Aksi rrugor Kakavijë-Janinë do të mbyllet sërish mbrëmjen e së shtunës nga ora 19:00 deri në 22:00 me orën greke për shkak të protestave të fermerëve në vendin fqinj. Policia e Gjirokastrës bën me dije se do të lejohet vetëm qarkullimi i mjeteve për emergjenca shëndetësore.
Pala greke ka njoftuar autoritetet doganore në Kakavijë për mbylljen e aksit në këtë fashë orare.
"Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët. Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore. Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.", njofton policia.
Greqia është “paralizuar” prej ditësh nga protestat e fermerëve, të cilët kanë bllokuar akset kombëtare për vonesat me dhënien e subvencioneve të BE-së pas një skandali korrupsioni. Ata janë të vendosur të vazhdojnë dhe të intensifikojnë protestat e tyre nëse kërkesat nuk u plotësohen nga qeveria.
Komente










