas dokumentit, nëse një subjekt ka marrë statusin e "Investitorit Strategjik" nga Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS), dhe porti është pjesë e këtij investimi, ai përjashtohet nga rregulli i përgjithshëm i garës. Në praktikë, kjo do të thotë se ndërtuesi i një resorti (investim privat) do të marrë automatikisht të drejtën për të ndërtuar dhe operuar portin.
Përmes koncensionit, privati e ndërton me paratë e veta, por pas disa vitesh investimi, në këtë rast porti, i kthehet shtetit. Me këtë ndryshim ligjor, porti turistik do i mbetet si pronë, përjetësisht privatit.
Megjithatë, relacioni shpjegues pranon se zbatimi i këtyre dy ligjeve paralelisht ka krijuar "mbivendosje procedurash" dhe "vonesa administrative".
Ndonëse këto porte konsiderohen me "interes publik", projektligji parashikon që procedurat dhe rregullat për lidhjen e kontratës për t’i ndërtuar nga investitorët strategjikë do të përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM). Kjo zhvendos vendimmarrjen nga një proces i hapur prokurimi, te një marrëveshje e drejtpërdrejtë mes qeverisë dhe përfituesit privat.
Deputetja socialiste argumenton se ky ndryshim garanton "unitetin e projektit" dhe rrit "sigurinë juridike" për investitorët e huaj e vendas, dhe se një ndërhyrje e tillë ligjore do të sillte rritje të vendeve të punës dhe zhvillim të turizmit elitar.
Por nga ana tjetër, ngrihen pikëpyetje mbi shmangie të garës dhe transparencës, si dhe kush fiton më shumë në terma afatgjatë, shteti apo privati?
Deputetja firmëtare, Zamira Sinaj, u bë deputete e PS-së vitin e kaluar, dhe u komentua si një lëvizje surprizë, për sa kohë, më herët ishte shfaqur si një aktiviste e opozitës, në protestat e Lulzim Bashës para kryeministrisë.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)
Komente










