Një grup i vogël studentësh nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, të cilët kanë vijuar protestën ndaj plotësimit të kërkesave të parashtruar, janë përplasur këtë të mërkurë me rektorin Bahri Musabelliu

Në një video e cila është shpërndarë nga Lëvizja për Universitetin, rektori Musabelliu shfaqet tejet i tensionuar ndaj studentëve protestues e më tej shihet sesi revoltohet teksa një prej tyre e cilëson si "shërbëtor" të tij. 

Ndërkohë, përmbi videos së publikuar, rektori Bahri Musabelliu epiketohet si tradhtar e njëkohësisht si burokrat garip që për të shlyer fajet e tij shet studentët. 

Krahas studentëve të Universitetit të Bujqësorit, kanë vijuar protestën edhe grupe të tjera studentësh nga universitete të ndryshme të Tiranës. Edhe sot, ata kanë bojkotuar mësimin e kanë marshuar drejt Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë me pankarta dhe tymuese në duar.

Studentët paralajmëruan se do të mblidhen edhe para Presidencës dhe Ambasadës Amerikane, me argumentin se kërkesat e tyre nuk janë plotësuar sikurse është deklaruar nga qeveria përmes miratimit të Paketës për Universitetin. (Lexo këtu)