Aktivisti Adriatik Lapaj tha sot se protesta e organizuar të shtunën kundër qeverisë Rama, ka pasur lejen përkatëse nga policia. Duke i bashkëngjitur postimit e tij, shkresën përkatëse të lejes së firmosur nga Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Lapaj kritikoi shtetin se po sillet si “organizatë bandite" dhe akuzoi policinë për "marrjen peng" të fonisë.

Policia e Shtetit ka që dje që ka marrë peng foninë e protestës. I heq bukën e gojës atij që punon dhe mban familjen vetëm e vetëm për të mos lejuar njeri që të na mbështesë ne me qendër zëri. Protesta ka pasur leje! Kur shteti sillet si organizatë bandite, çfarë mbetet?!” shkroi ai në rrjetin social Facebook.

Protesta e së shtunës, u shoqërua me disa përplasje mes protestuesve dhe policisë, teksa këta të fundit u përpoqën të hiqnin një gjenerator që shërbente për funksionimin e fonisë.

Në fjalën e tij para protestuesve me thirrjet ‘Edi Rama o hajdut’ Lapaj i kërkoi kryeministrit Rama të dorëhiqet ndërsa u bëri thirrje të rinjve të bashkohen me kauzën e tyre.