Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht për protestat gjithnjë e në rritje kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec dhe dhunës së pajustifikueshme që një grup rojesh private udhtruan dje ndaj disa protestusve.
Përmes rrjeteve sociale, kreu i qeverisë lajmëron se nesër në orën 10:00 do të mbajë një komunikim live për të sqaruar të gjitha aludimet mbi resortin që planifikohet të ndërtohet në Zvërnec.
Gjithashtu, ai përgëzon kryepolicin e Përgjithshëm, Skëndër Hita, për faktin që pezulloi drejtorin e policisë së Vlorës, si dhe për vënien nën hetim të zinxhirit komandues të bluve në qytetin bregdetar, pas indiferencës që treguan teksa para syve të tyre disa roje private dhunonin protestues.
Reagimi i Edi Ramës:
Nesër e kam radhën unë për të folur për një projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për të cilin punohet prej disa vitesh tanimë dhe i cili nuk ka asnjë lidhje me disa të pavërteta të mëdha, që janë hedhur në qarkullim ditët e fundit. Ndërkohë e përgëzoj lidershipin e Policisë së Shtetit për reagimin e shpejtë e të saktë, qoftë ndaj atij grushti muskujsh pa tru me statusin e rojeve private të sigurisë, qoftë ndaj drejtuesve vendorë të policisë së Vlorës. Qasja e re e tolerancës zero ndaj çdo uniforme blu që cënon besimin e publikut, është e duhura. *Për vetë projektin dhe të vërtetat e të pavërtetat rreth tij, më shumë nesër në 10.00. Live për të gjithë të interesuarit natyrisht.
Dhuna ndaj protestuesve kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec ka çuar në arrestimin e punonjësit të sigurisë Genard Biba, 32 vjeç, pjesë e kompanisë “Major Security”, ndërsa dy kolegë të tij, Artur Grami dhe Gazmend Vathi, janë vënë nën hetim. Sipas Policisë së Shtetit, Biba ka goditur me grushte një protestues dhe më pas, në bashkëpunim me dy punonjësit e tjerë, e ka marrë me forcë dhe e ka tërhequr drejt kabinës së rojeve, ku është mbajtur deri në ndërhyrjen e policisë. Ndaj tij janë ngritur akuzat për “Heqje të paligjshme të lirisë” dhe “Plagosje të lehtë me dashje”, ndërsa dy të tjerët hetohen për plagosje të lehtë me dashje.
Ngjarja nxiti reagime të forta edhe për shkak të qëndrimeve kontradiktore të Policisë së Vlorës dhe Policisë së Shtetit. Fillimisht u pretendua se protestuesi kishte hyrë me forcë në kantier, por më pas Policia e Shtetit sqaroi se ai ishte tërhequr nga rojet private që në rrethimin e zonës së ndërtimit, çka solli pezullimin e drejtorit të Policisë së Vlorës, Elidon Cela. Ndërkohë, mbeten pa përgjigje pyetjet mbi autorizimin e rojeve private për përdorimin e spray-t ndaj protestuesve dhe policëve, si edhe arsyet pse forcat e rendit nuk ndërhynë menjëherë gjatë incidentit. Për këtë arsye, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar hetim disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Vlorës lidhur me menaxhimin e protestës.
Komente










