Një 21-vjeçar ka mbetur i dëmtuar në kokë dhe është shtruar në spital gjatë protestës së sotme të zhvilluar në Tiranë, e cila u shoqërua me akte të shumta dhune.

Përmes një video-mesazhi ai pretendon se punonte te ‘Opera’ dhe ishte në orar pune kur ishte sulmuar, por thotë se nuk mban mend asgjë nga kush apo me çfarë ishte sulmuar.

“Orgen Hajderi. Isha te puna, punoj te Opera. Kam qenë aty normalisht, por nuk e mbaj mend fare çfarë më ka ndodhur. Jam 21 vjeç. Jam nga Kuçova. Thjesht më dhemb, kam këputje”, thotë i dëmtuari.

Duke i uruar të riut shërim të shpejtë, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha se 21-vjeçari është qëlluar me plumb gome në kokë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Blushi thotë se Orgeni është anëtar i LRI Kuçovë, teksa paralajmëron se Partia e Lirisë do të bëjë kallëzim penal për ndëshkimin e efektivit që sipas tij e ka qëlluar.

“Shërim të shpejtë dhe solidaritet me trimin guximtar nga Kuçova, 20-vjeçarin Orgen Hajderi, të qëlluar me plumb gome në kokë nga banditët me uniformë! Krenar për Orgenin, anëtarin e LRI Kuçovë! Partia e Lirisë do të bëjë kallzim penal për ndëshkimin e banditit me uniformë që e ka qëlluar Orgenin! Ky krim nuk falet kurrë!”, thotë Blushi në reagimin e tij.

Në një tjetër reagim, ku shfaqet bashkë me ish-deputetin Lefter Maliqi, Blushi thotë se 21-vjeçari ndodhet duke u operuar në reaminacion, me një hematomë të rëndë në kokë.

“Live nga Spitali i Traumës së bashku me Lefter Maliqin - Dënojmë aktin barbar dhe krimin shtetëror të goditjes me plumb gome në kokë ndaj 21-vjeçarit, Orgen Hajderi nga Kuçova, me hematomë të rëndë në kokë, i cili ndodhet në reamimacion duke u operuar. Partia e Lirisë do të kallëzojë penalisht banditët me uniformë të Edi Ramës që përgjakën sot 28 Nëntorin”, thekson Blushi.


Lajmi kryesor:

Protesta/ 6 orë dhunë në Ditën e Pavarësisë! Sulmohen institucionet, molotovë dhe gurë drejt efektivëve! Policia përgjigjet me ujë e gaz lotsjellës