Shoferët e kamionëve në Itali kanë nisur protesta kundër çmimeve të larta të karburanteve, duke ndërprerë transportin e mallrave në disa zona të vendit. Situata është rënduar veçanërisht në jug, ku bllokadat kanë prekur furnizimin me ushqime, aktivitetin e bizneseve dhe shërbime të tjera.

Në Siçili dhe Kalabri, kamionistët pezulluan punën në orët e para të së enjtes (22 tetor), duke ndaluar edhe transportin e produkteve ushqimore.

Një nga sektorët e goditur është prodhimi i mocarelës nga qumështi i buallit në zonën e Napolit. Për shkak të bllokadave, qumështi nuk ka arritur në fabrikat e përpunimit, ndërsa djathi i prodhuar nuk ka mundur të shpërndahet te klientët. Sipas autoriteteve italiane, vetëm brenda 24 orëve humbjet kanë arritur në rreth 3 milionë euro.

Problemet nuk kufizohen vetëm te transporti i ushqimeve. Në disa zona, përfshirë Kampanian, janë raportuar mungesa karburanti, ndërsa disa shkolla kanë kaluar në mësim në distancë.

Për të përballuar situatën, qeveria e kryeministres Giorgia Meloni miratoi këtë të enjte një dekret me masa urgjente për sektorët e transportit rrugor, bujqësisë dhe peshkimit.

Vetëm për fermerët janë parashikuar 60 milionë euro ndihmë për blerjen e karburantit. Sipas ministrit të Bujqësisë, Francesco Lollobrigida, fondet do të mbulojnë rreth 121 milionë litra karburant, me një kontribut deri në 45 cent për litër.

Paratë do t'u kalojnë përfituesve drejtpërdrejt në llogaritë bankare, brenda 30 ditëve nga dorëzimi i dokumenteve të kërkuara.

Kryeministrja Meloni njoftoi se qeveria ka arritur një marrëveshje me shoqatat e transportit rrugor dhe se fondet kanë nisur të shpërndahen.

“Qeveria dëgjon ata që protestojnë paqësisht dhe punon për të dhënë përgjigje konkrete”, shkroi ajo në rrjetin social X.

Meloni i ka kërkuar gjithashtu ministrit të Brendshëm, Matteo Piantedosi, të garantojë qarkullimin e lirë dhe furnizimin e bizneseve dhe qytetarëve me mallra, si dhe të parandalojë spekulimet me çmimet.

Pas miratimit të masave, një pjesë e kamionistëve kanë nisur gradualisht shpërndarjen e ushqimeve, por protestat nuk janë ndalur. Përkundrazi, ato janë shtrirë edhe në porte të tjera në jug të Italisë, ku shumë anije vijojnë të mos punojnë për shkak të çmimit të lartë të naftës.

Qeveria ka paralajmëruar se mund të ndërhyjë për të hequr bllokadat nëse bisedimet me protestuesit dështojnë.

“Nuk mund të lejojmë që supermarketet në Napoli të mbeten bosh pafundësisht apo që njerëzit të detyrohen të ecin në këmbë sepse pikat e karburantit nuk kanë benzinë”, deklaroi zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Edoardo Rixi.

Ai tha se në orët në vijim do të merret një vendim në varësi të përgjigjeve të protestuesve, duke theksuar se qeveria dëshiron ta zgjidhë situatën përmes dialogut përpara se të ndërhyjë për largimin e bllokadave.