Protesta/ Studentët zhvendosen te kryeministria, shumica rrëzon amendamentet e LSI-së për arsimin

TIRANE - Qindra studentë e kanë zhvendosur protestën përballë selisë së kryeministrisë, pasi protestuan rreth tri orë përpara Parlamentit, ku u zhvillua seanca plenare e të enjtes. Në ditën e 10-të të protestës, ata e spostuan protestën nga Kryeministria dhe Ministria e Arsimit, përpara godinës ku do të diskutohej për amendamentet e dorëzuara nga LSI-ja për arsimin, të cilat u rrëzuan nga shumica parlamentare.

Studentët protestuar dje deri në orët e vona të mbrëmjes përpara Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit. Ata i kanë adresuar qeverisë një listë me tetë kërkesa, ndërsa kanë paralajmëruar se pa realizimin e tyre nuk do të tërhiqen nga protesta. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka ofruar më shumë sesa studentët kanë kërkuar, por për realizimin e tyre ka ftuar studentët në dialog, ftesë e cila vijon të refuzohet nga ata. Edhe sot nga foltorja e Kuvendit, Rama tha se është gati që të plotësojë tetë kërkesat e opozitës por më parë duhet dialog në mënyrë që të ketë përgjegjës edhe për zbatimin e tyre. (Lexo këtu)  

Kërkesat e fundit/ Letra drejtuar Ramës, Ruçit e Nikollës nga Këshillat Studentorë/ Datë 9 Dhjetor

1. Rritja e buxhetit në 5% e GDB me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për cdo nivel studimi, përmirësim e mësimdhënies dhe infrastrukturës (universitete dhe konvikte).
2.Transparence me buxhetin nga ministria e Arsimit dhe IAL-ve, publikimi të gjitha shpenzimeve online
3.Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekanë, rektorë dhe cdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.
4. Rishikimi i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.
5.Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat Studentore, ligji i arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që bordi i administrimit të IAL-eve të ketë numër të barabartë votash si nga MAS dhe IAL-t si edhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
6.Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e studentit brenda vitit akademik 2018-19
7.Ndërtimi i bibliotekave me starndarde europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.
8.Vlerësimi i performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikimi i tij online dhe regjistrimi i leksioneve.

Kërkesat e para të studentëve (lexo këtu)
Kërkesat e dyta të studentëve (lexo këtu)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:50
Studentët te Kryeministria ndezin zjarr (FOTO)
Ora 18:57
‘Qënka nona ai që ka bërë këtë tallje’, Rama poston foto me flokë të thinjur ende në pritje të studentëve

Kryeministri Edi Rama ka vijuar me kërkesën për dialog ndaj studentëve, që prej 10 ditësh protestojnë për 8 pika që sipas tyre do të përmirësojnë kushtet e universiteteve. Në foton e fundit të postuar në Instagram, Rama është me mjekër dhe me flokë të thinjur duke nënkuptuar se ende pret studentët për dialog. 

“Qënka nona ai që ka bërë këtë tallje”,-shkruan Rama krah fotos. 

Gjatë kërkesave të njëpasnjëshme për dialog kryeministri Edi Rama ka ofruar më shumë pika për tu realizuar sesa studentët kanë kërkuar në protestën e tyre, por për plotësimin e tyre ka ftuar studentët në dialog, ftesë e cila vijon të refuzohet nga ata.

Ora 16:34
Mësuesja e gjermanishtes në protestë: Ofroj kurse falas, për politikanët dhe qeverinë

Në mesin e studentëve që po protestojnë përpara Kryeministrisë edhe sot, në ditën e dhjetë të protestës, janë vënë re pankarta mjaft interesante e ironike. Por kësaj radhe, pankartat mbahen të ngritura lart nga një mësuese e gjuhës gjermane.

Në njërën pankartë ajo shkruan: “Të dashur studentë që synoni Gjermaninë, po të ketë qeveri të drejtë edhe Shqipëria bëhet Gjermani. Ndërsa gjuha komike vihet re tek ajo e dyta, ku shkruhet: "Ofroj kurse gjermanishteje falas, për politikanët dhe qeverinë".

