“Protestat na treguan që ka mjaft tension në shoqërinë shqiptare, përndryshe njerëzit nuk do të kishin dalë në rrugë”. Kështu u shpreh ambasadorja e Holandës në Shqipëri, Marleen Monster, gjatë një vizite në Korçë, ku zhvilloi një takim me përfaqësues të organeve ligjzbatuese, me fokus lirinë e medias.

E pyetur për protestat, ambasadorja theksoi se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, por dënoi dhunën që i ka shoqëruar ato.

“Protesta tregoi se në shoqëri ka mjaft tension dhe se njerëzit janë të pakënaqur – përndryshe nuk do të kishin dalë në rrugë. Dhuna ishte diçka që na tronditi. Protesta është një gjë e mirë, por dhuna është diçka që nuk do të donim ta shihnim”, deklaroi Monster.

Ambasadorja holandeze komentoi edhe raportin e progresit të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke vlerësuar përparimin e bërë, por duke theksuar se mbeten çështje që kërkojnë më shumë vëmendje.

 “Nga raporti i progresit mund të shihet se Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm, por, natyrisht, ka ende çështje që kërkojnë më shumë punë", tha ajo.

Duke vënë në dukje mbështetjen e vendit të saj për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ambasadorja tha se një nga fushat ku duhet punuar është ajo e sundimit të ligjit:

" Siç ndoshta e dini, Holanda është thellësisht e përkushtuar për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Qasja jonë është e rreptë, e drejtë dhe aktive. Ne angazhohemi që angazhimet të mos mbeten vetëm në letër, por të përkthehen në veprime konkrete në terren; dhe ne përpiqemi të kontribuojmë në këtë drejtim me mjetet që kemi në dispozicion. Një fushë ku Shqipëria mund të përmirësohet është ajo e sundimit të ligjit ." tha ajo. 

Por çfarë mund të bëjë më mirë Shqipëria për shtetin e së drejtës?

“Mendoj se duhet të vazhdojnë në rrugën që kanë nisur. Është e nevojshme të zbatohet reforma në drejtësi, e cila ka filluar tashmë; do të ishte shumë mirë nëse kjo reformë do të vijonte të zbatohej më tej, së bashku me të gjitha rregullat dhe angazhimet e reja që janë marrë përsipër”, përfundoi ambasadorja.