Deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri, i vetmi ndër dy deputetët e opozitës që nuk bojkotuan parlamentin për rezolutën e Iranit, tha se kjo rezolutë është servile dhe thjesht për të shpëtuar fatin politik të Ramës.
“Kjo rezolutë do të merrte shumë kuptim nëse kjo qeveri do të ishte vërtet perëndimore e do të sillej si perëndimore para se të sillte rezoluta servile si kjo, që kanë vlerë për t’i thënë botës që Shqipëria është pjesë e perëndimit, por ne e kuptojmë që është thjesht për të shpëtuar fatin politik të Edi Ramës në atë që do të ndodhë së shpejti dhe nevoja për t’u treguar sa më servilë, na bën të sjellim rezoluta të tilla. Është shumë qesharake kur mendon një rezolutë kundër Iranit dhe Irani na ka sulmuar parlamentin madje dhe asnjë nga mazhoranca nuk kërkon mbledhje të këshillit të sigurisë kombëtare. Nëse do e kërkojnë, do të kuptojnë që çfarë i kemi bërë vetes, nuk na e ka bërë Irani”, tha Kapri.
Njësoj si Agron Shehaj, Kapri ngriti zërin për protestat e banorëve të Rrjollit kundër ndërtimit të resortit të botuesit Bashkim Ulaj. Deputeti nënvizoi dhunën ndaj banorëve duke e krahasuar policinë me Pasdaranët e Iranit. Kapri tha edhe se nëse Shqipëria do të orientohej nga perëndimi, nuk do t’i ofronte mbrojtje politike Ballukut.
“Ka dy muaj që ndodh një protestë në një fshat katolik të Shqipërisë për të drejtën e pronës. E keni parë sesi policë privatë me kapuçë të zinj dhe shkopa gome rrahin banorët tamam si gardianë iranianë islamikë? Asnjeri nuk ka folur për këtë dhe janë çuar për të drejtën e pronës e ju flisni për një Shqipëri perëndimore. Çmimi i naftës rritet pa u bllokuar Ngushtica e Hormuzit apo njerëzit dhunohen se ecin me monopatina dhe ç’është më e rënda, po fole për të drejtat e njerëzve, përjashtohesh nga parlamenti! Kjo s’është Shqipëri perëndimore! Nëse do të ishim vend perëndimor, nuk do të vendosnim mbrojtje politike siç bëtë me Ballukun. Shqipëria sot është më larg nga perëndimi se asnjëherë më përpara dhe kjo bëhet vetëm për fatin politik të Edi Ramës që tashmë ka vendosur që integrimi i Shqipërisë të mos kalojë nga Brukseli, por nga Beogradi”, përfundoi deputeti.
Lajmi kryesor:
Shqipëria shpall Iranin shtet sponsor të terrorizmit, rezoluta e PS miratohet me 79 vota pro! PD nuk merr pjesë në seancë








