Muzetë, teatrot, bibliotekat dhe monumentet e kulturës nuk u kanë shpëtuar dëmtimeve gjatë protestave të dhunshme që kanë tronditur vendin në këto 72 orët e fundit. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bën të ditur se në Tiranë janë dëmtuar hapësirat e jashtme të Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, hapësira të Teatrit të Kukullave, Muzeut Historik Kombëtar dhe Bibliotekës Kombëtare.

Sipas tij, është sulmuar edhe hapësira e jashtme e Xhamisë së Et’hem Beut, monument kulture i kategorisë së parë, ndërsa në Durrës janë shkatërruar vepra dhe instalacione të Bienales së Artit.

Në një postim në Facebook Gonxhja u drejtohet prindërve, duke shprehur shqetësimin për përfshirjen e të miturve dhe adoleshentëve në dëmtimin e pasurive publike dhe institucioneve kulturore.

"Të dashur prindër,

Pamjet që po shohim duan reagimin tuaj!  Mes turmës, të mitur e adoleshentë po dëmtojnë pasuri publike, institucione kulturore e trashëgimi historike, muze, teatro, biblioteka, objekte kulti

Si fëmijë, përgjegjësia fillon nga familja. Flisni me ta. Për t’u kujtuar një kufi që nuk duhet kapërcyer: Asnjë zemërim nuk justifikon shkatërrimin e asaj që u përket të gjithëve, sot e nesër!

Në Tiranë janë dëmtuar hapësirat e jashtme të Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”; hapësira të Teatrit të Kukullave; Muzeut Historik Kombëtar, Bibliotekës Kombëtare. Është sulmuar edhe hapësira e jashtme e Xhamisë së Et’hem Beut, monument unikal kulture i kategorisë 1! Në Durrës janë shkatërruar vepra e instalacione të Bienales së Artit!

Një muze nuk është i një qeverie.  
Një teatër nuk është i një partie.  
Një monument kulture nuk është kundërshtari  a shënjestra e askujt. 

Këto janë pasuri publike kombëtare. Janë tempujt e artit, kulturës dhe kujtesës sonë kolektive. Janë vende ku shkohet për të mësuar historinë e festuar krijimtarinë.

Të dashur prindër, flisni me fëmijët tuaj!

Të protestosh nuk do të thotë të vandalizosh!

Qëndrimet politike mund të na ndajnë; përgjegjësia për ta mbrojtur historinë dhe kulturën duhet të na bashkojë!

Anarkia e kaosi duhet t’i japin vendin arsyes!" 


Lajmi kryesor:

Protestat/ Begaj apel për dialog! Peleshi: Dhuna po u vishte studentëve, forca malinje mund të pengojnë integrimin! Qeveria: Mbajnë fëmijët larg protestës