Tirana përjetoi këtë të shtunë një nga ditët më të vështira. 11 orë kaos e akte dhune. Përplasjet e nisura paradite pranë ministrisë së Arsimit, i lanë vendin një shpërthimi të dhunshëm në bulevardin kryesor përpara Kryeministrisë. Për orë të tëra pati një betejë me breshëri gurësh, molotovësh e fishekzjarrësh të fuqishme drejt policisë e cila u përgjigj me pompat e ujit e gazlotsjellës. Në mbrëmje forca të shumta të Rendit arritën të largojnë nga sheshi turmën e cila u shpërnda nëpër rrugët e qytetit duke djegur çfarë i dilte përpara, mes tyre dhe Bankën e Shqipërisë e Gjykatën e Lartë. Bilnaci i të lënduarve, 21 efektivë dhe 12 protestues.
Dhunë e shfrenuar, ankth, tension e pasiguri. Bulevardi qendror e rrugët kryesore të kryeqytetit, u transformuan në sheshin e një beteje që la pas vetëm gjurmë shkatërrimi. Vetëm një mbrëmje më parë, protestuesit ishin larguar nga sheshi duke i dhënë ujë dhe përqafime policëve. Por, kthimi sot në orën 11:00 në Ministrinë e Arsimit ishte i ngjashëm me skenarin e 4 ditëve të mëparshme. Për 4 orë, rruga para Ministrisë së Arsimit u kthye në një shesh beteje, me sulme me molotovë, fishekzjarrë e gurë në drejtim të efektivëve. Policia ndërhyri disa herë me ujë e gaz lotsjellës, ndërsa për herë të parë përdori edhe plumba gome. Sulmeve nuk u shpëtoi as Ambasada e Vatikanit, ku protestuesit i vunë flakën kabinës së rojës.
Në orën 15:00 arena e përplasjeve u zhvendos në sheshin përballë Kryeministrisë. Këtu nuk kishte asnjë moment pritjeje. Gjithçka përshkallëzoi shumë shpejt me sulme të ashpra për gati 4 orë rresht. Nuk kishte asnjë moment paqeje. Breshëria e gurëve drejt forcave të rendit ishte gati e pandërprerë. Policia i shtyu protestuesit disa herë drejt urës së Lanës.
Në skenë u shfaqën dhe molotovët, ku një prej tyre shpërtheu në këmbët e një polici që mori flakë. Episodi i rëndë ishte edhe djegia e një makine me targa franceze. Shtëllunga të mëdha tymi u përhapën në bulevard, ndërsa policia reagoi menjëherë me shpërndarjen e protestuesve. Një grup u zhvendos te blloku i ambasadave, ku sulmeve nuk i shpëtoi as autoriteti i Sigurisë Kombëtare.
Një grup protestuesish të maskuar mësynë te zyrat e Bankës së Shqipërisë te Ish-Dajti duke e sulmuar me shufra hekuri e breshëri gurësh. Më pas një bombë molotov hidhet në hyrje duke shkaktuar një shpërthim të madh flakësh. Ishte ky moment që solli reagimin e forcave RENEA të cilat dolën në terren.
Një tjetër zjarr i madh shpërtheu, por kësaj radhe te Gjykata e Lartë. Flakët e fuqishme kishin nisur në ambientet e katit të parë të një biznesi privat, por me shpejtësi përpinë edhe zyrat e Gjykatës dhe një makinë që ndodhej aty pranë. U desh ndërhyrja e zjarrfikësve për të shuar flakët, po ashtu edhe në një tjetër bankë private në rrugën “Myslym Shyri”. Me ndërhyrjet e herëpashershme të policisë, protestuesit u shpërndanë nëpër rrugët e Tiranës duke plaçkitur biznese.
Ka filluar pastrimi i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, pas përfundimit të protestës së zhvilluar mbrëmjen e sotme.
Një eskavator është vënë në punë për largimin e gurëve dhe mbetjeve të lëna në rrugë pas akteve të dhunës dhe përplasjeve me Policinë e Shtetit.
Gurë të shumtë janë mbledhur në një kamionçinë pas protestës së zhvilluar këtë të shtunë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë ku janë përdorur nga protestuesit për të goditur efektivët e Policisë së Shtetit, gjatë përplasjeve.
Situata u tensionua gjatë tubimit, ku pati akte dhune dhe efektivë policie u vunë në rrezik nga hedhja e sendeve të forta dhe molotovëve.
