FIER- Dhjetëra fermerë nga fshatrat e njësisë administrative Frakull dolën në protestë paraditen e kësaj të hëne, per shkak se çmimi i ulët i luleshtrydhes po i çon drejt falimentimit.
Protesta u zhvillua pranë vendit të njohur si “Rotondo e Kafaraj” në aksin nacional Levan–Tepelenë, ku fermerët bllokuan përkohësisht qarkullimin dhe hodhën një pjesë të prodhimit në shenjë revolte.
Fermeret shprehen se ky është viti më i vështirë bujqësor, pasi për herë të parë çmimi ka rënë në rreth 80 lekë për kilogram, ndërkohë që kostot e prodhimit janë po në këtë nivel. Situata rëndohet edhe më shumë nga përgjysmimi i prodhimit si pasojë e ngricave, lagështirës dhe përmbytjeve.
“Po shesim nen kosto, me 80 deri në 100 lekë për kilogram. Gjithë sezonin ne duam që çmimi të mos bjerë nën 200 lekë/kg, pra rreth 1000 lekë për arkë”.
Fermerët akuzojnë pikat e grumbullimit për paracaktim te çmimeve, ndërsa pretendojnë se produkti i tyre më pas tregtohet me çmime dyfish më të larta.
“Pikat e grumbullimit i marrin me 500 lekë/arka! Ky është turp! Me ato çmime nuk mund të mbulojmë as punëtorët, asnjë shpenzim. Është e qartë se pikat e grumbullimit dhe shteti janë të lidhura, dhe nuk duan t’ia dinë për ne”.
Ata kanë hedhur poshtë gjithashtu pretendimet se luleshtrydhet vendase janë të ngarkuara me pesticide.
“Le të vijnë specialistët e bujqësisë të bëjnë analiza dhe të më thonë se ku e kemi hedhur hormonin tek luleshtrydhet, në çfarë kokre e kemi përdorur? Nëse gjendet ndonjë problem me hormone apo pesticide mbaj unë përgjegjësi! Shkoj në burg ose të më varin në mes të Tiranës!”.
Fermeret e Frakulles në Fier i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë urgjentisht, duke kërkuar kontroll të çmimeve dhe masa mbështetëse.
“Pse nuk vjen Belinda Balluku të shohë situatën tek fermerët se është drejtuese e PS në qarkun tonë?! Ne kërkojmë që shteti të ndërhyjë dhe të vendosë çmimin real të luleshtrydhes, të shohë sa shitet në pikat e grumbullimit dhe sa nxirret jashtë për eksport”.
“Na ishte premtuar nga ministri i Bujqësisë, Andis Salla dëmshpërblim për zonën e përmbytur, por nuk ka na dhanë asgjë. I bëjmë thirrje qeverisë të veprojë sa më shpejt dhe të ndihmojë fermerët, duke marrë në konsideratë edhe koston e lartë të naftës për bujqësinë.”
Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, reagoi përmes rrjeteve sociale duke mbështetur protestën dhe akuzoi qeverine për mungesë subvencionesh dhe presion nga policia ndaj protestuesve.
Por vetë fermerët kanë refuzuar përfshirjen politike në protestë, duke i kërkuar Baçit të largohej pasi protesta e tyre është qytetare dhe jo politike. Sic shihet dhe ne pamje, teksa tentoi te merrte pjese ne proteste, Policia Rrugore e gjobiti deputetin për bllokim të qarkullimit rrugor.
Komente












