Teksa përballë Kryeministrisë qytetarët vijonin të protestonin kundër rritjes së çmimeve, nga zyra e tij kreu i qeverisë Edi Rama prezantoi masën e parë për përballimin e krizës. Rama paralajmëroi ngritjen e një bordi mes qeverisë dhe furnitorëve të naftës për të ndalur abuzimet me çmimet.  Rama tha se me akt normativ do të ngrihet bordi për administrimin e karburantit për të ndalur abuzimet nga spekulantët dhe se brenda 48 orëve do të paraqitet plani i plotë, ndërsa takimi me furnitorët do të mbahet mëngjesin e 11 marsit. Nëse furnizuesit nuk zbatojnë rregullat e vendosura në bord do të gjobiten.

Kryeministri shpjegoi se rritja e çmimeve të karburantit po ndikohet nga lufta në Rusi, ndërsa paralajmëroi se skenari më i rëndë mund të jetë mungesa e energjisë dhe naftës.

Protestat e mbajtura prej dy ditësh kundër rritjes së çmimeve, për kryeministrin Rama kanë si prapavijë përfitimet e disa individëve. Ai shtoi se është pamoralshme që situata të përdoret nga 'hienat' për përfitime personale.

Lidhur me deklaratat e opozitës se Shqipëria ka taksën më të lartë të karburantit në Rajon, Rama sqaroi se në taksë përfshihen edhe taksa e qarkullimit dhe karbonit. Një përgjigje kryeministri e pati edhe për naftën që prodhon vendi ynë, ku tha se ajo është e rëndë dhe shkon për bitum dhe nëse do të përdorej për makinat ato brenda një jave do të shkonin për skrap.

Prej dy ditësh qytetarët janë ngritur në protestë kundër rritjes së çmimit të karburanteve dhe të produkteve të shportës. Sot thuajse e gjithë Shqipëria është ngritur në protestë paqësore pikërisht duke kërkuar nga qeveria uljen e çmimeve që po e bëjnë jetesën e qytetarëve të papërballueshme.

 

Video e plotë -Rama komunikim online me qytetarët

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:17
Rama: Nesër tryezë me gjithë furnizuesit e naftës

Rama tha se nesër në mëngjes do të mbledh të gjithë furnizuesit e naftës për të krijuar bordin kombëtar të furnizimit me karburant.

"Nesër në mëngjes kemi thirrur në tryezë furnizuesit e naftës. Qeveria do të hy drejtpërdrejtë në bordin kombëtar të furnizimit me karburant të shqiptarëve", tha Rama.

Ora 19:04
Rama: Më thoni ndërprit investimet, po punëtorët t'i lëmë pa punë? Hiq taksat, po rrogat me ca do i paguajmë?

Kryeministri Edi Rama tha se ndërprerja e investime dhe heqja e taksave nuk është zgjidhje për ulen e çmimeve pas në fund i bie që të mos paguhen rrogat dhe shkollat e spitalet, si dhe shumë punëtorë të mbeten pa punë.

"Në vendet fqinje është rritur energjia, por ne kemi vendosur të mos e rrisim energjinë. 80 % të energjisë e subvencionon shteti, janë me miliona, nga dalin këto?  Disa thonë ndërprit investime, ato do të thonë që të gjithë punëtorët do të jenë në shtëpi pa punë, po pastaj ku do shkojmë? Disa thonë hiq taksat, po pastaj me ca do i paguajmë rrogat, shkollat spitalet?", tha Rama.

Ora 19:03
'Dil këtu e fol', Rama i përgjigjet thirrjeve të protestuesve poshtë zyrës së tij: I gatshëm të dëgjoj e të dëgjohem, por jo të shahem e të përballem me akuza të pavërteta

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur thirrjeve të protestuesve poshtë zyrës së tij, të cilët i kërkojnë të dalë para tyre e të flasë. Rama tha se do të ishte humbje kohe për të dhe e pavlefshme për protestuesit që të flasë aty ku nuk do të dëgjohet.

"Unë jam i gatshëm të dëgjoj dhe të dëgjohem, por të shahem e të përballem me akuza të pavërteta, është humbje kohe për mua dhe e pavlefshme për ju. Mbaj një fjalim aty ku dëgjohem, jo aty ku nuk më lejohet të flas. Ju vazhdoni me rrëzimin e komunizmit ne do vazhdojmë në krah të popullit, të atyre që nuk kanë X5 për të bllokuar rrugët", tha Rama.