Pas kaosit nëpër rrugët e kryeqytetit dhe incidenteve të shumta që pasuan në zjarrvënie e plaçkitje, policia ka nisur me shpërndarjen e protestuesve. Forca policie dhe ujëhedhëse po marshojnë nëpër qytet duke ndaluar protestues. Në ish-Bllok ka disa të shoqëruar.
Gjatë ndalimeve, një të mituri i ka rënë të fikët, por policia e ka lënë të lirë.
Në kryqëzimin mes “Rrugës së Dibrës” dhe asaj të “Barrikadave”, protestuesit kanë hedhur një nga tabelat që përdoret për dekor.
Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka vizituar në Spitalin e Traumës efektivët e policisë dhe protestuesit e lënduar. Efektivët shihen me lëndime në këmbë e në fytyrë.
“Mirënjohje për të gjitha ekipet mjekësore dhe infermierore, që gjatë këtyre pesë ditëve kanë qenë pa ndërprerje në krye të detyrës, duke ofruar kujdes dhe ndihmë mjekësore për çdo të lënduar, pa asnjë dallim. Shëndeti dhe jeta e çdo qytetari janë mbi gjithçka!”, shprehet ministrja.

Agjencia për Media dhe Informim u ka bërë thirrje qytetarëve dhe protestuesve të mos pengojnë lëvizjen e ambulancave dhe të respektojnë punën e ekipeve të Urgjencës Mjekësore.
Përmes një mesazhi publik, Agjencia thekson se ambulancat dhe personeli mjekësor janë në shërbim të jetës së çdo qytetari dhe se bllokimi i tyre mund të rrezikojë personat që kanë nevojë për ndihmë urgjente.
“Pengimi i saj nuk është protestë! Është një veprim që rrezikon jetën e njerëzve që presin ndihmë urgjente”, thuhet në apelin e Agjencisë.
Ajo u bën thirrje protestuesve të respektojnë personelin shëndetësor dhe të garantojnë kalimin e lirë të ambulancave, duke theksuar se asnjë rrethanë apo situatë tensioni nuk justifikon pengimin e shërbimit të urgjencës.
“Respektoni bluzat e bardha! Hapni rrugën për ambulancat! Jeta e njeriut është mbi gjithçka!”, përfundon apeli.
Protestuesit ishin ulur në hyrje të “Rrugës së Dibrës” e të tjerë po vidhnin disa prej bizneseve, kur forcat e policisë erdhën nga Rruga e Barrikadave. Në kryqzimin e këtyre rrugëve ka ende biznese të hapura, ndërsa flakadanë dhe 3 kosha mbeturinash po digjen.
Policia u është vënë pas protestuesve që janë shpërndarë nëpër qytet dhe në rrugica. Efektivët kanë edhe pushkë që gjuajnë fishekë gome, ndërsa protestuesit po sulmojnë me gurë. Autoritetet po përdorin edhe gaz lotsjellës.
Protestuesit shkatërrojnë bankomatin e njërës prej bankave të nivelit të dytë që ndodhet në hyrje të “Rrugës së Dibrës.”
Protestuesit u zhvendosën në hyrje të “Rrugës së Dibrës”, ku thyen xhamat e një prej dyqaneve të një operatori telefonik.
Me shufra hekuri, arritën të hapnin edhe qepenin dhe hynë brenda, duke marrë modemë interneti dhe celularë.
Gjatë rrugës, vijuan me djegien e koshave të mbeturinave dhe shkatërrimin e gjithçkaje që u dilte përpara. Ndërkohë, para Kryeministrisë nuk kishte më asnjë protestues.
Protestuesit janë shpërndarë nëpër rrugët e kryeqytetit. Një pjesë e tyre ndodhen në qendër, mbrapa shtëpisë së Ismail Kadaresë ku po djegin kosha mbeturinash ndërsa një autobot shuan flakët.
Protestuesit po shkatërrojnë edhe tabela rrugore si dhe kanë tentuar të dëmtojnë edhe një kioskë.
Policia ka hyrë me një mori automjetesh në sheshin “Skënderbej” për të shpërndarë protestuesit.
Protestuesit kanë vijuar me marshimin e tyre ku shihen se u kanë vënë flakë disa koshave mbeturinash.
Disa prej kazanave shihen shtëllunga tymi ku janë përfshirë nga flakët në rrugën përballë kompleksit Tajvan, pranë Parkut Rinia në Tiranë.