Pankartat e një mësueseje të gjuhës gjermane, në protestën e studentëve
Ora 16:04
‘Pse po na ikin orët pa folur?’, Rama këmbëngul për dialog me studentët

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka postuar një foto në Instagramin e tij, ku shkruan: “Pse po na ikin orët pa folur?”. Reagim ky që vjen pas refuzimit të studentëve për të nisur dialogun lidhur me tetë pikat për të cilat protestojnë prej 10 ditësh. 

Postimi i Ramës në Instagram 

Gjatë kërkesave për dialog kryeministri Edi Rama ka ofruar më shumë pika për tu realizuar sesa studentët kanë kërkuar në protestën e tyre, por për plotësimin e tyre ka ftuar studentët në dialog, ftesë e cila vijon të refuzohet nga ata.

Edhe sot nga foltorja e Kuvendit, Rama tha se është gati që të plotësojë tetë kërkesat e opozitës por më parë duhet dialog në mënyrë që të ketë përgjegjës edhe për zbatimin e tyre. (LEXO KËTU

Ora 15:38
ME FOTO/ Studentët grisin pankartat me flamujt e partive opozitare PD e LSI, nuk kursejnë as atë të socialistëve

Studentët duan të theksojnë me cdo kusht se protesta e tyre është e papolitizuar. Me mbylljen e seancës plenare, ata u zhvendosën para Kryeministrisë. Sic shihet edhe në këtë foto të publikuar në rrjetet sociale, të rinjtë kanë grisur pankartat me simbolet e partive politike. Ata kanë grisur pankartat e Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim, por nuk kanë kursyer as ato të Partisë Socialiste.

Studentët duke grisur pankartat e partive politike PD, LSI dhe PS
Ora 14:10
VIDEO-FOTO/Protesta e studentëve zhvendoset para Kryeministrisë, ja përmasat reale (Pamjet nga lart)

Turma e studentëve protestuesë është zhvendosur para Kryeministrisë, pas 4 orëve proteste tek Parlamenti. Shqiptarja.com sjell pamje me dron nga studentët, dhe shihet përmasa e protestës në terren. Studentët protestuan për disa orë para Parlamentit, dhe nuk pranojnë hapjen e një dialogu me qeverinë, pavarësisht këmbënguljes së kryeministrit Edi Rama.

Ora 13:53
Studentët marshojnë drejt Kryeministrisë, fotografohen në Bulevard

Sikurse bënë të ditur pak më parë, studentët i janë drejtuar Kryeministrisë. Duke kaluar përmes "Pedonales", ata janë fotografuar duke marshuar në Bulevard. 

Studentët teksa po marshojnë drejt Kryeministrisë, në Bulevard
Ora 13:41
Studenti 'kundër' turmës, vendos të falet përpara Parlamentit (VIDEO)

Një student protestues, ndryshe nga pjesa tjetër, është filmuar duke u falur përpara Parlamentit. Ai ka zgjedhur që t'i shmanget turmës dhe të falet sikurse e kërkon feja islame. 

Një student duke u falur përpara Parlamentit, ndërkohë që protesta vazhdon
Ora 12:58
Pas protestës tek Kuvendi, studentët do të zhvendosen sërish tek Kryeministria

Prej disa orësh studentët janë duke protestuar para Parlamentit. Gazetari i Report Tv, Dricim Caka pyeti disa nga studentët të cilët deklaruan se me përfundimin e seancës plenare, ata do të zhvendosen sërish para Kryeministrisë, ku protestuan gjatë 2 ditëve të fundit.

Ora 12:55
Studentët në protestë para Kuvendit: Na kanë hequr valët e internetit

Studentët që janë duke protestuar tek Parlamenti, denoncojnë se iu janë hequr valët e internetit në zonën ku po protestojnë. Studentët janë shprehur: “Këta palaco dhe ordinera na kanë shpikur cdo gjë, na kanë hequr valët e internetit. Por ne do t’ja dalim.”-tha njëri nga studentët.

