TIRANË- Në vazhdën e protestave të studentëve, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka theksuar për Report Tv se universitetet nuk janë mbyllur, por do të bëjnë mësim online për të paktën një muaj, duke lënë të kuptuar se mësimi mund të nisë në auditore në muajin dhjetor, gjithmonë nëse nuk ka një përkeqësim të situatës së pandemisë.
"Vendimi u mor vetëm për një muaj, dhe nuk duhet ta quajmë sikur u mbyllën universitetet, por vetëm për një periudhë pikërisht për të mos përhapur infeksionin. I mirëkuptoj që duan të jenë në auditore, por situatë është e tillë, rreziku është shumë i lartë dhe duhet të tregojnë durim", sqaroi Kushi. Në të njëjtën linjë është marrë vendimi edhe për mbylljen e konvikteve. Nisur nga fakti se studentët lëvizin për të takuar prindërit, Kushi tha se kjo të sille një zgjerim të hartës së të prekurve, e për pasojë u mbyllën, por pagesat e bëra për nëntor do të shtyhen për dhjetorin", tha ministrja.
Kushi zgjodhi që të mos fliste me shifra sa i përket numrit të mësuesve dhe nxënësve të prekur me COVID-19, duke e argumentuar se është një bilanc i cili ndryshon herë pas herë, por tha se janë në dispozicion 1000 mësues shtesë. Ndalur këtu, Kushi tha se të gjithë mësuesit janë paguar për orët shtesë, madje se ky ka qenë vendi i saj i parë sapo ka marrë detyrën në krye të Ministrisë.
"Nga 1760 shkolla, 1100 shkolla e zhvillojnë vetëm me një turn. Turnet 2-3 apo katër kemi për ata nxënës që vijnë nga shkollat e dëmtuara nga tërmeti, që detyrohen të shkojnë në shkollat pritëse dhe ne u subvencionojmë pagesën e transportit. Të gjithë mësuesit që zhvillojnë mësim me disa turne, po paguhen të gjithë mësuesit. Madje ka qenë vendimi im i parë sapo kam ardhur", tha Kushi.
Nuk përjashtohet skenari për të rikthyer online edhe parashkollorin dhe për këtë Kushi tha se janë marrë masa. Megjithatë, ministrja është kujdesut të theksojë që situata është në kontroll.
"Në disa shkolla të vendit, po të bëjmë krahasimin e mungesave, ka qenë më shumë vitin e kaluar se këtë vit. Situata është në kontroll. Nëse do na duhet të kthejmë parashkollorin, ne kemi marrë masat kemi kanalin e dedikuar RTSH shkolla, për transmetimin e lëndëve mësimore dhe na ndihmon edhe nëse një nxënës mungon, se e ndjek mësimin në këtë kanal dhe kjo vlen jo vetëm për këta, por edhe ata që janë prezent në klasë, kanali rtsh shkolla do të vazhdojë edhe pas pandemisë. Kemi platformën, Akademi.al, filloi gjatë periudhës së karantinës, kemi një numër shumë të madh, pjesa më e madhe e mësuesve dhe nxënësve, ku janë temat e mësimit, akoma me më shumë funksione, ne po fokusohemi më shumë gjatë pandemisë, por do të vijojë edhe për më tej sepse është një tendencë kudo në botë që nëpërmjet programeve t'u vijmë në ndihmë nxënësve. Ne jemi të ndërgjegjshëm që mundësitë ekonomike nuk janë njësoj, ndalur te tablatet për nxënësit na janë gjetur shumë pranë edhe bizneset", tha ministrja.
Pandemia ka ndikuar më së shumti te klasat kolektive me nxënës, e për këtë Kushi tha se ky është fokusi kryesor i saj. Ajo bëri me dije se aktualisht janë 23 mijë nxënës në klasa kolektive.
"Në 2013 ne gjetëm mbi 45 mijë nxënës në klasa kolektive, dhe sot kemi arritur ta përgjysmojmë, kemi 23 mijë nxënës. jem të ndërgjegjshëm që ky problem është realitet dhe ne po i kushtojmë shumë energji që sa më shpejt kjo problematikë të zgjidhjet, është e vështirë sidomos tani në këtë periudhë, për këtë arsye ehe tabletat digjitale u kemi ardhur në ndihmë fillimisht këtyre nxënësve", tha ministrja.