Zjarrfikësit kanë shuar flakët e frikshme që përfshinë godinën e Gjykatës së Lartë. Zjarri, i shkaktuar nga sulmi me molotovë i protestuesve, nisi në një biznes në katin e parë, ngjitur me godinën e Gjykatës së Lartë. Por flakët u përhapën edhe në zyrat e gjykatës, po në katin e parë.

21 efektivë dhe 16 protestues janë lënduar nga përplasjet e protestës së sotme. 16 efektivë dhe 2 protestues janë te Spitali i Traumës.
Te spitali “Nënë Tereza” ndodhen 1 polic dhe 2 protestues.
Protestuesit po shkaktojnë disa zjarrvënie njëkohësisht. Pas urës te Piramida dhe godinës së Gjykatës së Lartë, është radha e një tjetër filiali banke. Bankës, e cila ndodhet te rruga “Myslym Shyri”, i kanë thyer xhamat dhe më pas, i kanë vënë flakën.
Sipas raportimeve disa protestues nga ana tjetër i kanë vënë flakën urës te Piramida, teksa kumbon kambana e kishës.
Pak kohë më parë ata po hidhnin fishekzjarrë në drejtim të efektivëve të policisë, të cilët janë rreshtuar me mburoja për të përballuar situatën.
Ndërkohë, ura te Piramida sipas pamjeve nga Report Tv shihet në zjarr.
Protestuesit i kanë vënë flakën një ambienti ngjitur me Gjykatën e Lartë. Zjarri, i cili ndodhet në katin e parë të godinës, shihet të ketë marrë përmasa teksa sirena e alarmit nuk resht. Edhe ambiente të tjera të të njëjtit kat janë në flakë. Këto të fundit po përhapen drejt katit të dytë.
Një makinë pranë godinës është përfshirë nga flakët dhe ka shpërthyer. Në vendngjarje sapo ka mbërritur edhe zjarrfikësja.
Duke përdorur sasi të larta gazi lotsjellës, policia ka arritur të shpërndajë turmën pasi i vuri flakën ish-hotel ‘Dajtit’, pjesë e Bankës së Shqipërisë. Në bulevard, shihen pllakat e shkulura vendit që mbulojnë rrugën, gurë, bojë e kuqe dhe mbetjet e molotovëve.
Ka ende vatra zjarri nëpër rrugë. Ndërkohë forcat RENEA sapo kanë mbërritur te kryeministria.
Forcat RENEA kanë zbritur në terren pas përkeqësimit të përplasjeve në bulevard. Protestuesit sapo i kanë vënë flakën derës kryesore të ish-hotel ‘Dajtit’.
Protestuesit e maskuar sulmuan me molotovë godinën e ish-Hotel Dajtit, ku ndodhen zyrat e Bankës së Shqipërisë, duke shkaktuar një zjarr të madh në hyrje të saj. Flakët u përhapën me shpejtësi, ndërsa nga godina nisën të ngriheshin shtëllunga tymi.
Përpara se t’i vinin flakën hyrjes, protestuesit sulmuan godinën me gurë dhe shufra hekuri, duke thyer xhamat. Ata tentuan të shkallmonin edhe derën kryesore për të hyrë brenda, ndërsa sulmet vijuan për disa minuta, deri kur në terren zbriti RENEA.
Kjo është makina me targa franceze që protestuesit i vunë flakën pak më parë duke hedhur molotov. Zjarri tanimë është shuar dhe duket sesi automjeti është plotësisht i shkrumbuar.
Disa policë janë goditur me molotov në këmbë. Në pamje shihet sesi ai ka marrë flakë, këpuca iu dogj plotësisht. Për ta fikur, ai rrotullohet menjëherë te një pellg uji, ndërsa edhe shokët përpiqen ta ndihmojnë.
Më pas e marrin në krahë dhe e largojnë.

Molotovët e hedhur nga protestuesit kanë shkaktuar flakë para një tjetër makine ujëhedhëse. Në bulevard ka mbërritur edhe një autobot i katërt me ujë.

Policia ka përshkallëzuar reagimin ndaj protestuesve te bulevardi “Dëshmorët e Kombit.” Policia është vendosur bashkë me autobotin e ujit dhe automjete të tjera te ura e Lanës, pranë Parkut Rinia dhe ka nisur me shoqërimet.
Drejtori i Përgjitshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zbritur vetë në terren, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku prej afro 3 orësh vijojnë përplasjet mes protestuesve dhe efektivëve.
