Të papranueshëm e cilëson kreu grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi, dhunën e ushtruar sipas tij nga policia ndaj qytetarëve
“Askush që vesh uniformën e Policisë së Shtetit nuk është mbi ligjin! Askush nuk ka të drejtë ta përdorë pushtetin për të frikësuar, poshtëruar apo dhunuar të rinjtë që ngrenë zërin për të drejtat e tyre”, shkruajti Bardhi.
Sipas tij, zëri i studentëve duhet dëgjuar, jo shtypur.
“Dhuna nuk është zgjidhje. Frika nuk është përgjigje. Heshtja nuk është alternativë”, thotë Bardhi.
Po ashtu, PD depozitoi sot në SPAK kallëzim penal të PD-së për dhunën e ushtruar nga policia ndaj studentëve, protestuesve dhe gazetarëve gjatë protestës së një dite më parë në Tiranë. Kallëzimi përfshin ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, drejtuesin e Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj dhe një sërë drejtuesish të tjerë.
Deklarata e plotë e Bardhit
Terrorizmi shtetëror i Policisë së Shtetit ndaj të rinjve është përtej cdo imagjinate. Dhuna e ushtruar nga efektivë të Policisë së Shtetit ndaj të rinjve nuk është thjesht e papranueshme; çdo veprim i paligjshëm duhet të hetohet dhe të ndëshkohet sipas ligjit. Uniforma e Policisë nuk është licencë për të ushtruar dhunë, por përgjegjësi për të mbrojtur qytetarët dhe për të garantuar të drejtat e tyre. Askush që vesh uniformën e Policisë së Shtetit nuk është mbi ligjin! Askush nuk ka të drejtë ta përdorë pushtetin për të frikësuar, poshtëruar apo dhunuar të rinjtë që ngrejnë zërin për të drejtat e tyre. Zëri i studentëve duhet dëgjuar, jo shtypur. Protesta paqësore është një e drejtë, jo një arsye për dhunë. Përgjigjja ndaj kërkesave të të rinjve duhet të jetë dialogu dhe përgjegjësia, jo forca dhe intimidimi. Dhuna nuk është zgjidhje. Frika nuk është përgjigje. Heshtja nuk është alternativë! Të rinjtë nuk mposhten me dhunë dhe nuk nënshtrohen me frikë. Ata janë zëri i së tashmes dhe shpresa e së ardhmes së Shqipërisë.
Lajmi kryesor:
PD anulon mbledhjen e grupit, Berisha çon deputetët në protestë: Rama të japë dorëheqjen, qeveri teknike! Kërcënon edhe pedagogët











