Protesta e banorëve të 5 Maj, shtëpitë e të cilëve do të shemben në kuadër të projektit të rindërtimi, është zhvendosur edhe në hapësirën virtuale në faqen e Facebook, të kryeministrit Edi Rama. Teksa ka ftuar qytetarët që të plotësojnë anketën e ‘Bashkëqeverisjes’, kreu i qeverisë është hasur me një reagim të banorëve të 5 Maj, të cilët i kërkojnë që të zgjidhë problemin e tyre. Rama u është përgjigjur ankesave të tyre, ndërsa sipas tij ati kanë marrë atë që i takon. Rama thotë ndër të tjera se askush nuk është nxjerrë nga banesa pa patur një zgjidhje.
Banori: Po pse nuk shënon në këshill a duhet t'i nxirrja me forcë banorët e 5 Majit ?! Ishte vërtet një veprim i paligjshëm për mos të përmendur përndjekjen e vazhdueshme të shitësve ambulante ku policia bashkiake e lali Erit u prishte gjithë tezgat !
Rama: Patjetër që kush nuk del me hir duhet të dalë me pahir, pasi e ka marrë atë që i takon sic e kanë marrë të tërë banorët tek 5 maji, ndërsa shitësit ambulantë nuk lejohen askund që të hapen si vaji në lakra përtej vendeve të lejuara.
Banorja: Ju ftoj të zgjdhni problemin e 5-majit! Nuk është e vërtetë që banorët po trajtohen siç ju takon! Po nxirren me dhunë nga banesat e tyre pa firmosur asnjë kontratë! Refuzimi i firmosjes së kontratës bëhet sepse ajo është e njëanshme e pavlefshme dhe në dëm të qytetarëve! Ju lutem trajtojeni problemin rast pas rasti! Secili rast ka problematikë të veçante! Ndalojeni këtë që po ndodh! Është realisht e tmerrshme! Nuk jemi aspak të pa-ligjshëm!
Rama: Askush nuk nxirret pa një zgjidhje, dëmshpërblim apo bonus qeraje dhe kompensim me banese sociale, njësoj siç bëmë me të prekurit nga tërmeti! Refuzimi nuk e bllokon dot procesin e zhvillimit dhe sigurisht që pasohet me nxjerrje forcërisht, përderisa të tërëve u është dhënë zgjidhja e askush nuk është lënë në qiell të hapur.
Më 19 janar Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ndërmori aksionin për prishjen e banesave në zonën e 5 majit në Tiranë duke i hapur rrugën procesit të rindërtimit. Në total, preken 430 në total nga projekti i rindërtimit.