Hita ka qenë i pajisur me maskë kundragaz dhe i rrethuar nga disa efektivë policie. Ai ka inspektuar situatën në terren, pas përplasjeve të forta mes protestuesve e efektivëve të Policisë.
Bulevardi Dëshmorët e Kombit, por edhe zona të tjera në Tiranë, duket sikur janë në gjendje lufte.
Protestues të maskuar kanë sulmuar me gurë, pllaka trotuari, molotovë, llastiqe e sende të forta mbi punonjësit e policisë, institucionet, bizneset private dhe çdo gjë tjetër të mundshme.
Në momentet e fundit, në bulevardin Dëshmorët e Kombit, efektivët e Policisë kanë qenë në vështirësi përballë sulmeve të vazhdueshme me gurë nga protestuesit.
Në grup, ata kanë ngritur mburojat për t’u mbrojtur nga gurët dhe kanë nisur tërheqjen graduale pas.
Ura te Piramida si dhe sheshi i saj duket të jenë pika që protestuesit po i shfrytëzojnë për të sulmuar me gurë policët, të cilët në këto hapësira, janë më të paktë në numër.
Një tjetër efektiv është lënduar në protestë. Fillimisht ai shihet pranë formacionit të krijuar me mburoja, me vështirësi për të lëvizur pasi duket se gurët e kanë lënduar në këmbë.
Më pas, mbahet te kolegët që përpiqen ta largojnë nga zona e sulmit të protestuesve. Ai kërcen mbi njërën këmbë, si dhe çalon.
Protestuesit kanë sulmuar me gurë e molotovë edhe Autoritetit të Sigurisë Kibernetike. Në muret rrethuese të godinës, ku ndodhen bimët, ka flakë.

Aktualisht 15 persona të lënduar janë paraqitur për të marrë ndihmën mjekësore.
Sipas përditësimit të orës 17:00, në Spitalin e Traumës janë paraqitur 9 protestues, 4 efektivë policie dhe një kalimtar, ndërsa në Qendrën Spitalore Universitare 'Nënë Tereza' po ekzaminohet një efektiv tjetër.
Tre protestues dhe dy efektivë kanë marrë mjekim dhe janë larguar nga spitali. Të lënduarit janë në gjendje shëndetësore të stabilizuar.

Protestuesit duken të jenë sprapsur në këtë moment duke i dhënë një lloj ‘frymëmarrjeje’ situatës së tensionuar në bulevard. Vetëm një grup i vogël i maskuar ndodhet pranë autobotit të ujit duke qëlluar me gurë, ndërsa pjesa tjetër është zhvendosur te ura e Lanës.
Vihet re se ka shtim të forcave të policisë.

Një djalë i vogël i maskuar ka hipur mbi një prej autobotëve të ujit.
Moment i rrezikshëm në protestë. Në këto pamje që sjell Report Tv, protestues të maskuar, janë armatosur me fishekzjarrë. Ata sulmojnë me breshëri efektivët e policisë.
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbështjellë tashmë nga një re e dendur tymi të zi, i shkaktuar nga një makinë me targa franceze që po digjet, pas molotovëve të hedhur nga protestuesit.
Flakët nuk janë shuar nga autoboti i ujit.
Një makinë me targa franceze kishte ngecur në bulevardin “Dëshmoret e Kombit”, ndërsa protestuesit po sulmonin ashpër efektivët e policisë.
Fillimisht disa prej protestuesve e vendosën mbi makinë një çadër me flamurin kombëtar. Por shumë shpejt, i harruan aktet patriotike dhe iu kthyen akteve guerile.
Makina, e cila ndodhej përballë piramidës, u mor zvarrë nga protestuesit me maska dhe iu vu flaka.
Pamjet me dron të Report TV tregojnë momentin kur flakët shkrumbojnë totalisht makinën, ndërsa protestuesit vijojnë sulmet me fishekzjarrë në drejtim të efektivëve.
Rinis një valë e dhunshme sulmesh me gurë nga protestuesit, të cilët nuk po zmbrapsen as nga uji e as nga gazi lotsjellës. Protestuesit po përdorin edhe fishekzjarrë.
Ata janë të shumtë në numër dhe duket se bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është kthyer në një fushëbetejë. Në rrugë shihen pllaka të panumërta.
Policia ka krijuar disa formacione mbrojtëse pranë autobotëve të ujit, pasi një prej tyre mori flakë pak më parë për shkak të molotovëve të hedhur nga protestuesit.
