Aktivistë, kafshëdashës dhe qytetarë të ndryshëm u mblodhën këtë të enjte në sheshin “Skënderbej” në protestë kundër rasteve të përsëritura të helmimit të kafshëve në rrugë.

Denoncimet e fundit kanë ndezur debate të forta në rrjetet sociale, pas pretendimeve se në rrugët e kryeqytetit po vendosen lëndë helmuese që rrezikojnë jo vetëm jetën e kafshëve të braktisura, por edhe të atyre shtëpiake.

Një nga rastet e fundit është ai i Alma Ismailajt, e cila dy javë më parë humbi qenin e saj, një dalmat 3 vjeç e gjysmë.

“Pikaso gjeti diçka përdhe dhe pas pak minutash filloi të dridhej, nxori shkumë nga goja. çdo gjë ndodhi aq shpejt. E çova me urgjencë në VET, por nuk arriti të mbijetojë. Mjekët konfirmuan helmim me fosfor organik”, tha qytetarja Alma Ismailajt. 

Protestuesit kërkuan reagim të menjëhershëm nga institucionet dhe një hetim të plotë për rastet e helmimeve të raportuara ditët e fundit.

Protestuesit kërkuan transparencë mbi funksionimin e strehëzës së kafshëve dhe ngritën akuza për keqmenaxhim të saj.