16 protestues në total janë lënduar nga përplasjet me policinë ditën e sotme. Kamera e Report Tv ka arritur të fokusojë disa raste kur është nevojitur edhe ndihma e bluzave të bardha.
Fillimisht, një protestues i moshuar, i cili shihej duke mbajtur me një shami pjesën e syrit, ndërsa këmisha i ishte mbuluar me njolla gjaku.
Po në sy, edhe një protestues tjetër, i gjakosur në fytyrë dhe i shtrirë në tokë, duke marrë ndihmën e parë.
Rasti më shqetësues ishte i një zotërie që humbi ndjenjat. Atij iu dha menjëherë ndihma e parë nga të tjerë të pranishëm aty dhe më pas u dërgua në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe nën monitorim.
Një djalë u pa gjithashtu i lënduar në afërsi të syrit prej goditjes së një bombole gazi lotsjellës.
Një protestues ka marrë lëndim në sy, ku shihet edhe i gjakosur. Ai është i shtrirë në tokë dhe po merr ndihmën e parë. Ende nuk dihen rrethanat sesi ka ndodhur plagosja e protestuesit.
Protestuesi i moshuar i cili pak më parë humbi ndjenjat dhe u transportua në spital, është i vetëdijshëm dhe jashtë rrezikut. Duket se ai pyetet për familjarët e tij dhe përgjigjet se ndodhen në Athinë.
“Nuk i kam në Shqipëri, i kam në Athinë”, dëgjohet të thotë ai.
Sipas mjekut të Urgjencës në QSUT, Euglert Karriqi, pacienti është i vetëdijshëm, pa deficite neurologjike dhe me parametra jetësorë të qëndrueshëm. Aktualisht ndodhet nën monitorim mjekësor, po merr trajtim mbështetës dhe po i nënshtrohet ekzaminimeve të nevojshme.

Një protestuese është lënduar nga spray me piper. Ajo është shtrirë në tokë duke qarë e bërtitur, ndërsa pranë i gjendet një vajzë që mban në dorë ujë fiziologjik.
Një protestues i moshuar është shtrirë në tokë dhe ka humbur vetëdijen. Pamjet janë mjaft të rënda, ndërsa pranë tij ka protestues të tjerë që po përpiqen ta ndihmojnë duke i dhënë ndihmën e parë. Dyshimet janë se shkak është bërë gazi lotsjellës, por ende s’është e qartë çfarë e ka përkeqësuar gjendjen e tij.
Protestuesi sapo është larguar me ambulancë.
Një protestues i moshuar dhe një polic janë lënduar nga përplasjet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit.” Protestuesi duket të jetë lënduar në sy, ndërsa polici në këmbë pasi vihet re se çalon.
Për të qetësuar tensionet, vihet re se policia përpiqet t’i shtyjë drejt urës së Lanës, e më pas tërhiqet.
Deri më tani nuk ka raste shoqërimesh të protestuesve me maska, por vetëm 2 të shoqëruar që kanë qenë pa maskë dhe duke mos kryer ndonjë veprim konkret.

Ambulanca është afruar pranë protestuesve, pasi një prej tyre është lënduar. Shkak ka qenë një prej bombolave të gazit lotsjellës që i ka rënë në afërsi të syrit dhe e ka gjakosur.
Vihet re se policia po bën disa hapa pas, drejt kryeministrisë.












Komente
Komento