VIDEO/ Protestë kundër vizitës së kryetares së Speciales në Prishtinë, arrestohet Dardan Molliqaj dhe 5 aktivistë të PSD-së! Policia përdor gaz lotsjellës

Partia Socialdemokrate (PSD) protestoi sot kundër kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, duke hedhur bomba tymuese që krijuan tym të madh të zi pranë një hoteli në Prishtinë, ku ajo po mbante takim me shoqërinë civile.

Sipas PSD-së, Policia e Kosovës arrestoi gjashtë anëtarë të saj,përfshirë edhe kryetarin, Dardan Molliqaj.

"Kjo është përpjekje për disiplinim dhe përmirësim imazhi për gjykatën e padrejtë speciale", shkroi PSD-ja në Facebook.

“UÇK-ja nuk mund të gjykohet”, UÇK-ja është përpjekje për liri”, “Historia është shkruar, propaganda ka dështuar” ishin vetëm disa nga pankartat që aktivistët e PSD-së mbanin në duar.

Policia e Kosovës përdori gazlotësjellës për shpërndarjen e protestuesve të cilët gjendeshin para hotelit në Prishtinës, ku pritej të zhvillohej takimi mes kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatëses Ekaterina Trendafilova dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile. Gjithashtu vendosi perimetër sigurie në distancë  100 metërshe.

Partia Socialdemokrate, e cila nuk përfaqësohet në Kuvend ka protestuar kundër Trendafilovës edhe në të kaluarën. E pyetur nga gazetarët për protestën e zhvilluar ditën e sotme kundër saj, Trëndafilova tha se qytetarët që kanë pakënaqësi nga Gjykata Speciale, ta takojnë personalisht.

Gjykata Speciale apo Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë. Ata hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara janë duke u zhvilluar gjyqet ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dardan Molliqaj

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:25
U prit me protesta nga PSD në Prishtinë, kryetarja e Gjykatës Speciale: Të vijnë të takohen me mua për të shprehur pakënaqësitë

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trëndafilova, ka reaguar pas protestës së mbajtur sot në Prishtinë nga aktivistë të partisë Socialdemokrate kundër saj.

Ajo tha se do të dëshironte që të takohej me ta për të folur mbi pakënaqësitë që kanë mbi Gjykatën Speciale dhe jo që të bëhen protesta të tilla ku pati edhe përplasje me policinë.

Ora 16:06
FOTO/ Drejtonte protestën kundër kryetares së Gjykatës Speciale, momenti i arrestimit të Dardan Molliqajt në Prishtinë

Ky është momenti i arrestimit të kreut të partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj. Ky i fundit udhëhiqte protestën pranë një hoteli në Prishtinë ku kryetarja e Gjykatës Speciale Ekaterina Trëndafilova po takohet me përfaqësues të shoqërisë civile.

Para arrestimit të Molliqajt, u vu në pranga edhe një tjetër aktivist i kësaj partie, Nol Nushi.

Ora 15:57
Protesta kundër kryetares së Gjykatës Speciale në Kosovë, policia përdor gaz lotsjellës ndaj protestuesve (VIDEO)

Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit e mbledhur pranë perimetrit të sigurisë të vendosur para njërit prej hoteleve të Prishtinës ku po zhvillohet një takim mes kryetares së Gjykatës Speciale të Kosovës, Ekaterina Trendafilova dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile. 

Mediat e Kosovës kanë publikuar pamjet ku shihet se policia ka vendosur si perimetër sigurie distancën rreth 100 metra larg hotelit ku po protestohet. 
 

 

S.S/B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • erand: 29/11/2023 22:00

    Mbare Kosova duhet te ngrihet ne kembe per mbrojtjen e luftetareve qe ju dhane lirine.

    Përgjigju
  • Ramadan: 29/11/2023 21:50

    Kush je ti që hyn në Kosovë e bastis shtëpitë e Shqiptarëve o këlyshe Bullgare

    Përgjigju
  • Emigrant: 29/11/2023 20:37

    Po kjo shoqeria civile ke perfaqeson Ata qe luftuan per lirin e kosoves apo ata qe ja mbathen nga kosova nga frika e luftes

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Alibeaj në Report Tv: S’ka bashkëpunim me Berishën, PD një organizëm privat për të luftuar drejtësinë! Qeveria teknike? Lojë, i shiti Ramës zgjedhjet

Alibeaj në Report Tv: S’ka bashkëpunim me Berishën, PD një organizëm privat për të luftuar drejtësinë! Qeveria teknike? Lojë, i shiti Ramës zgjedhjet