Shoqata “Blegtorët Prodhues të Qumështit” u mblodhën këtë të martë përpara Ministrisë së Bujqësisë për të protestuar për skemën kombëtare 2026.
Ilir Pilku, ekspert bujqësie përmes një lidhje të drejtpërdrejtë tha në ‘Sot Live në Shqipëri’ se 2 nga kërkesat blegtorëve janë të parealizueshme për shkak se vendi ynë është brenda disa marrëveshjeve ndërkombëtare dhe në fazën për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“E kam thënë se buxheti i shtetit kërkon më shumë para. Nëse analizojmë skemën e 2026 shohim se kjo skemë përfshin 4 masa, por pavarësisht kësaj nuk është e mundshme që ne të konkurojmë në tregjet rajonale. Masat duhet të ishin marrë edhe ndaj ndryshimeve klimaterike. Sot kemi një rënie të prodhimit për shkak të kësaj. Ata e kishin kohën e mjaftueshme për të marrë këto masa për menaxhimin e krizës. Në tre muajt e ardhshëm do të kemi një rritje shumë të lartë të çmimeve të produkteve.
Unë e ndoqa protestën e blegtorëve, por 2 kërkesat e tyre janë të parealizueshme sepse ti je brenda disa marrëveshjeve ndërkombëtare. Ti je në fazën e integrimit në BE dhe duhet të kesh parasysh sloganinin 'një Europë - një treg'. Edhe nëse e bën ministrit të financave do t’i vijë urdhër që ta heqë, sepse është e paligjshme”, tha Pilku.
Ndërkohë Eduard Sharka, ekspert bujqësie gjithashtu theksoi se kërkesa e tyre është e drejtë. Ai shton se të heqësh skemën e naftës në këtë moment është papërgjeshmëri totale nga shteti.
“Është kërkesë legjitime, sepse të heqësh skemën e naftës në këtë moment është papërgjeshmëri totale, sepse mund të ishte marrë vendimi para krizës në Gjirin Persik. Ta hedhësh tani në kosh të plehrave është papërgjeshmëri. Ne nuk mund të krahasohemi me Serbinë për prodhimin e qumështit për shkak të fermave që kanë. Megjithatë unë mbroj tezën që na duhet produkti jonë vendas pasi është më ekonomik dhe për të patur edhe një sovranitet ushqimor”, u shpreh Sharka.
Pilku nga ana tjetër tha se çmimi i qumështit është më i shtrenjtë në të gjithë vendet e rajonit dhe në BE. Ai theksoi se në tre muajt në vijim do të kemi edhe një rritje të çmimeve të prodhimeve bujqësore.
“Çmimi i qumështit në Shqipëri është më shtrenjtë në të gjithë vendet e rajonit dhe në BE. Sot përpunuesit e marrin deri 55-65 lekë ndërkohë që në vendet e rajonit me 36 cent. Këtu duhet një lloj qartësie. Shteti duhet të financojë më shumë. Ndërkohë sa i përket bujqësisë do të kemi rritje çmimesh. Kemi një disbalancë midis ofertës dhe kërkesës, kur kemi një rënie të prodhimit global. Pse ka dalë domatja me këtë çmim të lartë te ne? Ne kemi pasur tre herë përmbytje. Politikat bujqësore duhet të bëhen nga njerëz të aftë. Nëse lufta nuk mbaron do të shohim si do të jenë çmimet. Duhet të ndërhyjë shteti për të marrë masa për bujqësinë”, shtoi Pilku.
Në fund të intervistës Sharka nënvizoi se ne kemi nevojë për ndërhyrje emergjente dhe politika afatgjata për të menaxhuar këtë situatë.
“Ne do të kemi tkurrje të prodhimit vendas. Kemi nevojë për ndërhyrje emergjente dhe politika afatgjata. Mendoj se ne na intereson që më mirë të konsumojmë qumështin tonë me kosto më të lartë sesa të marrim qumësht me kosto të ulët që na vjen nga importi. Por për këtë na duhen politika përkatëse. Bujqësia është sektor i cili pa ndërhyrjen e shtetit nuk mund të mbijetojë”, tha Sharka.
Komente