Ora 18:59
Rama: Nuk kemi taksën më të lartë të karburantit në Rajon! E pamoralshme gjurulldia e hienave për përfitime personale

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave se Shqipëria ka taksën më të lartë të karburantit në Rajon. Ai tha se në taksë përfshihen edhe taksa e qarkullimit dhe karbonit. Ai shtoi se është pamoralshme që situata të përdoret nga 'hienat' për përfitime personale.

"Thonë të gjithë që kemi taksën më të lartë të karburantit në Rajon. Ne nuk kemi taksë qarkullimi dhe karboni të ndarë, ne e kemi në çmim. Ne kemi taksat më të ulëtat në rajon për individët dhe biznesin e vogël, të gjitha këto të ardhura që ne i kemi lënë në xhepin e sipërmarrësve të vegjël dhe individëve duk i ulur taksën mbi pagën, që do vazhdojë, duan të thonë që janë diku të ardhurat për të financuar rritje pagash që do bëjmë siç jemi zotuar, nga diku do vijnë, nuk mund të jetë historia hiq këtu e hiq atje, me ça do i financojmë ne pastaj? Jemi të qartë për hata që do hedhim. Zgjidhej ideale nuk ka. Këta duan të shfrytëzojnë si hiena edhe vetë luftën të bëjnë gjurulldi për të nxjerrë përfitimet e tyre, kjo është e pamoralshme dhe nuk ka për të kaluar në këtë vend", tha Rama.

Ora 18:58
Rama: Bord kombëtar për administrimin e naftës për të shmangur abuzimin me çmimin, kush nuk respekton vendimet gjobitet

Rama tha se me akt normativ do të ngrihet bordi për administrimin e naftës për të ndalur abuzimet nga spekulantët.

" Siç i dolëm nga tërmeti në mbrojtje, sërish do i dalim në mbrojte qytetarëve. Do ta vazhdojmë ta trajtojmë këtë çështje si të ishim në kohë paqeje. Duhen planifikuar disa hapa që mos të themi që i harxhuam fishekët disa herë. Brenda 48 orësh do themi konkretisht se çfarë do të bëjmë. Për hir të detyrën dhe mënyrën sesi e kuptoj unë detyrën, unë nuk fle, edhe kur të gjithë ata që na japin recetat e gatshme flenë. Unë njoh aq shumë në detaje realitetin e njerëzve sa askujt nuk i është dhënë dot mundësia sesi ti njohë dhe askush nuk mund të mi japë mua recetat. Në fund të ditës përgjegjësia për të udhëhequr ngrihet mbi fakte, jo sic kemi shkuar në greminë kush kishim njerëz që na drejtonin dhe thonin u bë deti kos.  Ky vend është në luftë, ka ardhur lufta në këtë vend, lufta ka ardhur me faturën e rritjes së cmimeve, ndaj do ta trajtojmë si në luftë, duke ndaluar spekulimet me rritjen e naftës, me një akt normativ, një bord kombëtar të administrimit të karburantit,  ku do të flitet për të gjitha hapat. Do përcaktojmë masa drastike për cdo furnizues që shkel vendimet e marra në një tryezë të përbashkët mes furnitorëve dhe qeverisë. Nuk do të lejojmë që në pikën e furnizimit të shfaqen çmime të pamiratuara më parë në bord dhe të ketë masa ndëshkuese ", tha Rama.

Ora 18:50
Rama: Rritja e çmimeve nuk erdhi sepse iu bashkuam sanksioneve kundër Rusisë! Brenda kësaj jave, gati skenari për përballimin e kësaj krize

Kryeministri Edi rama bëri me dije se brenda kësaj jave do të bëhet publik skenari për përbvallimin e krizës të shkaktuar nga rritja e çmimeve, si pasojë e pushtimit të Ukrianës nga Rusia.

