Nga Shkodra në Sarandë, qytetarët u bashkuan njëzëri duke protestuar kundër rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve. Protesta nisën në orën 17:00, ndërsa qëndresa më e gjatë ishte në Tiranë, ku protestuesit qëndruan në rrugë prej 3 orësh.

Në kryeqytet, qindra qytetarë bënë thirrje për uljen e çmimit të karburanteve, teksa bllokuan Unazën e Vogël të Tiranës. Në protestë pati edhe prezencë të lartë policësh, të cilët i bënë thirrje protestuesve të largoheshin nga rruga, ndërsa pas mosbindjes së tyre, u shoqëruan disa persona. Nuk ka ende një numër të saktë të protestuesve të shoqëruar. Protesta u shoqërua me momente tensionesh të herëpashershme, por që nuk agravuan.

Teksa protestuesit bëni thirrje 'Rama ik' poshtë kryeministrisë, nga zyra e tij , kreu i qeverisë Edi Rama iu përgjigj duke sqaruar masat që do të merren për të përballuar këtë krizë. Ai bëri me dije se një nga masat që do merren do të jetë krijimi i një Bordi Kombëtar që bashkë me kompanitë e tregtimit të naftës do të bëjë transparencë të çmimit të naftës.

Ndërkohë zërit të protestuesve në Tiranë iu bashkuan edhe qytetarë nga shumë qytete të tjera, ku në Mirditë protestuesit bllokuan për 1 orë Rrugën e Kombit. Protestës së tyre iu bashkua edhe Ipeshkivi i Rrëshenit, Gjergj Meta.

Protestuesit në Durrës dolën në rrugën Tiranë-Durrës, duke e bllokuar atë për disa minuta derisa u shpërndanë nga policia.

Në Korçë, pjesa më e madhe e protestuesve ishin fermerë, të cilët preken në mënyrë direkte nga rritja e çmimit të naftës, ndërsa kërkuan nga qeveria të ndërhyjë.

Në Lushnjë qytetarët bllokuan qarkullimin e automjeteve për rreth 40 minuta në rrethrrotullimin e Plukut, ndërsa në Prrenjas protestuesit bllokuan për disa minuta rrugën kryesore Prrenjas-Qaf Thanë. Në Shkodër protestuesit bllokuan për disa minuta hyrjen e qytetit, ndërsa bëhet me dije se policia ka shoqëruar 10 persona, mes tyre edhe aktivistin e shoqërisë civile, Mirsad Basha.

Protestuesit kanë deklaruar se do të mblidhen çdo ditë dhe se protesta e tyre do të kulmojë ditën e shtunë.

 Që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, çmimi i naftës pësoi rritje të konsiderueshme jo vetëm në Shqipëri, por të gjithë botën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:58
Protesta kundër rritjes së çmimeve në Tiranë, shoqërohen disa protestues

Policia ka nisur me shoqërimet e disa prej protestuesve në Tiranë që ngritën sot kundër rritjes së çmimeve. Nuk dihet ende sa është numri total i protestuesve të shoqëruar.

Ora 19:39
Protestuesit ulen në mes të rrugës në ish-Bllok, Forcat Shqiponja i largojnë! Qytetarët zhvendosin koshat e mbeturinave në mes të rrugës

Protestuesit kanë bllokuar rrugën në zonë e ish-Bllokut, teksa protestuesit janë ulur në rrugë. Policia i zhvendos nga rruga. Ndërkohë protestuesit kanë zhvendosur koshat e mbeturinave në mes të rrugës.

Ora 19:28
VIDEO/ Protestë për çmimin e naftës në Shkodër, protestuesit bllokojnë hyrjen e qytetit

Qytetarët kanë dalë në protestë edhe në qytetin e Shkodrës, duke bllokuar hyrjen e qytetit. Me pankarta në duar ata po protestojnë për rritjen e çmimit të naftës. Një prej pankartave ka tërhequr vëmendjen ku shkruhet ‘Unë protestoj në Shkodër se nuk kam lekë për naftë të vi në Tiranë’. 

“Kur ne jemi bashkë kemi më shumë forcë e vendimmarrje dhe tani është momenti me ngrejt zërin se vetëm duke qenë bashkë ne kemi mundësi me bo oponencë me bo protestë për këtë skamje që këtë Shqipëri tash e ka kaplu. Rritja e çmimeve është problem për një pjesë të madhe, rritja e produkteve të shportës, karburanti na shqetësojnë më tepër, normalisht duhet me çu zanin.

