Gjenerali Dedë Prenga, tha se protestat në Iran, ku kanë humbur jetën rreth 544 persona mund të përshkallëzohen.

I ftuar në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’, ai tha se numri i personave që kanë humbur jetën është i lartë, ndërsa theksoi se nëse do të vijoi kështu situata nuk mund të mbahet më nën kontroll.

‘Garda revolucionare në Iran nuk mund ta mbajë nën kontroll këtë protestë. Nëse protestat vazhdojnë në këtë shkallë, situata nuk mund të mbahet më nën kontroll. Raportohet se vrasjet kanë kaluar 3 mijë dhe të arrestuarit mbi 1 mijë, ndërsa mbi 40 persona janë vrarë edhe nga forcat e sigurisë. Situata është shumë e komplikuar dhe mund të përshpejtohet shumë shpejt. Pikërisht për këtë arsye është kërkuar ulja në tryezë bisedimesh, për të shmangur rrezikun e një lufte civile’, tha ai.

Ish-ambasadori shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Roland Bimo, tha se kriza në Iran lidhet drejtpërdrejt me interesat e fuqive të mëdha.

Bimo se theksoi se situata në Iran është e komplikuar dhe mbetet për t’u parë nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin të ndërhyjnë apo jo.

‘Për të kuptuar se çfarë po ndodh realisht në Iran, duhet të ngjitesh disa shkallë më lart në analizën globale. Çështja themelore është kush kontrollon naftën dhe kalimi nga sistemi i petrodollarit. Kjo është në thelb baza e ekonomisë botërore. Konflikti është i madh dhe është thelluar që nga ardhja e Donald Trump në pushtet.

Momenti aktual është jashtëzakonisht delikat, ndërsa situata e brendshme politike në SHBA është problematike. Irani futet në këtë kuadër më të gjerë, ku vullneti i amerikanëve për të ndryshuar regjimin është një faktor kyç. Situata në Iran është e komplikuar dhe mbetet për t’u parë nëse SHBA do të vendosë të ndërhyjë apo jo. Por SHBA-ja nuk do negociata, sepse kjo është taktikë për rrëzimin e regjimit në Iran. Ndërkohë regjimi i Iranit po kërcënon qytetarët’, tha ai.

Politologu Ilir Alia tha se rreth 80% e ekonomisë iraniane kontrollohet nga Gardat e Revolucionit, ndërsa vetëm 20% mbetet në duart e tregtarëve të vegjël.

Ai shpjegon se këto struktura janë të organizuara në disa shtresa që shtrihen në çdo aspekt të jetës shtetërore, nga policia lokale deri te ushtria.

‘Rreth 80% e ekonomisë në Iran kontrollohet nga rojet e revolucionit, ndërsa vetëm 20% i përket tregtarëve të vegjël. Këta roje janë të organizuar në shtresa që mbulojnë çdo aspekt të jetës, nga policia lokale deri te ushtria, gjë që u jep atyre fuqinë për të ruajtur kontrollin dhe për të thyer rezistencën e mundshme. Amerikanët kanë provuar njëherë që të hyjnë në Iran por ka dështuar grushti i shtetit në ’84. Dhe pas viteve ‘90 filloi ajo era e re e globalizmit dhe për SHBA nuk ishte më opsion ndryshimi i sistemit, por futja në atë që njihet si globalizëm’, tha ai.

Analisti Gentian Gaba ka deklaruar se protestat në Iran nisën si pasojë e zhvlerësimit të monedhës vendase. Ai shtoi se Bashkimi Europian ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje.

‘Kriza nisi me zhvlerësimin e monedhës vendase që është katastrofik. Protesta u thirr për arsye ekonomike. Arsyet që e kanë çuar në protestë Iranin nuk do të ndryshojnë. BE ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje, por ekonomia nuk do të përmirësohet dhe nëse ajo nuk përmirësohet është një krizë që do të dojë kohë deri sa të marrë një zgjidhje’, tha ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:51
'Irani është drejt fundit të tij', Gentian Gaba: Pas Sirisë, është pazëlli i fundit

Gazetari Gentian Gaba, i ftuar në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’, komentoi situatën globale dhe strategjinë amerikane, duke theksuar rolin e Shteteve të Bashkuara në përballjen me sfidat ndërkombëtare.

Ai shtoi se në rendin botëror të sotëm, SHBA-ja ka dhënë teknologji Kinës dhe po vepron për të mbrojtur jo vetëm veten, por edhe Europën dhe shtetet aleate.

“Irani është drejt fundit të tij, mbetet pazëlli i fundit pas Sirisë. Për t’u kthyer te vizatimi i madh i Trumpit, Irani është vetëm një gur. Nëse flasim për Venezuelën, Groenlandën, Kubën, ato mund të bien, sepse Irani nuk i ka rënë tubi i oksigjenit. Nuk janë vetëm aksione grabitqare; para ’90 në Shqipëri do të quhej imperializëm europian. Në një rend botëror që duan të mbijetojnë, SHBA-ja i dha teknologjinë Kinës. Është një president që nuk pyet shumë për europianët. SHBA nuk flen dot të qetë, sepse mbrojnë vetën, Europën dhe të gjithë shtetet aleate. Kina ka rënë në rendin e qylit nga Amerika. SHBA është e detyruar të luajë këtë rol agresiv për të përmbajtur Kinën,” tha ai.