Ora 12:46
Robert Aliaj, studentëve: Keni krijuar diçka shumë të madhe, mbajeni kështu siç është

Artisti kontrovers Robert Aliaj ka qenë edhe sot i pranishëm në protestën e studentëve që po zhvillohet përpara Parlamentit. Ai madje ka folur edhe me megafon, ku i ka bërë thirrje studentëve që të mos heqin dorë nga qëndrimi i tyre. 

"Ndjej kaq shumë energji, qëndroni bashkë, krijoni unitet. I keni që të gjitha, keni perspektivën. Keni krijuar dicka shumë të madhe, mbajeni kështu sic është. Unë do jem midis jush, sepse s'ka zgjidhje tjetër. Cdo gjë do realizohet, cdo gjë", iu drejtua ai studentëve. 

Artisti Robert Aliaj në protestën e studentëve përpara Parlamentit

 

Ora 12:33
Studentëve të Tiranës iu bashkohen edhe ata të Durrësit (VIDEO)

Protestës së studentëve në Tiranë i janë bashkuar edhe studentët e Durrësit. Sikurse shihet nga pamjet, ata kanë mbërritur në kryeqytet vetëm pak momente më parë.

Ora 12:21
Protesta para Parlamentit, Policia shton masat e sigurisë

Në protestën e studentëve që po zhvillohet përpara Parlamentit, Policia ka shtuar masat e sigurisë. Në ditën e dhjetë të protestës, ata vijojnë të kundërshtojnë në mënyrë paqësore kërkesën e kryeministrit Edi Rama për dialog si dhe plotësimin e tetë kërkesave të parashtruara nga vet ata. E megjithatë, pavarësisht mënyrës së tyre të paqtë të të protestuarit, Policia ka shtuar masat e sigurisë për të shmangur cfarëdolloj situate të mundshme. 

Pamje nga protesta e studentëve përpara Parlamentit 
Ora 12:08
Protesta/ Rama-studentëve: Refuzimi në kor i dialogut, dobësi. Mos e mbysni protestën, bëhuni fuqia e ndryshimit

Pas refuzimit të studentëve për të nisur dialogun, ka ardhur edhe reagimi nga kryeministri Edi Rama. Kryeministri Rama, pas fjalës së tij në Kuvend, ku përsëriti ftesën për të hapur dialog me studentët, dhe theksoi se është i gatshëm të plotësojë të 8 pikat, Rama thotë se refuzimi në kor nga studentët, është dobësi.  "Miq! Kori i protestës kur s'të dëgjojnë është domosdoshmëri. Refuzimi në kor i Dialogut është dobësi.Ju duhet ta dini që UNE JAM ME JU.Jam gati për të 8 PIKAT.Duhet të diskutojmë si e kur do të realizohen.Nëse ju s'doni ta kuptoni këtë,vazhdoni mbajini peng të 8 PIKAT.Unë ju pres"-shkruan Rama në reagimin e tij në Twitter.

Ndërkohë që pak minuta më vonë, në një tjetër reagim të shkurtër, Rama iu bën thirrje studentëve të mos mbysin protestën dhe të mbeten fuqia e ndryshimit të botës Universitare. "Mos jini pengesa e vetvetes dhe mos e mbysni protestën me duart tuaja! Kjo protestë duhet të mbetet fuqi e ndryshimit të universitetit, jo të katandiset në fuqinë bllokuese të Dialogut për Universitetin!"-shkruan Rama.

