Protesta për shkollën, pas 6 orësh bllokim dhe konfrontim me policinë hapet rruga Elbasan-Librazhd (VIDEO)

ELBASAN-Pas 6 orësh bllokim dhe konfrontim me policinë është hapur rruga Elbasan-Librazhd. Mbyllja e shkollës 9-vjeçare në fshatin Mengël të Elbasanit me urdhër të Drejtorisë Arsimore, për efekt rikonstruksioni ngriti në protestë prindërit dhe nxënësit.

Lirimi i rrugës 

Prej tre javësh me radhë ata protestuan përpara ambienteve të shkollës për hapjen e saj, ndërsa ditën e sotme bllokuan aksin nacional Elbasan-Librazhd, duke paralizuar qarkullimin e automjeteve prej orës 12:30 minuta deri në orën 18:00. Ata lejuan që të kalojë vetëm ambulanca, ndërsa radha e makinave në rrugë ishte kilometrike.

Policia dhe drejtuesit e automjeteve ndërhynë për hapjen e rrugës por hasën në rezistencën e protestuesve të shumtë, ku nuk munguan as konfrontimet fizike, ndërsa njëri nga nxënësit u shpreh se njëri nga efektivët e qëlloi në kokë. Policia ka shoqëruar disa nga protestuesit për kundërshtim të uniformave blu. Në vendin ku u zhvillua protesta shkoi edhe shefi i policisë së Elbasanit Altin Qato dhe Nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit. Ky i fundit nuk ka arritur të shpreh asgjë pasi nuk është pranuar të flasë nga ana e banorëve, ndërsa ka akuzuar se protesta është politike.

Banorët shprehen të vendosur në vazhdimin e protestës deri sa shkolla e fshatit të tyre të fillojë nga rikonstruksioni dhe nëse nesër nuk do të fillojnë punimet do të rinisin protestën. Protestës së sotme iu bashkua edhe deputeti i PD Luçiano Boçi, i cili është shprehur se veprimi i policisë ndaj fëmijëve është i papranueshëm. Por Taulant Balla reagoi me anë të një statusi në Facebook duke akuzuar PD se po përdor fëmijët si mish për top për politikë, ndërsa ka njoftuar se nesër do të fillojnë punimet në shkollë.

Shkolla 9-vjeçare e fshatit Mengël ka rreth 300 nxënës. Ajo u mbyll me urdhër të Drejtorisë Arsimore Rajonale, pasi ndërtesa ka dalë jashtë funksionit për shkak të amortizimit. Edhe vetë kryebashkiaku i Elbasanit Qazim Sejdini premtoi se punimet për shkollën do fillojnë shumë shpejt.Por prindërit dhe nxënësit këmbëngulin se shkolla nuk ka dëmtime, ndërsa ndryshe nga sa u premtua, nuk kanë nisur as punimet. Për prindërit, dërgimi i nxënësve në një shkollë tjetër rreth 3 km larg, edhe pse transporti do paguhet nga Bashkia, paraqet rreziqe sidomos për nxënësit e fillores të cilëve do t'u duhet të udhëtojnë me autobus.

Një përmbledhje e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:18
Protesta në Elbasan, nxënësi në lot: Polici më qëlloi në kokë (VIDEO)

Protesta në fshatin Mengël të Elbasanit është shoqëruar me tensione dhe shtyrje mes prindërve e nxënësve me policinë, që po tentonte që të hapte rrugën Elbasan-Librazhd që u bllokua. Njëri nga nxënësit e shkollës 9-vjeçare thotë se është qëlluar në kokë nga policët. “Më gjuajti polici te koka” thotë fëmija duke qarë.

Mbyllja e shkollës për efekt rikonstruksioni ngriti në protestë prindërit dhe mësuesit. Prej tre javësh me radhë ata protestuan përpara ambienteve të shkollës për hapjen e saj, ndërsa ditën e sotme kanë bllokuar aksin nacional Elbasan-Librazhd, duke paralizuar qarkullimin e automjeteve.

Në mesin e protestuesve janë edhe deputetët e PD të Qarkut të Elbasanit. Edhe mbërritja e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) nuk i ka dhënë zgjidhje situatës pasi prindërit dhe nxënësit nuk janë larguar nga rruga.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën