TIRANË- ‘Mos na dëboni nga shtëpitë tona’, ‘Duam çmim tregu për shtëpitë tona’, me këto parulla banorët e katër zonave në Tiranë u mblodhën sërish në protestë përpara Kryeministrisë. Për 1 orë e 43 minuta banorët e ‘5 majit’, ‘Laprakës’, ‘Paskuqanit’ dhe të ‘Kombinatit’ protestuan, madje i dhanë dy ditë ultimatum qeverisë për t’i dhënë një zgjidhje kësaj situate. Në të kundërt, banorët paralajmëruan grevë urie pranë kryeministrisë.

“Të martën afati i fundit për të marrë zgjidhje, keni dy ditë kohë afat që t’i jepni një zgjidhje, në të kundërt grevë urie”, tha një protestues.

Për një moment protesta u udhëhoq nga fëmijët e këtyre zonave, të cilët me lot në sy patën një thirrje të veçantë për Ramën, duke i kërkuar atij që të mos ua prishin shtëpitë pasi prindërit nuk kanë mundësi të ndërtojnë të reja. Por pengu më i madh i fëmijëve, mbeten kujtimet që do t’i humbin me prishjen e shtëpive.

"O xhaxhi Edi, mos na i prish shtëpitë, të lutem o xhaxhi Edi", tha një prej fëmijëve. 

Banorët e zonës e së ‘Laprakës’ dhe ‘Paskuqanit’ kanë dalë në protestë pasi janë njoftuar që në zonën e tyre do të kalojë një pjesë e projektit të ‘Unazës së Madhe’. Për mikrofonin e Report Tv ata thonë se nuk kanë marrë ende një njoftim se kur do u prishen banesat, por vetëm iu është vendosur kryqi i kuq, që do të preken nga rikualifikimi urban i zonës.

Banorët ngrenë një akuzë kundrejt Aluizmit, ata thonë se ky institucion ua ka hequr shtëpitë nga procesi i legalizimit që kur është marrë njoftimi se do kalojë projekti i ‘Unazës së Madhe’.

“Ne nuk jemi njoftuar fare, kanë ardhur e kanë sjellë letrën për prishjen e objektit dhe na kanë nxjerrë nga procesi i legalizimit. Ku do strehohemi? E kemi futur, por na kanë nxjerrë nga procesi i legalizimit, nuk na i legalizojnë”, tha një banor i ‘Paskuqanit’.  

“Në proces legalizimi, por Aluizmi na ka kthyer dokumente. Në moment të fundit, para dy tre muajsh kam marrë vesh që gjurma bie brenda shtëpisë. Tre muajt e fundit ka ardhur një projekt që bie mes për mes shtëpive tona. Nuk ka transparencë. Neve jemi banorët e Paskuqanit, na kap Bashkia Kamzë. Asnjë transparencë as nga shtëpia Kamzë as nga Bashkia Tiranë”, tha një tjetër banor nga ‘Paskuqani’.

“Katër persona, 80 metër katror, shtëpia është në proces legalizmi. Po na prishin shtëpitë, ku do shkojmë? Asnjë nuk dimë, asgjë nuk na kanë thënë. Na është vënë vetëm kryqi i kuq tek dera e shtëpisë”, thekson një tjetër banore e ‘Paskuqanit’.

Në mbështetje të tyre kanë dalë edhe banorët e Kombinatit, të cilët thonë se nuk duan që këtyre banorëve t’iu përsëritet e njëjta situatë.

“Në Kombinat nuk është bërë asnjë pallat. Ajo që na gjeti ne që na nxorën jashtë, mos t’iu ndodhë edhe këtyre, Në Kombinat i kanë shembur pallate të padëmtuara. Aty ku jetoj unë jam në proces gjyqësor se pallati nuk ka asnjë dëmtim. Dyshja Rama-Veliaj duan të rrëmbejnë truallin tonë. Në Kombinat nuk është ndërtuar asnjë banesë”, u shpreh protestuesi nga ‘Kombinati’.

Banorëve të ‘5 Majit’ u është thënë që në datën 22 do të vijojë shembja e banesave. Ata thonë se kontrata e Bashkisë nuk është sipas ligjit dhe i bëjnë thirrje Veliajt që t’iu garantojë atyre se do marrin shtëpi dhe se do të përfitojnë të njëjtët metra katrorë që kanë aktualisht.

“Ka datën 22 shkurt, do rrimë brenda, pa firmos marrëveshjen në bazë të ligjit. Bashkia na ka sjell një letër, na ka thënë dorëzo pronën, hajde firmos, po ta japim më vonë. Ne nuk kemi besim. Ne duam të dimë kur do marrim pronën, sa do marrim. Kur do na i japin? Këtu nuk është bërë as dëgjese publike, nuk na është treguar as projekti.

“Data përfundimtare është 22 shkurt. Jo për të vetmen arsye se unë jam konsultuar ehe me juristë për këtë çështje, më kanë thënë që kjo është një kat marrëveshje të njëanshme, që bashkia nuk ka ardhur me u marr vesh me ne. I ka vendos çmimet sipas qejfit, nëse ka marrëveshje duhet të merrem i vesh dy palë, jo që ti të më detyrosh të dal nga shtëpia me këto kushte. Ti duhet të më sigurosh që ajo pronë do më rikthehet në këtë muaj. Ne nuk jemi kundër zhvillimit, sidomos ajo zonë që është lënë qëllimisht në atë zonë. Unë kam dy fëmijë të vegjël, kjo kauzë nuk duhet të transmetohet tek fëmijët, vetë do jem aty në ballë përpara derës time. Do bëni rezistencë? Absolutisht që po”, thanë banorët e ‘5 Majit’.

