Protesta/ Braçe: Tarifat OK, gati paketa për tetë pikat e studentëve, 5% GDB, jo kërkesë e tyre, nuk realizohet

TIRANE-Deputeti i PS, Erjon Braçe i ftuar në emisionin ‘45 Minuta’ nga Denis Minga në Report Tv deklaroi se një grup i ngritur në Kryeministri ka shqyrtuar kërkesat e studentëve duke hartuar një paketë që plotëson kushtet e tyre, përveç rritjes me 5% të GDB-së, pasi sipas tij është kërkesë e partive dhe jo e tyre.

Deputeti socialit theksoi se protesta e zgjoi qeverinë duke e rikthyer me këmbë në tokë, ndërsa shtoi se duhet të ndryshojë politikat e arsimit. Sot Presidenti Meta ktheu ligjin e buxhetit që miratoi kuvendi javën e kaluar duke kërkuar të reflektohen kërkesat e studentëve, ndërsa Brace e cilësoi këtë si vendim tërësisht politik. Braçe zbuloi se ligji i buxhetit është dorëzuar vetëm dje në Presidencë, ndërsa kreu i shteti ka qenë jashtë vendit dhe sot njoftimi kthimin në Kuvend.

Gjithashtu, ai tha se ligji nuk ka firmën e Presidentit dhe ngriti pikëpyetje nëse e ka shqyrtuar në të vërtetë Ilir Meta ligjin e buxhetit. Por zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi reagoi duke thënë se kreu i shtetit ndodhet në Shqipëri dhe jo jashtë vendit sikur tha Brace. Megjithatë Braçe këmbënguli duke kërkuar që të publikohet firma e Presidentit në dekretin për buxhetin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:08
Ndryshime në qeveri? Braçe: Protesta na zgjoi duke na rikthyer me këmbë në tokë

Referuar deklaratës së kryeministrit sot në Kuvend se ‘qeveria duhet të nxjerrë reflektime të mëdha dhe duhet të bëjë ndryshime të mëdha në mënyrën se si i qaset problemeve, falë kësaj shuplake që ka marrë nga studentët’ Erjon Braçe u shpreh në Report Tv se ndryshime të thellë do ta thotë përtej qeverisë.

‘Ndryshime të thellë do ta thotë përtej qeverisë. Ka struktura të tjera, që duhet të kishin funksionuar në këtë rast dhe në gjykimin tim nuk ka funksionuar. Pa asnjë lloj diskutimi duhet të ndryshohen politikat e arsimit, për titullarin flet kryeministri. Një kryeministër mendon se politikat bëhen nga një ministër dhe të gjithë duhet ta ndjekin. Por politikat i bën qeveria. P.sh taksat dhe buxhetin i bën Kuvendi, nëse do të ishte ndryshe nuk do të vinin ligjet në Kuvend. Protesta erdhi në momentin e duhur për të na zgjuar dhe për të na rikthyer me këmbë në tokë. Mos bëjmë gabimin për të mos ndarë politikat tona me studentët”.

Ora 16:59
Protesta e studentëve/ Kush janë ‘komshinjtë’ që sulmoi Rama? Braçe: Do e zgjidh personalisht

Kryeministri Edi Rama, referuar protestës së studentëve deklaroi se pas saj qëndrojnë PD, LSI dhe një grup i tretë që i cilësoi si komshinjtë, por pa specifikuar duke lënë shteg për supozime.  “Unë jam me çdo student dhe do të isha aty si një student që është aty për veten e tij, jo për Lulin, jo për Monikën dhe jo për komshinjtë” tha Rama. I pyetur se kush janë komshinjtë në protestë, Brace tha se “E kam një ide, por besoj do ta zgjidh personalisht” tha ai.

Ora 16:55
Buxheti, Braçe tregon si do të veprojë shumica me dekretin e Presidentit

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe nuk dha një përgjigje nëse shumica do të rrëzonte dekretin e Presidentit për buxhetin. Ai tha se do të shqyrtohet, por shtoi se argumenti i tij për studentët nuk qëndron. “Qëllimi i shprehur në këtë rast nuk ka lidhje me kërkesat e studentëve, pasi janë të akomoduara me burimet e shpallura financiare.

Do të presim në komision për më tepër. Shqyrtimi i dekretit të Presidentit është çështje e parlamentit, e komisionit të Ekonomisë, jo çështje e kryeministrit. Momentalisht qëllimi i shprehur në lidhje me tetë kërkesat nuk ka asnjë lidhje me këtë gjë. Ne nuk kemi luftë me kërkënd, por betejë me angazhimet që kemi marrë". 