Nga të gjitha marifetet që shpiku njeriu, laku i bukës së gojës ishte ma i forti dhe ne duhet me e hek këtë lak. Kryeministri duhet me na dhan zgjidhje dhe jo këshilla Nuk mundi ti japin këshilla me menaxhu të ardhurat një populli që jeton me 5 dollarë në ditë. Përkundrazi nëse ai don i japin ne këshilla sesi me e menaxhu. Ky popull duhet me i dhan me kuptu politikës se ashtu siç e voton edhe e rrëzon, asgjë nuk është e përjetshme. Çmimet janë në stratosferë”, thonë qytetarët.

Ora 18:52
Protesta në Bulqizë për rritjen e çmimeve, bllokohet për 1 orë rruga e Arbrit! Në mbyllje të tubimit policia shoqëron gazetarin, ishte organizatori i saj

1646934812_622a3b055515cScreenshot4.jpg

Momenti i shoqërimit të gazetarit Sami Curri

Protestat kundër rritjes së çmimeve të karburanteve dhe produkteve të shportës janë zhvilluar edhe në Bulqizë, ku për 1 orë qytetarët kanë protestuar ën dy lagje dhe në Qafën e Buallit. Madje ata kanë bllokuar për 60 minuta Rrugën e Arbrit, ndërsa protesta nuk ka pasur incidente. Organizatori i kësaj proteste i cili dhe kishte marrë lejen në polici ishte gazetari në Dibër Sami Curri, në rolin e tij të qytetarit që ka marrë pjesë në protestë. Pas mbylljes së tubimit ai është shoqëruar në polici ku është mbajtur për rreth 2 orë për t'iu përgjigjur pyetjeve lidhur me tubimin dhe më pas është lënë i lirë. Sipas burimeve nga policia shoqërimi i tij ka ardhur si pasojë e bllokimit të rrugës së Arbrit, pasi ishte personi që kishte shpërndarë në rrjetet sociale ftesën për protestën e sotme.

Kërkesa në polici per lejen e protestës në Bulqizë

Kërkesa në polici per lejen e protestës në Bulqizë
Ora 18:14
Rritja e çmimit të naftës, protestuesit në Mirditë bllokojnë për 60 minuta Rrugën e Kombit: Shqiptarët të bashkohen që qeveria të bëjë pas, oligarkët vendosin çmimet sipas dëshirës  

Për rreth 1 orë banorët në Mirditë kanë bllokuar Rrugën e Kombit duke protestuar kundër rritjes së çmimit të naftës por edhe ushqimeve dhe produkteve të shportës. Ata thonë se qeveria duhet të tërhiqet dhe të ul çmimin, ndërsa u bëjnë thirrje të gjithë shqiptarëve të bashkohen për të protestuar për të drejta e tyre dhe ekonomitë ën familjet e tyre protestës i është bashkuar edhe Ipeshkvi i Rrëshenit Dom Gjergj Meta

"Në Ukrainë ka luftë, çmimi i naftës është 1 euro, kurse këtu pa luftë rritet çmimi. Këtu ka dorë shteti dhe oligarkët që vendosin çmimet sipas dëshirës së tyre. Jemi mbledhur sot këtu dhe njerëzit duhet të kuptojnë se vetëm përmes protestave mund dhe do të bëjë kjo qeveri pas. Ne do të protestojmë çdo ditë. Do shkojmë edhe në Tiranë nëse na thërrasin për protesta kombëtare", tha një protestues.

"Janë bërë të gjitha bashkë çmimet të papërballueshme. Duhet të dalin të gjithë shqiptarët në  protestë edhe policët se dhe ato me naftë lëvizin.  Duhet të jemi të bashkuar", tha një tjetër.

 

Protestës i bashkohet edhe Ipeshkvi i Rrëshenit Dom Gjergj Meta

Ora 17:46
(VIDEO) Qytetarët e Sarandës në protestë kundër rritje së çmimeve: Shteti të ulë taksat

Qytetarët e Sarandës i janë bashkuar protestave në të gjithë vendin për të kundërshtuar rritjen e çmimit të naftës dhe ushqimeve. Ata i bëjnë thirrje qeverisë që të marrë masa, duke përmendur uljen e taksave.

Ora 17:25
VIDEO/ Korça në protestë, qytetarë: Ulni çmimin e naftës, nuk po përballojmë dot jetesën! Si mund të prodhojë fermeri me këto çmime?

 

Edhe qytetarët dhe fermerët në Korçë janë ngritur në protestë për të kundërshtuar rritjen e  çmimit të naftës si dhe produkteve të shportës. Dhjetëra banorë të po protestojnë , ndërsa thonë se jetesa është bërë e përballueshme, ndërsa ardhja në Tiranë tashëm për ta është kthyer në një mision të pamundur për shkak të rritjes së naftës dhe çmimeve të biletave.  Pjesa më e madhe e protestuesve janë fermerë të cilët preken në mënyrë direkte nga rritja e çmimit të naftës.

