Partia Demokratike ka anuluar mbledhjen e grupit parlamentar, ndërsa deputetët e saj i bashkohen protestës që po zhvillohet para Ministrisë së Arsimit.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, i kërkoi kryeministrit Edi Rama dorëheqjen e menjëhershme dhe krijimin e një qeverie teknike.
“I kërkoj Ramës të japë dorëheqjen. Rruga e vetme për zgjidhjen më të shpejtë, më pak të dhimbshme, të krizës së thellë në të cilën ka zhytur vendin, është largimi i tij i menjëhershëm. Krijimi i një qeverie që çon vendin drejt zgjedhjeve të lira është kusht i të gjitha kushteve që vendi të dalë nga kriza", tha Berisha.
Lajmi në përditësim....

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Nga selia blu, Berisha e cilësoi këtë si zgjidhjen e vetme për krizën në vend.
Gjatë deklaratës së tij nga selia blu, Berisha iu drejtua edhe punonjësve të Policisë së Shtetit, duke i ftuar të mos përdorin dhunë ndaj protestuesve dhe të bashkohen me studentët në kundërshtimin e qeverisë.
"U bëj thirrje të gjithë pedagogëve, pedagogeve, mësuesve, mësueseve, të rreshtohen së bashku me nxënësit e tyre në anën e drejtë të historisë kundër këtij regjimi të urryer, narko-regjim shkatërrimtar për qenien shqiptare. Sikundër paralajmëroj se në mënyrë absolute do mbahen qëndrimet më të rrepta ndaj mercenarëve që kërkojnë të trysnojnë nxënësit apo studentët duke zbatuar urdhrat e regjimit. Para studentëve dhe nxënësve është historia. Klasat tashmë nuk i nxënë më ata. Ata i ka thirrur historia në një lëvizje vendimtare për përmbysjen e këtij regjimi.
Uragani i revoltës studentore kundër Padrinos Edi Rama dhe larove të tij, lakejve të tij, ka tashmë në krye rininë studentore të Shqipërisë, e cila me guxim epik dëshmoi dje se është e aftë dhe e gatshme t’i thotë ndal dhunës së regjimit amoral, vjedhjeve, poshtërimeve, abuzimeve, shitjes së vendit nga Edi Rrama për të pasuruar dhe mbajtur në pushtet nomenklaturën e urryer ekonomike dhe politike të narko-shtetit.
Jo vetëm demokratët, por sot çdo prind që ka një fëmijë në gjimnaz apo në universitet, duhet t’u bashkohet atyre në shesh. Çdo biznesmen i vogël duhet të ulë qepenat dhe të hidhet në grevë së bashku me rininë studentore kundër regjimit që në fakt ka zhytur në agoni bizneset e tyre. Ky është shtet i krimit, bandave, kundër një rinie kundër të ardhmes së tyre. I kërkoj Ramës të japë menjëherë dorëheqjen, është rruga e vetme për zgjidhjen e krizës që ka kapluar vendin. Qeveri e përkohshme është kushti i të gjitha kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme”, tha ai.








