Qindra protesta u zhvilluan të shtunën në Francë kundër rritjes së kostos së jetesës, ndërsa autoritetet angazhuan forca të shumta policore për të parandaluar përsëritjen e episodeve të dhunës të regjistruara gjatë demonstratave të fundjavës së kaluar.
Sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, deklaroi se në të gjithë vendin u arrestuan afro 1 mijë persona. Ai tha se policia u përball me një nivel jashtëzakonisht të lartë dhune nga grupe ekstremistësh të veshur me të zeza.
Sipas ministrit, marshimet në qytete kishin përfunduar përgjithësisht pa probleme, por grupe të ekstremit të majtë hodhën sende dhe fishekzjarrë drejt policisë, duke nxitur përplasje.
Protesta pati edhe në dhjetëra qytete italiane kundër luftës, riarmatimit dhe rritjes së kostos së jetesës. Dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht studentë marshuan në sheshet kryesore të Napolit, Romës, Firences, Bolonjës, Torinos, Milanos e shumë qytete të tjera. Demonstratat, të cilat pasuan përleshjet e fundjavës së kaluar, ishin të dhunshme në Torino, Romë, Bolonja e Firence me përleshje midis efektivëve dhe protestuesve.
Nëntë persona janë arrestuar dhe 371 të tjerë janë shoqëruar në komisariat. Sipas agjencisë së lajmeve AFP, shifrat u bënë të ditura nga Policia italiane në një deklaratë zyrtare. Mes personave të shoqëruar në komisariat, 110 ishin të mitur, thuhet në deklaratë. Autoritetet italiane nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi identitetin e personave të arrestuar dhe rrethanat e ndalimit të tyre.








Komente
Komento