DURRËS- Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka zhvilluar takime me qytetarët në qytetin e Durrësit në kuadër të turit të tij në qytete para protestës së 16 shkurtit.

Gjatë një bisede me një qytetar, Basha tha se kryebashkiaku socialist i qytetit Vangjush Dako është shëmbëlltyra regjimit që sundon sot Shqipërinë.

“Këtu në Durrës është shembulli se si në nivel lokal ka degjeneruar në formën e shëmbëlltyërn e Vangjush Dakos, i cili është edhe kryebashku i votave të vjedhura, edhe autori i vjedhjes së votave të 2017-ës, përfituesi kryesor i betonizimit të Durrësit, njeriu që ka shkelur çdo rregull, çdo parametër urban, për çdo leje ndërtimi që ka dhënë në këtë qytet, dhe njeriu që përcakton që betonierët mund të kalojnë vetëm nëse janë të kompanisë së tij dhe vetëm njerëzit që janë lidhur me të mund të punojnë dhe të ecin përpara. Është shëmbëlltyra e regjimit që sundon sot Shqipërinë,” – tha Basha.

 

Prej kohësh Partia Demokratike akuzon kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, se është i lidhur me bandën e Avdylajve. Akuzat e PD, lidhen me disa përgjime që kanë dalë në media, ku Dako komunikon me njërin nga anëtarët e bandës së Avdylajve, Altin Avdylaj. Sipas PD, Dako bashkëpunoi me Avdylajt për të blerë votat në Durrës, por këto akuza janë hedhur poshtë nga kryebashkiaku, i cili ka thënë se komunikimet me Avdylajt kanë qenë në kuadër të fushatave elektorale dhe pa asnjë prapavijë kriminale.