Një grup efektivësh, duke përdorur mburojat e tyre, janë grumbulluar për të krijuar një ‘çadër’ ndaj gurëve e molotovëve.
Protestuesit po vijojnë të hedhin molotovë e gurë drejt efektivëve. Molotovët kanë kapur edhe autobotin e ujit, i cili tanimë ka marrë flakë.
Një makinë me targa franceze është bllokuar në mes të përplasjeve mes protestuesve e policisë te bulevardi “Dëshmorët e Kombit.” Automjeti duket të ketë ‘ngecur’ përballë Piramidës, në pamundësi për të vijuar më tutje.
Protestuesit i janë afruar dhe për ta ‘shenjuar’ që mos të sulmohet, i kanë vendosur një çadër me simbolin e flamurit kombëtar.
Protestuesit po tërhiqen nga kryeministria, pas reagimit të policisë me gaz lotsjellës e ujë. Ndërkohë ka nisur edhe sprapsja e protestuesve përdorur shkopinj gome, si dhe shoqërime.
Një grup protestuesish të maskuar kanë marrë një lloj kompensate për ta përdorur si mburojë kundrejt gazit lotsjellës, teksa vijojnë të sulmojnë me gurë e sende të forta.
Kulmon tensioni para kryeministrisë. I gjithë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është i mbushur me gaz lotsjellës. 3 makineri po hedhin ujë me presion ndaj protestuesve, ndërsa këta të fundit shkulin pllakat e bulevardit dhe hedhin gurë drejt efektivëve.
Gjatë marshimit të tyre, protestuesit në Shkodër po djegin koshat e mbeturinave në mes të rrugës dhe po thyejnë tabelat. Policia ka shoqëruar disa prej tyre.
Një protestues me maskë kundërgaz është mënjanuar për pak çaste nga protesta dhe është vendosur te Kullat Binjake, ku po fal namazin.
Ndërkohë rreth tij, ka vetëm tym, gaz lotsjellës e gurë që fluturojnë në ajër.

Aktualisht, 3 protestues sapo kanë mbërritur në Spitalin e Traumës në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëdijshëm.
Njëri prej tyre deklaron që është lënduar dje dhe është paraqitur sot në spital.

Aktualisht, janë 3 protestues sapo kanë mbërritur në SUT. Gjendje e mirë shëndetësore. Po marrin trajtim në urgjencë.
Njëri prej tyre deklaron që është lënduar dje dhe është paraqitur sot në spital.
Protestuesit ndodhen përpara kryeministrisë, ku policia ka ngritur një kordon sigurie. Në vijën e parë ndodhet autoboti i cili hedh vazhdimisht ujë e gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve.
Këta të fundit po sulmojnë efektivët me breshëri gurësh e molotovësh.
Pas 4 orëve te Ministria e Arsimit ku herë pas here ka pasur përplasje me policinë, protestuesit kanë nisur të marshojnë. Ata janë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe po i drejtohen kryeministrisë.
Ndërkohë në tarracën e Ministrisë së Brendshme gjenden policë që hedhin gaz lotsjellës, kundrejt të cilëve protestuesit lëshojnë brohorima e reagime të revoltuara.
Rruga e Durrësit në kryeqytet është kthyer në një ‘skenë lufte’, pasi protestues të maskuar kanë sulmuar me gurë dhe sende të fortë drejt Ministrisë së Arsimit dhe efektivëve të Policisë, ndërsa këta të fundit u janë përgjigjur me ujë, gaz lotsjellës dhe plumba gome.
Edhe në momentet e fundit, protestuesit po vijojnë të sulmojnë me pllaka trotuari, molotovë e sende të forta ndaj efektivëve, ndërkohë që tymi ka mbuluar gjithë zonën.
Një grup protestuesish të maskuar kanë parakaluar ditën e sotme në Rrugën e Durrësit, ku po zhvillohet për të pestën ditë protesta e dhunshme kundër Qeverisë.
Gjatë ‘paradës’, ata jaën përshëndetur, përqaruar e duartrokitur nga protestues të tjerë që ishin të pranishëm në tubim.
Mes protestës së dhunshme që po zhvillohen në Rrugën e Durrësit, para Ministrisë së Arsimit, ku persona të maskuar po përballen me efektivët e Policisë me gurë e sende të forta, një vazjë, me ‘krahë’ si të një fluture, është shfaqur mes protestuesve.
Ajo gjithashtu ka vendosur në kokë një fjongo, në të cilën janë ngjitur edhe dy simbole të një fluture.