"Lufta e impaktoi edhe më shumë krizën energjetike, e impaktoi fortë edhe çmimin e naftës e gazit, ne themi që do e mbrojmë. Kjo qeveri nuk i ka kthyer kurrizin njerëzve, por rri e tërë e përqendruar si të adresojë sa më mirë problemet e vendit dhe të lehtësojë hallet e vendit. Kur thash që ka nisur kjo krizë, të tjerët thanë që është lojë për të rritur çmimin e energjisë, ja ku jemi sot në një situatë ku njëri prej prodhuesve më të mëdhenj të gazit e naftës në botë, Rusia ka hyrë në luftë dhe çmimet po kapërcejnë. Ne kemi gjykuar që është detyra jonë të mbrojmë të gjithë qytetarët dhe biznesin e vogël nga rritja e çmimit të energjisë. Kjo qeveri si asnjë tjetër më parë nuk mund të akuzohet kurrë për mospasjen e vëmendjes ndaj njerëzve të këtij vendi, me fakte jo fjalë. Duke mbrojtur çmimi e energjisë, ne i mbrojmë të gjithë, Energjia është një mall që sot ende e shet shteti, nuk është në një treg të privatizuar se do kishim të njëjtën situatë si me naftën ku shteti nuk ka asgjë në dorë. Nafta është mall në tregun e lirë ku shteti nuk ka asnjë lidhje. Shteti nuk vendos çmimet e mallrave, shteti nuk imponon dot çmime, nuk kontrollon dot çmime në një ekonomi të lirë tregu. Pardje thash që brenda kësaj jave do kemi skenarë të përballimit të kësaj situate të provokuar nga një luftë që nuk e di askush se sa mund të zgjasë. Dua tju kërkoj mos të jemi të ndarë te fakti se rritja e çmimit të energjisë, gazit, naftës e miellit nuk vjen sepse Shqipëria iu bashkua sanksioneve ndaj Rusisë, por vjen njësoj si për të gjitha vendet, edhe në Serbi njësoj po rriten çmimet", tha Rama.

Ora 18:49
Rama: Nafta jonë do i çonte makinat për skrap! Thonë 'Rama ik', por më 6 mars populli më tha 5 herë rri

Kryeministri Edi Rama tha se të gjithë i thonë "Rama ik" po populli më 6 mars i tha 5 herë rri duke fituar 5 bashki.

"Një protestë që po zhvillohet këtu poshtë, dëgjoj thirrje poshtë komunizmi, Rama ik, të shara me megafon nga individë që flasin në emër të popullit..., por nuk kam asnjë problem me këto sepse komunizmi ka rënë ka kohë. Para pak ditës popullit kur foli në 6 bashki tha 5 herë Rama rri. Nuk jam përkulur kurrë në jetën time për të futur dorën në xhepin e askujt. Nuk janë problem as ulërimat, sharjet e përqeshjet, problemi themelor është bashkimi tyre te e vërteta dhe faktet. I kam ndjekur reagimet e komentet tuaja në Facebook", tha Rama.

Rama iu përgjigj edhe aty që thonë se ku shkon nafta e Shqipërisë duke thënë se nafta që prodhon vendi ynë është e rëndë dhe shkon për bitum dhe nëse do të përdorej për makinat ato brenda një jave do të përdoreshin për skrap

"Ne themi se Shqipëria është e pasur me energji por faji e ka qeveria që e shet jashtë, por kjo është e gabuar ne nuk kemi mjaftueshme energjinë as kur jemi në kulmin  prodhimit dhe jo më kur kemi pak reshje që është i tret vit radhazi , edhe naftën ne nuk kemi naftë për diesel apo benzinë, por është naftë e rëndë që shitet për bitum, nëse do të përdorej për makina do i çonte ato për skrap për një javë. Disa thonë se ne e shesim lirë dhe e blejmë shtrenjtë energjinë pasi e  vjedhin politikanët, por kjo është një logjikë hajdutësh pasi nuk doni të informoheni dhe të kuptoni. Si mund të akuzosh tjetrin për hajdut pa asnjë provë dhe mbi fakte të stisura, fakti është se ene shesim energjine në kohë me shi, por kur e shesim  duhet ose ta shesim ose ta hedhim sepse energjia nuk mbahet dot as në dollap dhe as në frigorifer, ne e shesim lirë pasi në vjeshtë  dhe dimër çmimi i saj bie pasi kërkesat është më e ulët. e blejmë shtrenjtë se në verë ne nuk kemi reshje, niveli i hidrocentraleve tona bie dhe patjetër duhet të dalim në treg dhe e blejmë më shtrenjtë se në kohë thatësire kërkesa është më e lartë, prandaj po ndërtojmë Skavicën", tha Rama.