Zbardhen detaje për arrestimin e Renard Tatës, i etiketuar si i paprekshmi dhe i forti i Shkodrës. Arrestimi u bë në momentin që vajzat po shfrytëzoheshin për prostitucion. Report Tv mëson se grupi ishte prej disa muajsh në përgjim ambiental dhe telefonik.

Pas arrestimit të 7 personave ditën e djeshme, policia i ka marrë në pyetje, ndërsa ata kanë hedhur poshtë akuzat e ngritura për prostitucion. Ata kanë deklaruar se ishin duke qëndruar në lokal, por “nuk po prisnim klientët për prostitucion”. Megjithatë, pavarësisht dëshmive, dosja është kopsitur nga prokuroria.  Dje përveç Tatës u arrestuan edhe 6 persona të tjerë.

Rinard Tata, i njohur ndryshe edhe me emrin Frederik, nuk është emër i panjohur për drejtësinë. Ai akuzohet si bashkautor i një vrasjeje të ndodhur me 14 janar 1999 në lagjen "Vojo Kushi", në Shkodër, ku ai së bashku me Behar Bajrin u akuzuan se kishin ekzekutuar vëllezërit Artur e Osman Alibali, përkatësisht 35 dhe 37 vjeç.

Përveç ndryshimit të emrit, ky person rezulton edhe me dy mbiemra, ku shfaqet njëherë me mbiemër Tata dhe njëherë me Tota. Vrasja e bujshme e dy vëllezërve ka qenë e pezulluar për moszbulim autori që më 30 nëntor të vitit 2000 por hetimet janë rihapur 5 vjet më vonë, pas gjetjes së provave që e implikonin atë në vrasje.

Rinard Tata kreu një dënim prej rreth 5 vitesh burg ndërsa më pas u lirua për mungesë provash. Ndërkaq, Report Tv mëson Rinard ose Frederik Tata në fillim të 2000 dyshohej se ka qenë pjesëmarrës në një shkëmbim zjarri në Xhabie, Shkodër, ku ka humbur jetën një person.

dy.b/shqiptarja.com