TIRANËNë tubimin e një grupi njerëzish të Sali Berishës, në arrest shtëpie për korrupsion, në lidhje me aferën “Partizani”, dhe të PL, mungoi gardhi metalik që i ndan nga kordoni i policisë, në një tubim që zgjati veç 30 minuta.

Edhe në këtë protestë ata kishin marrë me vete goma të vjetra, të cilave u është vënë flaka para bashkisë, aty ku kërkonin dorëheqjen e Erion Veliajt.

Pamjet me dron tregojnë pjesëmarrje minimaliste, e cila sa vjen e ulet javë pas jave. Ata pak njerëz nuk hodhën bomba molotovë, me të cilat në tubimet e javëve të shkuara jeta e policëve u rrezikua disa herë seriozisht.

Para turmës, aktori i njohur Mehdi Malkaj, foli për revoltën e tij kundër vjedhjeve dhe skandaleve me tenderët ku janë përfshirë zyrtarë të bashkisë së Tiranës.

“Po përse nuk del njeri për këto që të protestojë pasi ka gënjyer të tërë popullin mbarë."

Përfaqësuesi i PL, Tedi Blushi, tha se nuk ka drejtësi në këtë vend pa ndaluar dy kokat kryesore të krimit të organizuar, Edi Ramën e Erion Veliajn.

“Ndryshe kemi të bëjmë me një strukturë drejtësie të kapur nga Rama, aleate me të dhe Veliajn dhe partnerë të tyre në krim”, tha Blushi.

Ndërsa Belind Këlliçit iu rikthye edhe njëherë kohës kur kandidoi për Bashkinë e Tiranës.

“Përse kur qytetarët e pyesnin se çfarë do të bëhet me kopshtet, me çerdhet, me shkollat, me parqet, përgjigja e tij ishte: 100, 200 apo 500 euro për votë”, tha Këlliçi.

Pjesëmarrja e ulët në protestën para Bashkisë së Tiranës