Një person nuk është ndjerë mirë dhe i ka rënë të fikët gjatë protestës së dhunshme që po zhvillohet ditën e sotme në Tiranë.
Menjëherë një autoambulancë ka shkuar në vendin ku ndodhej personi në fjalë, për t’i dhënë atij ndihmën e parë mjekësore.
Protestuesit kanë sulmuar sërish ambasadën e Vatikanit, që ndodhet në hyrje të rrugës së Durrësit. Siç shihet edhe në pamjet që sjell Report Tv, ata i kanë vënë flakën kabinës së rojës.
Edhe tre ditë më parë ambasada e Vatikanit ishte pre e sulmeve të protestuesve të maskuar, të cilët shkulën flamurin.
Protestuesit e maskuar kanë sulmuar me molotovë në drejtim të efektivëve. Policia ka reaguar me gaz lotsjellës dhe ujë, ndërsa protestuesit janë shpërndarë. Disa nëpër rrugicat pranë Ministrisë së Arsimit, ndërsa një pjesë tjetër është zhvendosur afër sheshit Skëndërbej, në fillim të rrugës së Durrësit.
Sulme të ashpra me gurë e molotovë ndaj efektivëve në protestë. Në një moment, mes sulmeve me gurë dhe molotovë ndaj efektivëve, një polic u filmua duke përdorur një armë që qëllon me fishekë gome, siç shihet edhe në video. Megjithatë, policia ende nuk ka reaguar zyrtarisht.
Një protestues i veshur me kostum panda ka tërhequr vëmendjen gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit. Me një pankartë ku shkruhej “Mos dhunoni nxënës e studentë” dhe mesazhe të tjera në kostum, ai ka kërcyer përballë efektivëve të policisë.
Ndonëse qëndruan një orë të qetë para Ministrisë së Arsimit, protestuesit nisën sulme të ashpra me gurë në drejtim të efektivëve. Këta të fundit u përgjigjen me gaz lotsjellës dhe hoqën edhe bllokadën me kangjella që kishin vënë protestuesit në mes të rrugës.
Tensionet përshkallëzohen në ditën e pestë të protestës para Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit kanë nisur të hedhin vezë dhe gurë në drejtim të efektivëve të policisë. Ndërhyhet me gaz lotsjellës.
Protestuesit mblodhën koshat e plehrave para Godinës së Ministrisë së Arsimit dhe i vunë flakën në mes të rrugës.
Ersli Selimi, një i ri që i është bashkuar protestës para Ministrisë së Arsimit, thotë për Report Tv se të rinjtë përballen me mungesën e vendeve të punës, pagat e ulëta dhe koston e lartë të jetesës. Ai kërkon edhe ndryshimin e klasës politike.
“Dal të protestoj sepse për të rinjtë që sapo dalin nga shkolla nuk ka vende pune. Kam studiuar administrim biznesi, kam filluar punë, por inflacioni dhe rrogat që janë në Shqipëri nuk përputhen me kostot e jetesës. Sapo del nga universiteti, të kërkojnë 3 vite eksperiencë. Ose e nis me rrogën më të ulët. Kërkesat janë të dish dy-tre gjuhë të huaja, të kesh shumë eksperiencë, ndërkohë që rroga që merr është shumë minimale dhe nuk mbulon kostot e jetesës. Të shkosh në market është njësoj si të porosisësh online, që më parë kishte një diferencë shumë të madhe. PD duhet të riorganizohet ose të ndryshojë komplet dhe të krijohet një parti e re me njerëz të rinj që mund të na përfaqësojnë ne. Duhet të dalë një politikë e re”, thotë i riu.
Protestuesit i kanë vënë flakën një valixheje, si simbol i emigrimit, dhe e kanë hedhur brenda oborrit të Ministrisë së Arsimit.
Protestuesit janë mbledhur sërish ditën e sotme para Ministrisë së Arsimit, në ditën e pestë të tubimeve të dhunshme që po zhvillohen në Tiranë.
Gazetarja e Report Tv, Eliza Gjediku, ka marrë në pyetje disa prej protestuesve, të cilët kanë shprehur edhe shqetësimet e tyre dhe arsyet se përse janë ngritur në protesta.
Kushtet ekonomike, që pamundësonin studimin pa punuar dhe qiratë e shtrenjta ishin sipas tyre një prej arsyeve themelore që i kishte shtyrë të dilnin në protestë.
Një prej protestueseve, tha se nuk ishin efektivët e Policisë ata që dhunonin protestuesit, por persona të panjohur.
