Rrjeti i Safe Journalists ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar ditën e djeshme nga Partia Demokratike, tubim i identifikuar nga dhuna që nuk kurseu as punonjësit e medias.
Safe Journalists ka shprehur shqetësimin serioz për incidentet e shkaktuara mbrëmjen e djeshme, ku operatorëve e gazetarëve iu rreziku jeta si pasojë e molotovëve, mjeteve piroteknike të hedhura, ujit dhe gazit lotsjellës. Ndër rastet më të rënda ishte ai i operatorit të News24, Aldo Kashri, i cili u përfshi nga flakët teksa ndodhej sipër automjetit duke filmuar. Atij i erdhën në ndihmë menjëherë kolegët, ndërsa pësoi djegie të gishtërinjve.
Reagimi i plotë i Safe Journalists:
Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim serioz pas incidentit gjatë protestës së 10 shkurtit 2026 në Tiranë, ku Aldo Kashri, operator kamerash i Neës24, u vu seriozisht në rrezik gjatë raportimit të ngjarjes, ndërkohë që gazetarë dhe punonjës të tjerë të medias u ekspozuan ndaj gazit lotsjellës, autoboteve të ujit dhe masave të tjera të shpërndarjes së turmës gjatë ushtrimit të detyrës së tyre profesionale.
Sipas informacioneve publike, gjatë raportimit të drejtpërdrejtë, në përplasjet mes protestuesve dhe policisë më 10 shkurt 2026, një koktej molotovi shpërtheu në afërsi të tij, duke i marrë flakë rrobat. Ai mori ndihmë nga kolegët të pranishëm në vendngjarje dhe shmangu pasoja më të rënda, megjithëse pësoi djegie në gishta. Asnjë gazetar apo punonjës i medias nuk duhet të përballet me rrezik të tillë për jetën gjatë raportimit në interes të publikut.
Protesta u zhvillua në një klimë përplasjesh të dhunshme, përfshirë përdorimin e koktejve molotov, mjeteve piroteknike dhe objekteve të forta, si dhe masave të kontrollit të turmës nga ana e policisë, përfshirë gazin lotsjellës dhe ujin me presion. Ky incident pason shqetësimet e ngritura edhe pas protestës së 24 janarit 2026 në Tiranë, kur gazetarë dhe punonjës të medias u ekspozuan ndaj kushteve të rrezikshme gjatë mbulimit të tubimeve publike. Këto zhvillime tregojnë mjedisin gjithnjë e më të rrezikshëm në të cilin profesionistët e medias operojnë në periudha tensioni politik.
Rrjeti SafeJournalists thekson se siguria e gazetarëve dhe profesionistëve të medias gjatë tubimeve publike është një përgjegjësi e përbashkët.
Gazetarët dhe punonjësit e medias, përfshirë reporterët, operatorët, kameramanët dhe fotoreporterët, duhet të kenë mundësinë të mbulojnë ngjarje me interes publik pa u ekspozuar ndaj dhunës apo rreziqeve disproporcionale, pavarësisht natyrës së protestës apo aktorëve të përfshirë.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit në protesta duhet të shmangin çdo veprim që rrezikon përfaqësuesit e medias. Autoritetet kanë detyrimin pozitiv të sigurojnë që gazetarët të mund të kryejnë punën e tyre në mënyrë të sigurt, përmes masave proporcionale të menaxhimit të turmës dhe protokolleve të qarta operacionale që njohin dhe mbrojnë rolin e medias. Nga ana tjetër, redaksitë dhe organizatat mediatike duhet të kryejnë vlerësime të duhura të rrezikut dhe të sigurojnë udhëzime dhe pajisje mbrojtëse të përshtatshme për stafin e angazhuar në mbulime me rrezik të lartë.
Ne ritheksojmë solidaritetin tonë të plotë me Aldo Kashrin dhe me të gjithë gazetarët dhe profesionistv e medias që raportojnë në kushte sfiduese. Garantimi i sigurisë së tyre është thelbësor për mbrojtjen e së drejtës së publikut për informim dhe për respektimin e standardeve demokratike.
Komente