"Nuk i përballojmë dot këto çmime. Nuk punojmë dot tokat dhe as ushqimet. As për vetë nuk prodhon dot, jo më për të shitur. Duam të ulet am të ulet çmimi i naftës. Ku shkon nafta jonë? Pse i prishim rafineritë?", tha një qytetar në Korçë

"Çmimet janë të papërballueshme nga njerëzit, janë të gjithë të irrituar nuk po përballojmë dot jetesën. Si mund të punojë bujku dhe të prodhojë për t'i shitur në treg? Është e pamundur", tha një tjetër

Ora 17:16
VIDEO/ Rritja e çmimit të naftës, qytetarët ngrihen në protestë në Durrës, bllokojnë rrugën pranë stacionit të trenit

Me thirrjet ‘Ngrihuni o popull ta bëjmë këtë shtet’ dhe ‘Ulni taksat’, qindra qytetarë në qytetin e Durrësit iu bashkuan sot protestës për të kundërshtuar rritjen e çmimit të naftës dhe ushqimeve. Me pankarta në duar, qytetarët janë mbledhur pranë stacionit të trenit, duke bllokuar rrugën.

“Ngrihuni o popull, ngrihuni bëjeni këtë shtet njëherë e mirë.

Ulni taksat”, thonë ata.

Ora 17:09
Protestë për rritjen e çmimit, qytetarët në Lushnjë bllokojnë qarkullimin (VIDEO)

 

Protestat për rritjen e çmimit të naftës janë shtrirë në gjithë vendit. Qytetarët në Lushnjë kanë dalë në protestë dhe kanë bllokuar qarkullimin në rrethrrotullimin e Plukut.

Ora 12:58
Rritja e çmimeve, protesta në Kukës e Shkodër: Të rriten pagat, rroga na del vetëm për të blerë bukë e kripë! Në Vlorë bllokojnë rrugën për disa minuta (VIDEO)

Rritja e çmimit të naftës si dhe produkteve të ushqimeve bazë në vend, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, ka ngritur në protestë dhjetëra qytetarë në disa qytete të vendit.

Në qytetin e Kukësit, një grup qytetarësh protestuan duke kërkuar uljen çmimeve, të cilat kanë pësuar rritje ditëve të fundit si dhe rritjen e pagave, për të përballuar jetesën.

‘Kam dal që të protestoj për rritjen e çmimeve, pasi unë jam një nga shtresat me të varfra që vuaj nga kafshata e bukës’.- u shpreh një qytetar.

Një tjetër qytetar tha se ka dalë që të protestoj për të gjitha produktet, çmimet e të cilave janë rritur.

‘Rritja e çmimit duhet të jetë në propocion të drejtë me rrogat’- u shpreh ai.

Disa nga protestuesit që bëjnë linja të ndryshme thanë se duhet të ulet çmimi i naftës, që ato si transportues të ulin çmimin e biletës që është rritur.

‘Dy-trefishimi i çmimeve, do të thotë mbytje e popullit. Nuk kemi se ku të shkojmë më tej. Të ulet çmimi i naftës dhe në të ulim biletat. Rroga është shumë e ulët që dalin, vetëm për bukë e kripë.’- tha një qytetar.

Edhe në Vlorë, dhjetra qytetarë protestuan kundër rritjes së çmimit të karburanteve. Protestues, qytetarë nga Vlora, edhe pse jo të shumtë kanë protestuar për disa minuta në bulevardin kryesor të qytetit.

Po ashtu edhe në Shkodër një grup qytetarësh, të cilët protestuan kundër rritjes së çmimeve. Të rinjtë studentë të Unversitetit të Shkodrës, janë mbledhur para sheshit ‘2 prilli’, në shenjë revolte për rritje e çmimit të karburanteve. Me pankarta në duar ato kërkuan uljen e çmimeve  dhe i bën thirrje qeverisë që të reflektojë.

‘Ne sot jemi këtu në emër të studentave, sepse sot një studenti i duhet të paguajë me shumë për transportin. Nëse një të riu nga Vau Dejës, deri dje i duhej të paguaje 200 lek vajtje ardhje sot ai paguan 300 leke. Kjo është një kosto më e lartë për studentet nga rrethet që janë pjesë e Universitetit të Shkodrës. Kryeministri thotë që jemi në luftë, por ai duhet të vijë këtu dhe te menaxhojë luftën jo të qendrojë në Dubai.’- u shpreh një student.

‘Jemi mbledhur këtu për të protestuar në emër të studentëve të Shkodrës, për rritjen e çmimeve, kryesisht rritjes së karburantit’- tha një student tjetër.