“Fillojmë që nga buka që hahet. Atje është kulmi pastaj. Sa për dijeni, vetë policat na e konfirmuan që këta janë thjeshtë për të mbrojtur. Ata të tjerët as që nuk i njohin dhe ata janë vetëm për të dhunuar. Ndërsa këta na e thanë vetë që ‘ne nuk jemi për të dhunuar, na kanë vënë këtu për të mbrojtur institucionin’. Jam studente. Fatmirësisht jam në një universitet privat, sepse shtetërorin nuk do e preferoja kurrë, për shkak të korrupsionit, nga kushtet, nga mësimdhënia, nga të gjitha këto. Më mirë pa shkollë, sesa në shtet. Ky është mendimi im. Kemi shokë që përveçse janë djegur, u’a vështirësojnë shumë”, tha një protestuese për Report Tv.
“Kërkojmë dorëheqjen, kaq”, tha një studente.
“Më fal, ju keni ankesa si person? Çfarë ankesash? Rrogën e keni të mirë? Ushqimet janë të larta? Qiratë janë të larta? Kaq. Dorëheqje! S’ka bërë gjë për 13 vite, si ti si unë të njëjtat kërkesa kemi”, tha një tjetër protestuese.
“Unë në fakt jetoj jashtë dhe kam ardhur për 5 muaj këtu në protestë. Unë jetoj në Angli në fakt, por kam ardhur në Shqipëri të rregulloj jetën time këtu. Sepse kemi një atdhe dhe problemi që kam hasur është me administratën. Unë s’kam patur mundësi që të mbaroj punë pa dhënë një kafe. Edhe kur kam bërë patentën këtu, unë duhet të paguaja 100 euro poshtë tavolinës. Sepse po të mos paguaje, ata thoshin se do na ngecnin. Unë jam rritur këtu deri në 12 vjeç, sepse kam pasur dëshirë të njoh realitetin shqiptar. Ne duam që të vijmë të ndihmojmë popullin shqiptar me arsimin që kemi marrë jashtë, por nuk na e japin shansin për ta bërë këtë”, tha një tjetër protestues.
Ndërsa një tjetër protestues tha se do të donte që kryeministër të zgjidhej deputeti demokrat Saimir Korreshi, pasi sipas tij, ai është i vetmi që do ta ndihmonte Shqipërinë.
“Jam 20-vjeç. Kam 150 ditë që protestojmë për të drejtat tona. Ky nuk donte me të mirë, por donte kështu. U kthyem kështu, por kemi policinë kundra. Shikoni si janë këta me mburoja. Ne edhe këto maska i vëmë sepse na ngelin në shkolla. Këta me mburoja na gjejnë në tokë dhe na rrahin na zhdëpin në dru. I kanë çuar qiratë nga 800 mijë lekë në muaj dhe rrogat tona nga 500 mijë lekë. Po rrimë nga 5-6 vetë nëpër shtëpi, sepse s’kemi ça bëjmë. Edhe punojmë edhe studiojmë, sepse po nuk punuam, nuk studiojmë dot. Ne e bëjmë në privat. Ata na thonë ‘nuk mësoni, kapeni në shtet’. Po ça të bëjmë, nuk i kemi të gjithë mundësitë, sepse bursa morën vetëm çunat e deputetëve e ministrave. Ne s’i morëm dot. Këtu s’ka asgjë të saktë, çdo gjë është e prishur. Duke filluar nga pedagogët, që vijnë pijnë kafe dhe ikin që aty. Duam vetëm të iki Edi Rama. Dua me shpirt vetëm Saimir Korreshin. Vetëm ai na bën punë ne, po s’na bëri ai, s’na bën njeri tjetër punë ne. Vetëm ai se kush tjetër, do vij Arlind Qori, apo ai Llapi”, tha protestuesi.
Protestuesit kanë shkulur pllakat e trotuarit dhe i kanë hedhur në mes të rrugës.
Kanë nisur tensionet e para në protestën para Ministrisë së Arsimit. Protestuesit me maska shkulën kangjellat e trotuarit pranë godinës së ministrisë dhe i vendosin në mes të rrugës.
Një protestues i maskuar është ngjitur mbi murin rrethues të Ministrisë së Arsimit, duke valëvitur flamurin ‘autokton’.
Në ditën e pestë të protestës para Ministrisë së Arsimit, shënohet një tjetër moment paqeje mes protestuesve dhe policisë. Një efektiv i ka zgjatur dorën një protestuesi të maskuar, ndërsa deri më tani tubimi po zhvillohet pa incidente.
