Protesta qytetare ka vijuar sot me tubimin përpara zyrës së kryeministrit Edi Rama në ditën e 28-të. Tashmë janë artikuluar në shesh 5 kërkesat drejtuar qeverisë, duke nisur nga dorëheqja e kryeministrit dhe qeverisë, te krijimi i një qeverie teknokrate kalimtare, te një reformë kushtetuese e cila të përfshijë ndryshimin e Kodit Zgjedhor, të ligjit për financimin e partive dhe kufizimin në vetëm dy mandate për kryeministrin.

Disa prej emrave të përfaqësuesve të protestës u bënë publik për shkak të një letre drejtuar përfaqësive diplomatike në Tiranë, e konsideruar kjo si lëvizja e parë zyrtare e ndërmarrë për këtë protestë.

Një prej aktivisteve, pjesë e grupit organizator, Sidorela Vatkinaj, në një lidhje live në mesin e turmës në protestë, tha se disa prej organizatorëve e kanë firmosur letrën drejtuar ambasadave, si një veprim për tu marrë në mbrojtje për shkak të kërcënimeve apo intimidimeve që ajo pretendon se kanë marrë nga përfshirja në protestë.

“Është firmosur kryesisht nga disa persona të cilët për arsye të sigurisë së tyre fizike kanë dashur që të identifikohen, por kjo nuk lidhet me krijimin e një grupi drejtues apo koordinues. ka qenë vetëm frika e tyre për shkak se kanë marrë kërcënime ata apo fëmijët, familjarët e tyre të ngushtë që i ka bërë t'i drejtohen përfaqësive diplomatike në Tiranë me emrat e tyre personal, por që sigurisht nuk përfaqësojnë një grup të organizuar apo një grup që po koordinon apo po vendos për protestën”, tha ajo.

Vetë Vatnikaj nuk e ka firmosur, duke thënë se “Për mua informacioni që është dhënë selive diplomatike është dhënë nga sheshi. Sigurisht nuk ka asnjë gjë të keqe të drejtohesh me një letër, por nuk e kam parë të arsyeshme”.

Në studio e ftuar ishte dhe aktivistja Etleva Merko, e cila është një prej 13 firmëtarëve të letrës publike. Vetë ajo nuk flet për kërcënime apo intimidime.

“Tani unë jam një nga ato që e ka firmosur dhe unë realisht e kam bërë për të qenë më zyrtarisht një shkresë, mos të mos të mbetej thjesht fjalët që ne flasim vetëm në atë shesh, por të bëj më zyrtare duke shkuar në të gjitha ambasadat dhe sepse normalisht primare për ne është suporti i ndërkombëtarëve dhe duke u bërë diçka zyrtare menduam se shkresa do të ishte më konkrete duke e dërguar në të gjitha institucionet që ë i përkasin ndërkombëtarëve, pra të gjitha ambasadat. Unë personalisht nuk kam marrë asnjë presion. Nuk kam marrë asnjë kërcënim, nuk e di për pjesën absolutisht jo. Nuk e di për pjesën tjetër”, tha Merko.

Kërkesat e qytetarëve fillimisht janë artikuluar nga podiumi i protestës nga Dritan Goxhaj, një mbështetës i regjimit iranian, ndërsa Vatnikaj tha se leximi i pikave drejtuar qeverisë, u takon të gjithëve e nuk ka përzgjedhje apo veçim.

“Pikat janë lexuar rastësisht nga aktivistë të ndryshëm ditë pas dite. Ka qëlluar që i kam lexuar unë, i kanë lexuar aktivistë të tjerë, i kanë artikuluar qytetarë që kanë ardhur nga sheshi, janë pesë pika. Jo të dala të kontrolluara nga një grupim, por janë kërkesat e qytetarëve të dala prej katër javësh tani”, tha Vatnikaj.

Pyetjes sesi kjo protestë do të vijojë në rast se Rama refuzon të japë dorëheqjen, Vatnikaj përgjigjet se askush do të largohet nga sheshi deri në realizimin e tyre.