TIRANË- Erion Piciri është një figurë politike me një karrierë jo shumë të gjatë si deputet, por ai do të mbahet mend në historinë e parlamentit shqiptar për propozimin që ka bërë në Kuvend, për t'iu ulur rrogat deputetëve.

I ardhur në Kuvend nga listat e PD-së, pas djegieve të mandateve nga ana e opozitës, Piciri i ka depozituar një kërkesë Kuvendit, që deri më sot në 30 vite pluralizëm nuk ishte parë e diskutuar kurrë më parë. Ai kërkon që të ulet rroga e deputetit dhe benefitet që ata përfitojnë për shkak të statusit që kanë dhe për këtë liston një sërë arsye. "Nuk mund t'i jepet deputetit një pagë më të lartë se një profesori universitar apo një mjeku kirurg", shkruan Piciri në argumentimin e kërkesës së tij, aq më tepër në një kohë kur sipas tij, paralementi gëzon minimumin e besimit nga qytetarët.

Varfëria e qytetarëve në 30% referuar këtu shifrave të Bankës Botërore, dëshira e shqiptarëve për t'u larguar në mashën 60% sipas Gallup-it, për deputetin janë motive të mjaftueshme sa për të rishikuar edhe njëherë pagën e deputetëve, të cilët e kanë 7-fish më të lartë se paga minimale e Shqipërisë.  Në një përllogaritje të thjeshtë, deputeti thotë se ky propozim pritet t'i kursejë buxhetit të shtetit 2.5 mld lekë të vjetra në vit. Aktualisht në deputetët marrin 1. 567 mijë lekë të vjetra, pa përfshirë këtu pagesat ekstra për Komisionet. Ky projektligj është depozituar në Kuvend dhe mbetet për t'u parë nëse do të votohet apo jo nga deputetët. 

Çfarë përfitojnë deputetët që Piciri ka kërkuar që të mos i përfitojnë më?
Përveç pagës së lartë, deputetët kanë edhe disa përfitime të tjera shtesë, të shkruara në letër, përtej të mirave që i disponojnë për shkak të statusit të tyre. Mësohet se çdo muaj ato tërheqin një shumë prej 470 mijë lekësh të vjetëra për karburant dhe telefon, kanë lehtësira për të marrë kredi të butë apo për të futur mallra pa doganë. Mes të tjerave, teksa shumë fëmijët të sëmurë jashtë vendit detyrohen që të organizohen për të mbledhur shuma me anë të fushatave të bamirësisë, deputetët kanë të drejtën për t'u kuruar jashtë shtetit.  Rasti më  i fundit ishte rasti i deputetit Bashkim Fino ku qeveria me vendim të Këshillit të Ministrave i mbuloi një pjesë të shpenzimeve.  Ndërkohë, edhe pasi përfundojnë mandatin, për një periudhë minimumi 3-vjeçare përfitojnë atë që quhet pagë kalimtare.  Të gjithë këto të mira, për deputetin Erion Piciri deputeti nuk duhet t'i gëzojë më, por të barazohen për përfitimet e një qytetari të thjeshtë.