Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar sërish për situatën e krijuar nga protestat e dhunshme në Tiranë.
Përmes një video-mesazhi, Demo ka paralajmëruar protestuesit që të ndalin aktet e dhunës, pasi sipas tij do të përballen me forcën e ligjit.
Demo ka njoftuar pezullimin nga detyra të dy efektivëve të Policisë dhe po ashtu ka kërkuar nga Policia përdorimin në mënyrë proporcionale të forcës kundrejt protestuesve. Njëri prej rasteve për të cilin flet Demo, është një moment kur efektivët e Policisë sulmojnë një protestues që po qëndronte pa lëvizur në këmbë dhe e rrëzojnë në tokë.
Sipas tij, 'Policia e Shtetit për 3 ditë rresht është gjendur përballë një situate të vështirë, ku forca të errëta kanë përdorur militantë, mercenarë dhe, çfarë është më e keqja, minorenë, duke i nxitur ata drejt akteve të dhunës ekstreme ndaj Policisë, institucioneve dhe bizneseve e pronës private.'
Reagimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo:
Jam njohur sot me dy raste të tejkalimit të kompetencave nga ana e forcave të Policisë, nëpërmjet pamjeve, të cilat janë bërë publike edhe në media apo rrjetet sociale. Menjëherë kam kërkuar nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, marrjen e masave duke u referuar verifikimeve të domosdoshme.
Falënderoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për masat e pezullimit të 2 punonjësve në fjalë.
Policia e Shtetit për 3 ditë rresht është gjendur përballë një situate të vështirë, ku forca të errëta kanë përdorur militantë, mercenarë dhe, çfarë është më e keqja, minorenë, duke i nxitur ata drejt akteve të dhunës ekstreme ndaj Policisë, institucioneve dhe bizneseve e pronës private.
Kam kërkuar përgjatë gjithë kohës, që përgjigjja e Policisë të ishte proporcionale dhe të mos tejkalonte asnjëherë caqet e vendosura nga ligji, ashtu siç kam kërkuar hetim dhe ndëshkim për çdo dhunues e shkelës të ligjit. Por ligji absolutisht do të jetë i barabartë për të gjithë, si për ata që, të motivuar politikisht, dhunojnë me synimin për të krijuar kaos në Shqipëri, ashtu edhe për uniformat të cilat tejkalojnë kompetencat e ligjit.
Profesionalizmi i Policisë së Shtetit matet jo vetëm me aftësinë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, por edhe me respektimin e ligjit dhe dinjitetit të çdo qytetari. Për këtë kam qenë dhe jam shumë i qartë dhe çdo shkelje e konstatuar do të marrë përgjigjen e merituar në përputhje me ligjin.
Dua sot të bëj edhe një apel mbi të gjitha për prindërit e atyre minorenëve, të cilët marrin pjesë në aktet e dhunshme. Flisni me fëmijët, mos i lejoni ata të përdoren nga politika e mbrapshtë dhe as të rriten duke u edukuar se rruga për të fituar kalon nëpërmjet dhunës!
Edhe njëherë, dua të siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se shteti i së drejtës do të triumfojë dhe siguria dhe rendi publik do të garantohen!
Dy punonjës policie janë pezulluar menjëherë nga detyra pas publikimit të videove në rrjetet sociale, ku shfaqen duke tejkaluar kompetencat dhe parimin e proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në protestën e zhvilluar në Tiranë.
Vendimi është marrë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Efektivët e pezulluar janë inspektorët E. P. dhe T. Ç., të dy pjesë e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin Nr. 3 në Tiranë.
Krahas pezullimit, Hita ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale të nisë menjëherë hetimin disiplinor ndaj dy punonjësve të policisë.
Në reagimin zyrtar, Policia e Shtetit thekson se nuk do të tolerojë asnjë rast dhune apo tejkalimi të detyrës nga efektivët e saj.
“Përgjegjësia është individuale, por veprime të tilla cenojnë rëndë imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë
" Menjëherë pas publikimit të videove në rrjetet sociale, ku shfaqen dy punonjës policie në tejkalim të detyrës dhe të parimit të proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në tubimin e zhvilluar në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të dy punonjësve të Policisë, konkretisht: Inspektor E. P. dhe inspektor T. Ç., me detyrë në Patrullën e Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë. Njëkohësisht, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor për dy punonjësit e Policisë. Policia e Shtetit garanton qytetarët se nuk do të tolerojë asnjë rast dhune apo tejkalimi të detyrës nga ana e punonjësve të Policisë. Përgjegjësia është individuale, por veprime të tilla cenojnë rëndë imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve"









Komente
Komento