Me një ‘opozitë pa këllqe’, Edi Rama mund t’i fitojë zgjedhjet sa herë që t’i shpallë ato, kështu mendon avokati Fran Dashi, sipas të cilit, Partia Demokratike nuk arrin të motivojë veten e as të vetët në betejat politike. Në emisionin ‘Studio Live’ në Report TV, Dashi kritikoi përdorimin e dhunës në protestat anti-qeveritare të Sali Berishës, duke i kujtuar këtij të fundit që shqiptarët duan të qëndrojnë larg dhunës dhe mitingjeve si ato që organizon ai.

“Opozita ka prej disa javësh që po tenton të ngrejë elektoratin në protesta për të rrëzuar qeverinë. Opozita është shumë larg fitores. Nëse PD mund të ketë një djalë ose një vajzë të re siç është Jorida Tabaku për ta motivuar si kryeministren e ardhshme besoj se nëse zgjedhjet do të mbaheshin pas 6 muajsh do të kishte një rezultat pozitiv. Me atë opozitë që kemi sot, kurdo që Edi Rama të shpallë zgjedhjet do t’i ketë të fituara. Nëse sot ka 83 mandate, në zgjedhjet e ardhshme ai mund të marrë 90 mandate. Edhe në 2029 e ka të sigurtë fitore, të garantuar. Sepse opozita është shumë e dobët, nuk ka këllqe përballë mazhorancës për të fituar. Pse? Se janë të njëjtat emra në listën e PD. Flamur Noka ka 20 vjet deputet. Albana Vokshi ka 20 vjet deputetë, Sali Berisha po aq, Jozefina Topalli ka që në vitin 1997. Ka ikur koha e tyre. Parlamenti duhet të miratojë një ligj, që njerëzit që kanë konsumuar dy mandate duhet të largohet. Nuk mund të ketë deputetë të përjetshëm. Duke bërë listat e mbyllura të partisë dihet se kryetari do të vëjë në listë më të besuarit. Opozita le të ngrihet me çdo lloj forme, e jo të djegin vilën e Enverit, por ç'të duan, e ka shumë të vështirë, nuk e motivon dot veten.  Nuk gjen forma dhe metoda për të bindur elektoratin. Le të shohim mitingjet e Tiranës.. edhe ata që vijnë janë nga rrethet dhe jo nga Tirana. Tirana ka elektorat por që nuk sheh asnjë interes në protestat e Berishës. Qytetarët nuk duan të krijojë probleme vetes apo familjes. Ata duan të qëndrojnë larg dhunës dhe larg mitingjeve. Iku ndjenja e mitingjeve madhështore si dikur. Sot njerëzit janë distancuar” tha Dashi.

Në protestën e fundit të Berishës, me 28 shkurt, militantët sulmuan residencën e artistëve të huaj në zemër të Tiranës, atë që njihet ndryshe si ish Vila e diktatorit Enver Hoxha. Fishekzjarre të fuqishëm dhe bomba molotov u hodhën drejt ndërtesës, duke vënë në rrezik jetën e 7 artistëve të huaj e 3 personave që shërbejnë si staf. Mbi 10 protestues u shoqëruan ndërsa aktet e dhunës u dënuan me forcë nga ambasada e Francës dhe delegacioni i Bashkimit Europian. 


Lajmi kryesor:

'Balluku të japë llogari para drejtësisë dhe shqiptarëve!' Avokatët në Report TV: Nuk ka ligj apo mandat që e mbron!