Ora 16:27
Protesta e studentëve/ Braçe: Problemi i tarifave i zgjidhur, buxheti 5% nuk bëhet

Erjon Braçe shprehet se prej disa ditësh një grup i ngritur në Kryeministri po punon për kërkesat e studentëve. Ai thekson se çështja e tarifave është e zgjidhur, por kërkohet dialog me studentët, ndërsa kërkesa për rritjen e buxhetit 5% nuk bëhet. Për çështjen e tarifave, Braçe tha se nuk ishte e nevojshme që të rikthehej buxheti për shqyrtim nga Meta, pasi është e financuar nga burimet e buxhetit të shtetit. “Kërkesat e paraqitura nga studentët janë shqyrtuar dhe janë pranuar. Por është një pakicë që kontrollohet nga forumet partiake për këtë çështje. Kryeministri ka udhëhequr një grup pune që i ka shqyrtuar. Është ndërtuar një paketë e plotë në përgjigje të kërkesave dhe është e financuar plotësisht. Kërkesa për dyfishimin e buxhetit për arsimin ka dalë në ditën e shtatë. Çështja e tarifave është e financuar nga burimet e buxhetit të shtetit.

Nuk mund të dalë VKM-ja, pasi është çështje në diskutim. Ata kanë marrë kontrollin e protestës para Kryeministrisë. Çështja e tarifave është e zgjidhur plotësisht nuk ka nevojë për aktin që ka bërë Presidenti, ka nevojë vetëm për dialog për skemën. Kam gjashtë ditë që diskutoj për këtë çështje. Pika e buxhetit nuk ka qenë as në ditën e parë, as të dytë, por ka dalë në ditën e shtatë. Për këtë pikë nuk ka dakordësi fare, e ka thënë edhe Rama që pardje. Që të bëhet 5%  e GDB, në dollarë është 725 mln dollarë, por ne duam lekë edhe për bujqësinë. Buxheti duhet të ketë ekuilibër, pasi mund të kthehet në plaçkitje për sektorët e tjerë”tha Brace.

Ora 16:18
‘Buxheti’, Braçe: Dekreti s’ka firmë, ligji u dërgua dje në Presidencë, Meta ndodhet jashtë, si e shqyrtoi?

Presidenti Meta riktheu për shqyrtim ligjin për buxhetin pas protestës dhe kërkesave të studentëve për arsimin. Por kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe thotë se ligji u dërgua vetëm dje në Presidencë, ndërkohë që Meta ndodhet jashtë vendit dhe sot u shpreh duke e rikthyer. Braçe ngre pyetjen si e shqyrtoi Presidenti kaq shpejt buxhetin. Sipas tij vendimi reflekton qëllime të pastra partiake duke e lidhur me LSI-në.

“Kam një pyetje kush President? Ku është dekreti i Presidentit? Ky është njoftim për shtyp. Ligji për buxhetin e shtetit të vitit 2019 është dorëzuar dje paradite i zbardhur nga Kuvendi, datë 12.12.2018. Këtu nuk është firma e Presidentit. Ky shtet nuk është serioz. Ligji është dorëzuar dje. Tani kam dy gjëra; Presidenti është larguar dje nga vendi, ndërkohë që ky dokumentet është dorëzuar, Presidenti nuk ka qenë në zyrë. Kjo tregon mungesë serioziteti.

Presidenti nuk është në Shqipëri, si e ka shqyrtuar? Kjo një pyetje akoma më e madhe se firma. Ligji është dorëzuar dje, ai nuk ka qenë në zyrë. Si e mori informimin për buxhetin e arsimit të lartë Nuk ka. Vendimi reflekton qëllimi të pastra partiake. Nuk e kam hallin fare te firma apo dekretimi në mungesë. E kam hallin në mungesë totale të shqyrtimit, nëse gjërat dekretohen pa u shqyrtuar, kjo është fatkeqësi e madhe për këtë vend. Nëse Presidenti do të kishte njohur me detaje buxhetin nuk do ta kishte kthyer, sikur pretendon LSI, ish-partia e Presidentit. Edhe prej andej më vjen mosnjohja e akteve të buxhetit”tha ai.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ver Llapa: 13/12/2018 16:22

    Sa kena Monen kush pj... per presidentin?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Në kërkim për armëmbajtje pa leje, arrestohet 28-vjeçari! Në pranga edhe një 24- vjeçar, theu masën e arrestit të shtëpisë

Shkodër/ Në kërkim për armëmbajtje pa leje, arrestohet 28-vjeçari! Në pranga edhe një 24- vjeçar, theu masën e arrestit të shtëpisë