TIRANE - Mjaft i ashpër ka qenë përfaqësuesi i biznesmenëve Nikollaq Neranxi me Bashkinë e Tiranës por edhe me pushtetin qendror. Gjatë protestës që u mbajt këtë të martë para bashkisë së kryeqytetit, Neranxi i cilëson taksat e larta si gjoba, ndërsa bashkinë dhe pushtetin qendror, si gjobëvënës.

Unë bëj thirrje Erjonit  ktheni mbrapa supergjobat, supertaksat se për ndryshe do të ketë pasoja të rënda”, - paralajmaëroi Neranxi në fjalën e tij gjatë protestës para bashkisë.

Protesta u mbajt kundër rritjes së tarifës  për zënien e hapësirës publike si dhe për taksat e tjera.  Sipas tyre paketa fiskale e bashkisë po sjell falimentimin e biznesit te vogël.

Ja cfare deklaroi Neranxi para protestuesve
"Të nderuar tregtarë e biznesmenë, njerëz të lirë, të sipërmarrjes së lirë që duan t'ju robërojnë me çdo kusht. Si Kryetar i Shoqatës së Tregtarëve, kam ardhur t'ju them, mos u demoralizoni! Asnjë lloj pushteti nuk është më i fortë se ne, nëse do të jemi të bashkuar dhe do të dimë si t'i kërkojmë të drejtat tona. Të drejtat që na i sanksionon Kushtetuta e një vendi të lirë e demokratik, një fakt ky shumë e rëndësishëm të cilën politikanët tanë e harrojnë sapo marrin pushtetin.
 
Taksat skandaloze vendore të shumfishuara si dhe shpikja e taksave të reja, mua personalisht nuk më çudisin aspak, sepse kam kuptuar çfarë programi kanë me ne, si pushteti qendror ashtu edhe ai vendor. Pasi bënë ligjin e supergjobave që të na shkatërronin, ndryshimet në kodin penal për të na çuar në burg, tani i erdhi rradha supergjobave të bashkisë. Them supergjoba, sepse këto taksa nuk mund të quhen. Në çdo vend normal të botës së lirë, në fillim bëhet një studim se si do të rriten taksat dhe tatimet, shihet se sa rritet puna jonë, në çfarë shifrash, dhe në mënyrë propocionale, pushteti qendror dhe ai lokal fillon dhe rrit taksat. Ndërsa në këtë vend, rriten taksat dhe çdo lloj detyrimi tjetër ndaj shtetit, pa asnjë logjikë, duke shkelur njërin nga parimet e rëndësishme kushtetuese, atë të propocionalitetit. Këtu, askush nuk pyet se si i kemi ne hallet, askush nuk sheh bilancet tona që dalin çdo vit e më keq, kemi një shtet që na shërben gjithnjë e më pak, por mjafton që t'i teket Aldrin Dalipit dhe Erion Veliajt dhe ne do gjobitemi sikur jemi keqbërësit e këtij vendi, jo ata që e mbajmë këtë vend në këmbë me taksat tona duke punësuar kaq shumë njerëz.
 
Unë e di që ju prisni t'ju them se çfarë do bëjmë ne si shoqatë për ta rregulluar këtë punë, sepse asnjëri prej jush nuk don të paguajë gjoba të stërritura dhe shpikje gjobash të reja që nuk kanë qenë më parë. Tatimet ose gjobat e Aldrinit dhe Erjonit, shoqata jonë do t'i çojë në Gjykatë Administrative, por kjo situatë po kthehet në absurd. Ne çuam në Kushtetuese ligjin e supergjobave dhe atë burgut për sipërmarrësit, tani do çojmë atë të taksave vendore, po deri kur do ecim kështu? Këta njerëz që ne i zgjodhëm për të na shërbyer, janë kthyer kundër nesh, janë kthyer në armiqtë tanë.  Ata kërkojnë falimentimin tonë që të krijojnë klasën e sipërmarrësve të tyre, me paratë e korrupsionit. Por ne ju themi, e keni gabim zotërinj, sepse në radhë të parë, për të qenë sipërmarrës nuk mjafton të kesh vetëm para, por duhet të kesh vizion, dëshirë për punë dhe shumë cilësi të tjera të cilët hajdutët dhe të korruptuarit nuk i kanë, kështu që ju në këtë rrugë do dështoni. Por ne nuk do ju lëmë as ta provoni, sepse ne jemi forcë e madhe, prandaj iu themi, mos luftoni tregtarët e ndershëm, ata që kur kishit nevojë për votën e tyre, iu shkuat derë më derë. Por ne që ju votuam, do ju rrëzojë më shpejt nga ç'e imagjinoni! Ju nuk e dini forcën tonë! Mos na vini para sprovave të tilla,  por punoni mirë dhe na lini të punojmë! Veliaj dhe Dalipi, do të ishte në nderin tuaj që të zhbënit super tatimet që në fakt janë veçse supergjoba dhe kthejini siç ishin, përndryshe merrni parasysh pasojat që do keni më pas! Faleminderit!" 

Redaksia Online
(Gre.MShqiptarja.com)