Një protestë e pazakontë është zhvilluar sot në Tiranë, ku dhjetëra aktivistë dhe mbështetës të teorive konspirative marshuan kundër vaksinës së koronaviursit, të cilët e cilësuan si një mjet të elitave për të kontrolluar popullsinë.

Protestuesit përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit" hodhën parulla kundër vaksinimit të detyrueshëm ndaj COVID-19. Sipas tyre vaksinë që është duke u përgatitur ka si qëllim injektimin e disa mikroçipave kontrollues në trupat e popullatës.Ata u shprehën edhe kundër karantinës.

“Kjo është një skemë ndërkombëtare në interes të pak familjeve në botë, të cilët dëshirojnë të ulin numrin e popullsisë në botë për ta kontrolluar më mirë dhe për të mikroçipuar popullsinë, nëpërmjet një vaksine me nanothërmija dhe nëpërmjet sistemit 5G – që duan të na fusin në trup nëpërmjet kësaj vaksinës”,  u shpreh Alfred Cako,  botues librash konspirativë dhe njëkohësisht njëri prej organizatorëve të protestës.

Teknologjia 5G fajësohet për përhapjen e shpejtë të COVID-19 dhe ata që e avancojnë këtë teori konspirative besojnë se kjo frekuencë degradon sistemin imunitar dhe se rreziqet po mbulohen nga forca të fuqishme në industrinë globale të telekomunikacionit.

Në Shqipëri, që nga shpërthimi i epidemisë koronavirusi i ri ka prekur 1164 persona, nga të cilët 33 kanë humbur jetën, 891 janë shëruar dhe 240 raste janë aktive