Ora 11:52
"Edi Rama, na e bëre jetën drama", pankartat pikante nga protesta e studentëve para Parlamentit

Sot studentët kanë spostuar protestën nga Kryeministria dhe Ministria e Arsimit, përpara Parlamentit, ku paralelisht po zhvillohet seanca plenare. Ata mbajnë në duar pankarta ku kërkohet plotësimi i 8 kërkesave të tyre, por nuk mungojnë as shprehjet pikante. "Edi Rama, made our life a drama". "Të kesh apo të jesh", apo "Na zgjidhni hallet meqë po vini sa për të marrë rrogat", ata kërkojnë për të 10-tën ditë radhazi përmbushjen e kërkesave të tyre. Për më shumë ndiqni fotogalerinë.

Ora 11:38
Protesta përpara Parlamentit, studenti: Nuk ka dialog, Rama duhet të plotësojë 8 kërkesat

Studentët, të cilët janë mbledhur përpara Parlamentit, kanë shprehur të njëjtin qëndrim; ata nuk pranojnë negociata dhe dialog me kryeministrin Edi Rama, por kërkojnë plotësimin e tetë kërkesave të parashtruara. 

"Unë jam babai i dy fëmijëve, dua që arsimi të bëhet dinjitoz për fëmijët e mi dhe të gjithë ata që duan të arsimohen", u shpreh njëri protestues. Ndërsa një tjetër protestues tha se studentët nuk kanë për cfarë të negociojnë, e kësisoj do të vijojnë të protestojnë.

"Kryeministri kërkon rritje tarifash, që të na zhvasë, që të jemi sa më të paarsimuar, në fund na kërkon dialog. Ne po kërkojmë përgjysmim tarifash, nuk kemi cfarë të negociojmë.Studenti është i shtypur, konviktet janë si stalla po të krahasohen me ato të vendeve të tjera. Ai duhet ta kuptojë që duhet të investojë në arsim sepse është e vetmja rrugë e së ardhmes në Shqipëri. Ne jemi pro dialogut deri kur të realizohen të gjitha kërkesat. Ne mund të protestojmë në Kryeministri, përpara Kuvendit e Ministrisë së Arsimit, por ajo cfarë është e rëndësishme është se ne do të vijojmë protestën", u shpreh ai. 

Një student duke folur për gazetarin e "Report Tv"
Ora 10:55
Pamjet me dron/ Ja përmasat e protestës së studentëve para Parlamentit

Shqiptarja.com sjell pamje me dron nga protesta e studentëve që po zhvillohet para Parlamentit në ditën e 10-të. Protesta sot është zhvendosur para Kuvendit, në ndryshim nga 9 ditët e kaluara kur ata kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë.

Foto me dron nga protesta e studentëve para Parlamentit
Ora 10:23
Studentët protestojnë edhe në Gjirokastër

Një grup studentësh nga universiteti "Eqrem Cabej" kanë vendosur që të protestojnë këtë të enjte, duke iu bashkuar kështu edhe studentëve të tjerë që po protestojnë në vend për plotësimin e tetë kërkesave të parashtruara.

Studentët e Universitetit  "Eqrem Cabej"" duke protestuar 
Ora 10:13
Studentët mblidhen para Parlamentit, opozita shpëton mandatet me protestën (VIDEO)

Studentët janë mbledhur tashmë para Parlamentit ku do të protestojnë për plotësimin e 8 kërkesave të tyre. Pjesëmarrja e studentëver në protestë është më e ulët nga ditët e tjera, ndërsa nga ana tjetër brenda seancës plenare ndodhen edhe deputetët e LSI-së dhe PD, të cilët kanë shpëtuar mandatet e tyre me amendamentet e tyre për cështjen e studentëve.

Ora 09:57
Shkodër/ Procedohet penalisht njëra nga studentet: Nuk isha në Tiranë, kam protestuar këtu

Njëra nga studentet e proceduara penalisht në Shkodër flet për Shqiptarja.com. Kristina Tonaj, thotë se është proceduar për shkak të bllokimit të rrethrrotullimit të Zogut të Zi. “Nuk trembem, qëllimi i procedimeve është për të shpërndarë studentët. Unë nuk jam politikisht këtu por si studente e universitetit “Luigj Gurakuqi”. Unë akuzohem që kam qenë në Tiranë. Por është e dokumentuar që kam qenë në protestë në Shkodër.”-u shpreh Tonaj. Ndërkohë që studentët po protestojnë me parullën: Studentët e Shkodrës e fituan betejën, ne erdhëm tek ju të fitojmë luftën.

