Me thirrje kundër qeverisë, të rinjtë e Shkodrës, mes tyre edhe fëmijë të vegjël, marshuan në rrugët e qytetit, duke djegur kazanet.
Fillimisht u ndalën para bashkisë, mëe pas iu drejtuan komisariatit, ku kërkuan lirimin e të ndaluarve. Policia liroi 5 të ndaluarit, mes tyre, fëmijë 10-vjeçarë. Protestuesit u rikthyen sërish para bashkisë.
Në Durrës, protesta u shoqërua me akte dhune. Një grup të rinjsh thyen xhamat te Posta Shqiptare.
Protestuesit e konsiderojnë simbol të vjedhjes, pas skandalit të së paku 700 mijë eurove për të cilat akuzohet ish drejtoresha e Postës. U kryen disa shoqërime, ndërsa protestuesit e tjerë u ulën këmbëkryq para policisë, duke kërkuar lirimin e të ndaluarve.
Ndërkohë, gjykata caktoi masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për dy të mitur të arrestuar dy ditë më parë.
Në Korçë, një grup i vogël rinjsh marshuan në pedonalen e qytetit, me thirrjet “Bashkohuni me ne” dhe “Edi Rama, jep dorëheqjen”.
Protestës iu bashkua Leonidha Puqi, mësues në gjimnazin “Themistokli Gërmenji”, i cili u bëri thirrje të shmangin aktet e dhunës dhe të vijojnë protestën në mënyrë paqësore.
Në Elbasan, të rinjtë dogjën kazanët e thyen tabelat në rrugët e qytetit.
Tensionet u zbutën para bashkisë, ku protestuesit dhe efektivët u përqafuan. Ky moment shënoi edhe fundin e protestës.
Policia ka liruar protestuesit e shoqëruar në Shkodër, mes tyre një fëmijë 10 vjeç. Ndërkohë protesta ka vijuar, ku protestuesit kanë dhe rrëzuar dhe djegur kazanët e mbeturinave në rrugë, si dhe kanë thyer tabela.
Marshimi vijon, ndërsa protestuesit raportohet se janë nisur drejt Bashkisë.
Një grup të rinjsh po marshojnë në pedonalen e Korçës me thirrjet “Bashkohuni me ne” dhe “Edi Rama, jep dorëheqjen”. Protestës i është bashkuar edhe mësuesi i gjimnazit “Themistokli Gërmenji”, Leonidha Puqi.
Ai thotë se e kanë ftuar vetë nxënësit, ndërsa u bën thirrje të protestojnë paqësisht, pa shkaktuar dëme.
Protesta e të rinjve në Elbasan nisi me një numër dukshëm më të ulët pjesëmarrësish, krahasuar me tubimet e mëparshme. Të rinjtë kanë marshuar në rrugët e qytetit, duke hedhur thirrje kundër kryeministrit Edi Rama: “Rama, jep dorëheqjen” dhe “Ngrihuni nga kafja”.
Më pas shkuan te Bashkia, ku pati një moment paqeje mes policëve dhe protestuesve, kryesisht fëmijë dhe adoleshentë. Nuk munguan as përqafimet dhe një foto e përbashkët në shkallët e Bashkisë.
Protesta në Durrës nisi me revansh. Një grup të rinjsh dëmtuan fasadën prej xhami të Postës Shqiptare. Rreth 50-60 të rinj u grumbulluan fillimisht pranë Pallatit të Kulturës, vijuan marshimin drejt Mauzoleut të Dëshmorëve dhe më pas drejt Postës, ku përmbysën disa kosha mbeturinash dhe goditën derën e institucionit.
Kjo është hera e dyte qe goditet Posta, të cilët e konsiderojnë simbol të vjedhjes. Kujtojmë se në hetim për vjedhjen e 700 mijë eurove janë ish-drejtoresha dhe disa punonjëse të institucionit.
Sakaq, policia ka nisur shoqërimet e të rinjve protestues.












Komente
Komento