Sipas Idajet Beqirit, Sali Berisha është një 'njeri i dëshpëruar' që ka hyrë në një fazë ku, siç u shpreh ai, “prej tij nuk pritet gjë tjetër veç dhunës”. Gjatë një interviste në Studio Live në Report TV, Beqiri e akuzoi Berishën se po përdor destabilizimin si mjet për të shtyrë përballjen me drejtësinë për çështje të rënda penale. Ai bëri një krahasim të drejtpërdrejtë mes situatës aktuale dhe ngjarjeve të viteve 1997–1998 dhe duke iu referuar trazirave pas vrasjes së Azem Hajdarit dhe ngjarjeve të 14 shtatorit 1998 tha se Berisha po mendon për “një ’98 tjetër” si të ishte një armik i përbetuar i Shqipërisë .
"Ai mendon se duke bërë akte të tilla kriminale, ai mund të zgjasë agoninë në kuptimin e vënies para përgjegjësisë penale për ato krime penale të rënda që parashikojnë dënim me burgim të përjetshëm. Atij nuk i ka mbetur asgjë sa mendon se një 98 tjetër, pra ajo që bëri me vrasjen e Azem Hajdarit, ishte ai që e nxorri në pritë Hajdarin dhe përfitoi prej vrasjes duke bërë grusht shteti. Ai vrau 3000 veta në vitin 1997, u rrëmbeu shqiptarëve 4 miliardë dollarë dhe shkërmoqi shtetin. Ai bëri 14 shtatorin e 1998 dhe të njëjtën gjë synon edhe tani. Nuk ka kuptim të bësh protesta të tilla sikur je armiku më i betuar i Shqipërisë dhe do ta pushtosh atë. Në protestë, atë bëri, pushtoi Shqipërinë me armë. Morri fëmijë, i bëri mish për top dhe kur vjen puna nuk mban asnjë lloj përgjegjësie." tha ai.
E megjithatë, Beqiri mendon se “laku po i ngushtohet” Berishës por edhe fëmijëve të tij.
"Pritet marrja në përgjegjësi penale e Argita Berishës për aferën e rëndë korruptive me Damian Fazllic. Në këtë grup kriminal ajo ka futur vëllain dhe bashkëshortin e saj, 2 kolege të saj" tha ai.
Avokati u ndal edhe te çështja e Gërdecit. Sipas tij, përfundimi i procesit ndaj Fatmir Mediut do të shënojë fillimin e një faze të re hetimesh që mund të përfshijnë edhe vetë Berishën, ish-ministra të qeverisë së tij dhe familjarë të tij.
"Edhe Gërdecit po i vjen fundi, sepse fundi i gjykimit të Fatmir Mediut është fillimi i procesit për vetë Sali Berishën dhe disa ministra të tij, dhe djali i tij që ka bërë masakrën tjetër vetëm për të grabitur pasuritë e shqiptareve dhe dogjën një popull të tërë" tha Beqiri.
Protestën e dhunshme të së martës, Beqiri e konsideroi një kryengritje të armatosur kundër institucioneve. Sipas tij, Berisha dhe të tijët kryen një 'vrasje në tentativë' ndaj oficerëve të policisë dhe për këtë arsye duhej të ishin arrestuar.
"Policia e shtetit duhej të arrestonin Sali Berishën dhe organizatorët e tjerë, Flamur Noka dhe Gazment Bardhi dhe më pas të kapeshin ekzekutorët. Fakti që nuk ndalohen, por lejohet të vriten njerëzit është e rrezikshme dhe mund ta fusë vendin në një krizë të rëndë. Si mund të arrestohen 21 ekzekutorët dhe nuk merren me kryekriminelin e këtij vendi? ” tha Beqiri.
Beqiri shkoi edhe më tej, duke i cilësuar aktet e dhunës si “akte terroriste” dhe duke thënë se, sipas tij, nuk kanë dallim nga veprat e Hamasit. “Kjo është organizatë terroriste. Është një Hamas i Shqipërisë që e ka krijuar Saliu”, deklaroi ai, duke shtuar se, fatmirësisht kjo lëvizje “po vjen duke u zvogëluar”.
Komente








