Pak orë para nisjes së protestës antiqeveritare, Komiteti Drejtues i Partisë së Lirisë, zhvilloi një mbledhje me tone të forta politike, akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe thirrje për mobilizim masiv qytetar.

Në hapje të mbledhjes u lexua letra e kryetarit të burgosur, Ilir Meta, i cili iu drejtua strukturave me një retorikë të fortë politike.

“Të gjithë në këmbë për t’ua rikthyer Shqipërinë shqiptarëve. Jemi në prag të protestës kombëtare kundër pengmarrësit të Shqipërisë dhe korrupsionit të tij skizofrenik që nuk e mbulon dot më askush,” shkruan Meta.

Meta e cilëson qeverinë e Edi Ramës “një regjim mafioz të implantuar për të shpopulluar Shqipërinë”, ndërsa ligjin e quajtur prej tij “antifamilje” e përshkruan si “atentatin më të rëndë ndaj identitetit dhe dinjitetit të çdo shqiptari”.

Të ngrihemi pa dallime partiake për të shporrur këtë klikë sorosiste, pa atdhe, pa familje, pa zot. Ata kanë vetëm një ‘gjini’: gjininë e kleptokratëve,” thekson Meta.

Në letrën e Metës nuk munguan as akuzat për fshehje provash dhe manipulim të drejtësisë:

A e patë si avulloi prova e kantinës së verës prej miliona eurosh? Imagjinojeni çfarë ndodh me provat e atyre që janë ende në detyrë”, shkruan Meta, duke nënvizuar se drejtësia aktuale është “produkt i 69 votave antikushtetuese të Edi Ramës”.

Meta u bëri thirrje qytetarëve të dalin në rrugë për të rrëzuar atë që e quan “barrikada e 83 ‘Diellave’ që mbron korrupsionin dhe krimin e organizuar”, duke përfunduar se:

“Misioni ynë është t’ua rikthejmë Shqipërinë shqiptarëve. Ky mision do të përmbushet me çdo çmim”, nënvizoi ai.

Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, në fjalimin e tij e pwrshkroi situatën në vend si dramatike. Ai theksoi se protesta nuk është për interesa partiake, por për dinjitetin qytetar. Ai akuzoi qeverinë si një bandë të pangopur dhe kleptomane, që sipas tij ka grabitur ëndrrën e një "populli të varfër dhe po e dhunon në çdo aspekt të jetës".

Edhe më i ashpër në tone ishte sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili deklaroi se vendi ndodhet nën një “narko-shtet të kapur nga grupe kriminale”.

“Ilir Meta është i burgosur politik i narko-regjimit. Por kjo kauzë është kauza e lirisë dhe ne do ta fitojmë këtë betejë”, tha Blushi.

Ai sulmoi drejtpërdrejt Edi Ramën dhe Belinda Ballukun, duke i cilësuar si “një organizatë e strukturuar mafioze”, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë:

“Kjo përballje kërkon sakrificë. Partia e Lirisë është gati të paguajë çdo çmim”. theksoi ai.

Në të njëjtën linjë ishte edhe nënkryetarja e partisë, Erisa Xhixho, e cila foli për zgjedhjet e 11 majit, që sipas saj “u manipuluan hapur”.

“Fundi politik i Edi Ramës është i pashmangshëm, pavarësisht zvarritjeve të tij. Protestat do të jenë të vazhdueshme dhe aksioni opozitar nuk do të ndalet”, deklaroi Xhixho.

Ajo shtoi se kjo betejë nuk është vetëm për opozitën, por “për të gjithë shqiptarët”, duke paralajmëruar një përplasje të gjatë politike në rrugë dhe sheshe.


Lajmi kryesor:

LIVE TV – Protesta e Berishës aspak kombëtare, pjesëmarrje e ulët në bulevard! Salianji i përgjigjet krydemokratit: S’më përjashton dot nga PD