Pankarta e studentëve në Shkodër
Ora 09:42
Studentët nisin grumbullimin, Parlamenti rrethohet nga policë

Studentët kanë nisur grumbullimin dhe po marshojnë për të protestuar para Parlamentit. Pjesëmarrja deri në këto momente duket se është e ulët. Masa të shtuara policie për protestën. Uniformat blu ndodhen para Parlamentit për të siguruar mbarëvajtjen e tubimit.

Forcat e policisë sot te kuvendi
Ora 09:41
Protesta e studentëve në Berat, në mbështetje edhe gjimnazistët (VIDEO)

Në Berat nis protesta e studentëve, ndërsa në mbështetje të tyre kanë dalë edhe gjimnazistët. Gjimnazi "Kristaq Capo", më i madhi në qytetin e Beratit, po zhvillon mësimin me orë të reduktuara për të shmangur pushimin e madh dhe daljen e nxënësve nga godina. Një grup nxënësish u mblodhën në qendrën e qytetit, duke dalë në mbështetje të studentëve. Ata janë shprehur se do të ishin më të shumtë në numër nëse do të lejoheshin të dilnin nga shkolla, në mbështetje të tyre kanë dalë dhe qytetarë. 

Ora 09:19
Imzot Frendo: Studentët i përballojnë me vështirësi shpenzimet, të dialogohet

Kreu i Kishës Katolike, Imzot George Frendo, ka përcjellë një mesazh lidhur me protestën studentore e cila ka hyrë në ditën e 10-të. Frendo thekson vështirësitë që krijon sistemi aktual arsimor në vend në përballimin e shpenzimeve nga studentët, por nga ana tjetër thekson se qeveria dhe studentët duhet të zgjedhin rrugën e dialogut. "Jemi shumë të vetëdijshëm se sistemi aktual e bën shumë të vështirë që studentet të përballojnë të gjithë shpenzimet në sistemin aktual, duke konsideruar jo vetëm paranë që kërkohet nga universiteti, por edhe librat, konviktin, dhe paranë që shumë profesorë të paskrupullt kërkojnë për provimet. Qeveria të bëjë çmos që të gjitha shtresat e shoqërisë të kenë akses për arsimimin e lartë. Arsimimi është një nga të drejtat themelore të njeriut. Në këtë deklaratë nxis dhe lutem sinqerisht që qeveria dhe studentët të zgjedhin rrugën e dialogut. Është rruga e vetmja që do të garantojë paqen dhe një zgjidhje të drejtë (Lexo të plotë).

Ora 08:56
Nis protesta në Korçë, studentët marshojnë përmes qytetit (VIDEO)

Studentët e Universitetit "Fan Noli" në Korçë kanë nisur protestën. Pasi janë mbledhur përpara fakulteteve, studentët kanë marshuar në këmbë përmes qytetit. Ata mbajnë në dorë një banderolë të madhe me mbishkrimin "Studentët e bashkuar kanë për të fituar", ndërsa dëgjohen edhe thirrje në drejtim të qeverisë për të pranuar 8-të kërkesat. 

Ora 08:45
Si i gjeti mëngjesi grupin ‘simbolik’ të studentëve që protestuan para Kryeministrisë dhe MASR (VIDEO-FOTO)

Njësoj si ditën e djeshme edhe sot, një grup i vogël studentësh ka kaluar natën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë dhe para Ministrisë së Arsimit. Siç shihet edhe nga pamjet, numri i studentëve që ka qëndruar jashtë në temperaturat nën zero, ka qenë simbolik. Turma është shpërndarë dhe shumë pak student kanë vendosur të sfidojnë të ftohtin dhe të qëndrojnë për të protestuar.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja