DURRËS- Dhjetëra banorë të Spitallës protestuan këtë të shtunë kundër bashkisë, pasi punimet për kolektorin nuk kanë përfunduar dhe ata i druhen përmbytjeve me ardhjen e stinës së vjeshtës.

“Disa vite kemi kërkuar që të na çojnë ujërat e bardha në kolektorin K7 dhe në K6. I sollën tubat këtu, u bënë një vit e ca dhe i lanë pa vënë dhe nuk marrin mundimin për t'i vënë. Ne jemi përmbytur sa herë ka rënë shi mbasi u bë rruga”, thotë një banor.

Bëhet fjalë për një projekt që synon mbledhjen e ujërave të shiut që zbresin nga kodrat dhe shkaktojnë përmbytje të banesave në dimër. Punimet kishin nisur para një viti e gjysmë, por u ndërprenë pikërisht në momentin kur pritej që tubacioni të vijonte në kanalin përgjatë rrugës. Sipas tyre, Bashkia u ka premtuar se projekti do të vijojë, por deri tani nuk ka pasur asnjë ndërhyrje.

“Që urgjentisht para dimrit të zgjidhet problemi i kësaj lagje përndryshe do bllokojmë rrugën kryesore”, thotë një banor tjetër.

Janë rreth 400 familje të vendosura në Lagjen nr. 15 pas viteve ’90, që përpos përmbytjeve ngrenë shqetësimin për mungesën e këndeve sportive e argëtuese për fëmijët.

“Edhe për fëmijët nuk kanë ku luajnë askund se jemi larg qytetit dhe nuk kemi asnjë kënd lojërash, asnjë fushë pushimi. Që të paktën një fushë pushimi të ketë për fëmijët. Edhe për përmbytjen unë kam vuajt shumë për dimrin që shkoi, për janarin që shkoi, se më hyri uji brenda”, tha një banore tjetër.

Po kështu, thanë se rruga e asfaltuar ka pësuar deformime pa u bërë viti, për shkak të punimeve pa cilësi.

“Nuk ka kontroll për këto që marrin tenderët edhe bëhet një rrugë pa rezultat, me defekte kryesore. Nuk kemi asnjë kazan plehrash.

Taksat i kërkojnë, për gjelbërime, për çdo gjë. Kosh plehrash nuk kemi asnjë vend. Duhet me dalë te rruga atje sipër për të hedhur plehrat dhe detyrohen njerëzit i hedhin këtu”, shprehen disa banorë të tjerë.

Deri në publikimin e këtij lajmi, Bashkia e Durrësit nuk reagoi për ndërprerjen e punimeve të kolektorit dhe as për dëmtimin e rrugës.