Dy banorë të fshatit Baks-Rrjoll u arrestuan, shtatë po hetohen në gjendje të lirë dhe 15 të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia, pas protestës së fortë të së shtunës në Rrjoll të Velipojës, ku banorët kundërshtuan ndërtimin e resortit “Blue Borgo”, nga botuesi dhe biznesmeni Bashkim Ulaj duke thyer makineri të kantierit, përplasur me punonjës sigurie dhe lënë të plagosur një prej tyre.Të revoltuar, ata pretendojnë se Ulaj po u grabit pronat për të ndërtuar resortin e tij.
Në pranga ranë personat me inicialet N.M., 51 vjeç, dhe T.Sh., 45 vjeç, banues në Baks-Rrjoll. Ata dyshohen për “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Plagosje të rëndë me dashje”. Sipas policisë, gjatë protestës "janë goditur punonjës të kompanisë private të sigurisë që ruante kantierin dhe janë dëmtuar rëndë disa makineri të subjektit që po ndërton kompleksin turistik".
Shtatë persona të tjerë po hetohen në gjendje të lirë për “Shkatërrim prone” dhe “Kundërshtim të punonjësit”, ndërsa 15 janë shpallur në kërkim për të njëjtat vepra penale. Hetimet vijojnë, thotë policia.
Përplasja shpërtheu të shtunën, kur dhjetëra banorë të Rrjollit, por edhe aktivistë nga zona të tjera, dolën kundër projektit turistik, duke ngulur këmbë se toka ku po ndërtohet resorti është e tyre dhe insistuar se nuk do të tërhiqen.
Pak ditë më parë, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ia njohu familjes Malaj pronësinë për 20.700 metra katrorë, rreth 2.1 hektarë, në Rrjoll të Velipojës, në zonën pranë vendit ku po ndërtohet “Blue Borgo”. Beteja e tyre ligjore kishte nisur në vitin 2018 dhe zgjati tetë vite. Vendimi u mor nga Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, e cila pranoi pjesërisht padinë e Nikollë Malajt kundër Agjencisë së Trajtimit të Pronave.
Pas këtij vendimi për 2.1 hektarë, banorët shpresojnë që gjykata të shprehet edhe për pjesën tjetër të tokës ku po zhvillohet projekti turistik. Ata pretendojnë se sipërfaqja ku po ndërtohet është përvetësuar me dokumente të falsifikuara nga Fatmir Shpellzaj, ish-drejtor i Kadastrës dhe eksponent i Partisë së Lirisë, i cili pretendon pronësinë mbi atë truall.
Resorti “Blue Borgo” synon të ndërtohet në një sipërfaqe prej 146 hektarësh. Punimet nisën në fillim të shkurtit, pasi u dha leja e ndërtimit. Projekti parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë. Zhvillues është shoqëria “ABA Blue Borgo”, me status investitori strategjik.
Njoftimi i plotë i policisë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë: arrestuan shtetasit N. M., 51 vjeç, dhe T. Sh., 45 vjeç, të dy banues në fshatin Baks-Rrjoll, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, pasi këta dy shtetas, në bashkëpunim dhe me shtetas të tjerë, kanë organizuar një protestë të dhunshme, duke goditur në detyrë punonjësit e një kompanie sigurie dhe duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Gjithashtu kanë demtuar rende disa makineri të kompanisë private subjektit e cila po ndërton një kompleks turistik me leje përkatëse. Dëmi në makineri është i konsiderueshëm, me pasoja të rënda, ndërsa punonjësi i sigurisë ka pësuar dëmtime të rënda; referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit L. K., 32 vjeçe, banuese në fshatin Ivanaj; A. N., 33 vjeç, banues në fshatin Gomisqe; D. N., 27 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe; N. M., 70 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe; Z. Sh., 54 vjeç, banues në Velipojë; Z. M., 33 vjeç, banues në fshatin Rrjoll; P. M., 69 vjeç, banues në fshatin Rrjoll, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”. shpallën në kërkim shtetasit: A. M., 30 vjeç, banues në fshatin Baks-Rrjoll; A. M., 28 vjeç, banues në fshatin Baks-Rrjoll; D. Sh., 20 vjeç, banues në fshatin Pulaj; Gj. P., 60 vjeç, banues në fshatin Torovicë; L. K., 39 vjeç, banues në fshatin Torovicë; M. K., 32 vjeç, banues në fshatin Torovicë; P. M., 30 vjeç, banues në fshatin Baks-Rrjoll; S. K., 44 vjeç, banues në fshatin Torovicë; N. K., 35 vjeç, banues në fshatin Torovicë; P. K., 27 vjeç, banues në fshatin Luarzë; A. Zh., 31 vjeç, banues në fshatin Ishull Shëngjin; A. P., 46 vjeç, banues në fshatin Torovicë; S. Sh., 52 vjeç, banues në fshatin Pulaj; S. K., 19 vjeç, banues në fshatin Torovicë; G. P., 55 vjeç, banues në fshatin Baks-Rrjoll, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”"
Komente