Një protestues është përplasur verbalisht me një grup policësh, duke u kërkuar llogari për një episod të regjistruar gjatë ditës së djeshme, kur një efektiv shtyu me forcë një protestues 21-vjeçar. Ky i fundit vijon të jetë i shtruar në spital, në repartin e Neurokirurgjisë.
“Ku është komandanti? Të vijë të marrë përgjegjësinë për vartësin e vet që hodhi dikë në rrugë. Komandant? Nuk duhet të rrihen njerëzit. I keni arrestuar fëmijët pa të drejtë fare, duke ecur rrugëve”, u shpreh protestuesi.
-
Institucionet ne gjith vendin duhet ti mbroj ushtria ndersa policia te vendos rendin.Vendi po shkaterrohwt per interesa pushteti.Duhet nje qeveri mbarkombetare sa nuk esht vone.
Përgjigju -
Mvje keq për venin si o katansi në kte far feje.Sipas menimit tim e me ça kam dëgju ktu luhet leju modh.Jan pagu jasht mase shum njerëz vetëm për të kriju rrëmuja. Po të duan TV nrejn drron dhe shikojn kush bo rrëmujën e kush u del ballë grupit. Kan fut kalamoj legena nga 15-16 vjeç që si kap ligji fhe bojn katrahur.Rama ka faj që sjep direktiva të qarta për zbythje të protestuesve
Përgjigju -
Ore a ka ndojeri me mend ne koke ne kte shtet qe ti flasi ketij lunatiku,si more nxjerr forcat Renea ne terren.Behuni more njeri burra se e mori lumi vendin.
Përgjigju -
Po mirë po këta policat nuk janë njerëz që kanë një familje? Duket hapur që kjo protestë lindi për të zhdukur atë protestën paqësore të Flamingove sepse po i merrte skenën! Opozita nga ajo që nuk mund të mblidhte njerëz për të protestuar fillojë gjenë që di të bëjë më mirë, dmth të shkatërrojë, të thyejë e të krijojë kaos. Berisha monstër ka qenë dhe monstër do ngeli tërë jetën, bashkë me shokët e tij që bërtasin Tokë e zanun!
Përgjigju -
ore ka shtet ti qi robte ketyre ti mari zvarre e ti fuse nga nje molotov ke goja tek e tek? Shkerdhata njerez…ju shofte Zoti faren…skeni c‘i beni samarit e i bini gomarit? ptu rrace poshter antishqiptare…nxirri ushtrine ti kypin me bota siper e te na lene rehat se na cane trapin. Ku shkojne taxat e mia e te tjereve?nxirrni renean ushtrine dhe shkaterroini keto mostra qe jane gati te vrasin nene babe moter e vella…
Përgjigju -
a pastrohen guret ne bulevard naten...ato duhet te ruhen sepse. duhet te rivendosen kkur te qetesohet situata.....
Përgjigju -
ZJARRFIKESET DHE AMLBULANCAT DUHET TE JENE TE PRANISHME NON-STOP AFER PROTESTES....PEF TE SHUAR ZJARRET DHE PER NDIHME SHENDETSORE....
Përgjigju -
Po mirë çtë keqe e çfarë dëmi bënë plumdi i gomës n.q.se ëshfë e vërtet për një veprim të tillë,në raport me gurët e molotovët që hidhen ndaj,policis?E me sa shohë nga fotot më duket si i kuq buzësh.Lajmi duhet të ketë dy burime informacioni.
Përgjigju -
Ku eshte problemi. Kaloi protesta nga mangesi ne shendetesi e cmime te larta età, ne pjesen qe amare in rroga te larta sapo dalin nga shkolla. Hajde bejeni shkollen ne Itali qe mbas masterit per disa vjet smerr rroge por rimbursim te shpenzimeve. Nuk fitohen gjerat me dhune e duke demtuar ate qe nuk e keni paguar ju.
Përgjigju -
po si ka mundesi qe nuk arin asnje televizion te ngrej nje dron per te pare pjesmarjen ne protest. Duket qe njerzit edhe bizneset po jetojne me frike.
Përgjigju -
Ky djali pretendoka shume doka rroge te larte sapo ka dale nga bankat e sholles edhe, ktu kur fillon pune e fillon edhe me 300 euro me kalimin e viteve ngrihet rroga
Përgjigju












Komente
Komento