Më 19 janar Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ndërmori aksionin për prishjen e banesave në zonën e 5 majit në Tiranë duke i hapur rrugën procesit të rindërtimit. Në total, preken 430 në total nga projekti i rindërtimit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:25
Gjesti prekës i policit gjatë protestës para kryeministrisë, puth në faqe fëmijën që do i shembet shtëpia (VIDEO)

 

Protestës përpara kryeministrisë iu bashkuan edhe fëmijët. Kamerat kanë fiksuar një moment të veçantë. Vogëlushët që kishin përgatitur pankartat e tyre iu afruan efektivëve të policisë, të cilët ishin vendosur kordon para godinës së Kryeministrisë. Në momentin që një prej fëmijëve i drejtoi letrën e tij një efektivi ky i fundit e puthi në faqe të voglin.

 

Ora 14:07
Nënë Liza i përgjigjet Veliajt: Unë nuk kam marrë shtëpi, ta firmosë kontratën i pari kryebashkiaku

Liza Marku, që u kthye në simbolin e protestës së ‘5 Majit’ i është përgjigjur Bashkisë Tiranë, e cila deklaroi pak ditë më parë se Nënë Liza do të përfitojë 356 m2 banesë me hipotekë. E pyetur nga Report Tv, Nënë Liza tha se deri më tani nuk ka marrë asgjë, teksa theksoi se nuk do e firmosë kontratën derisa ta firmosë kryebashkikau Erion Veliaj i pari.

“Unë kam ardhur prapë sepse shtëpia më është shembur me forcë, 1300 policë kanë ardhur. Këta thonë  e ke marrë shtëpinë. Unë s’kam firmos kontratë, se kam marrë. Kur ta firmos kryetari i Bashkisë atëherë jam dakord. Unë kam qenë mbrëmë 18 me 9 tensioni mezi kam dal këtu. Ku po jeton? Rrugëve”, u shpreh nëna Liza pwr Report Tv.

Ora 13:37
Tetraplegjikja Enjola Duraku në protestën para Kryeministrisë: Unë kërkova rrugë se nuk ecja dot, ata më prishin shtëpitë

 

Enjola Duraku, një vajzë me aftësi të kufizuara, ishte në protestën e sotme para Kryeministrisë të banorëve që u rrezikohen shtëpitë për prishje nga ndërtimi i Unazës së Madhe dhe rikualifikimi urban. Ajo kishte një mesazh për autoritetet qeveritare.

"Kam kërkuar të drejtën time për rrugën mijëra e mijëra herë dhe një zgjidhje nuk më është dhënë. Nuk më jep zgjidhje për rrugën dhe tani më prish shtëpinë. Ku do të më çojnë mua vëllezërit e mi? Nëse Edi Rama e ka ndarë mendjen të vijë dhe të më mbysë le ta bëjë. Shteti nuk më ka dhënë as shkollë, asnjë gjë dhe tani shtëpinë do të ma prishë! Turp të keni", tha ajo.

Ora 13:26
Fëmijët protestojnë me lot në sy para Kryeministrisë: Nuk duam të na prishet shtëpia, kemi gjithë kujtimet

Xhensila Mazerku, 10 vjeç dhe Ledina Dedndreaj, 9 vjeç, me lot në sy kanë dalë sot përpara kryeministrisë për të protestuar kundër prishjes së banesave në zonën e Laprakës.

“Po qaj sepse o na prishin shtëpiat, e ka ndërtuar gjyshi dhe ka vdekur. 9 vjeçe. Gjërat më të rëndësishme që kam pasur aty. Po i kam dëgjuar. Nuk dua të prishet shtëpia, nuk dua sepse kam jetuar gjithmonë në atë shtëpi”, u shpreh Ledina Dedndreaj, 9 vjeç.

“Gjithë fëmijërinë sepse aty kam lindur dhe kam jetuar, po qaj se po ma prishin shtëpitë”, tha Xhensila Mazreku, 10 vjeç.

Ora 12:52
VIDEOLAJM/ 6-vjeçari nga Lapraka që 'drejton' protestën para Kryeministrisë, bashkëmoshatarëve: Hajdeni, mblidhuni! Të flasim

 

David Marku, 6 vjeç, ishte protagonisti i protestës së sotme para Kryeministrisë të mbajtur nga banorë të 4 lagjeve të Tiranës në mbrojtje të banesave të tyre që pritet të prishën nga autoritetit.

Fillimisht ai foli për mediat duke i bërë thirrje Kryeministrit Rama.

"O xhaxhi Edi, mos na i prish shtëpitë, të lutem o xhaxhi Edi. Xhaxhi di mos na i prish shtëpia të lutem shumë ne mezi i kemi bërë, s’kemi më shtëpi të tjera", tha ai.

Më pas Davidi i ftoi të gjithë fëmijët e tjerë në protestë të mblidhen dhe të ngrinin edhe ata zërin e tyre.

"Ne s'kemi më shtëpi të tjera.  Mblidhuni këtu grup, hajdeni shpejt! Të gjithë duhet të flasim diçka. Të thërrasim xhaxhin Edin", i porosiste 6 vjeçari fëmijët e tjerë në në protestë, duke i prekur të gjithë.