Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar pas protestës së zhvilluar para Kuvendit dy ditë më parë, ku makinat e disa deputetëve u qëlluan me vezë nga protestuesit. Në një postim në rrjetet sociale, Braçe e ka cilësuar situatën si një shfaqje të “fashizmit”, duke argumentuar se sulmet ndaj deputetëve për shkak të bindjeve apo zgjedhjeve të tyre politike përbëjnë një cenim të lirisë politike.
Braçe ka shpërndarë edhe videon kur aktivistja Arvina Lleshi, bashkë me disa të tjerë, i thonë Iris Luarasit “hajdute” dhe se “nuk i përfaqëson gratë” teksa ishte në qendrën ‘Toptani’ dhe momentin kur protestuesit i bllokojnë makinën me të cilën po largohej deputetja e PS, Ilva Gjuzi dhe i gjuajnë me vezë e domate. Për të dyja këto raste Braçe shprehet se në këtë ditë mungonte vetëm pushka, si në 14 shtator dhe 21 janar.
“Ku po ikën, mi? Ku po ikën? Jo, jo, jo! Ky është fashizëm! Nuk është demokraci, është fashizëm! Mungon vetëm pushka, siç në 14 shtator dhe 21 janar! Dhe janë tre gra, dy prej të cilave nëna me fëmijë deri në moshë të mitur fare; pa asnjë ngarkesë nga qeverisja ekzekutive e përditshme. A e dëgjuat si e justifikuan? Kanë bërë zgjedhjen e gabuar në anën e keqe të historisë, sepse zgjodhën Partinë Socialiste”, shkruan Braçe.
Deputeti socialist kritikon edhe argumentin e përdorur nga protestuesit për zgjedhjen politike të deputeteve. Ai thotë se relativizimi i asaj që ai e quan “fashizëm” mund të ketë pasoja të rënda për vendin.
"Zgjedhja është personale përherë; askush nuk ka për detyrë të zgjedhë siç do fanatiku Arlind Qorri, i dhunshmi Adriatik Lapaj, i paligjshmi Agron Shehaj. Jo! Zgjedhja personale politike hyn në lirinë politike; është e drejtë kushtetuese!
Liria politike hyn në të drejtat themelore të njeriut! Kufizimi i tyre është fashizëm! Çdo relativizim i neofashizmit do të ketë pasoja fatale për këtë vend; do të jetë shumë keq për të!", përfundon Braçe.









Komente
Komento