TIRANË, 21 Korrik/ATSH/.- Personat me aftësi të kufizuar zhvilluan sot një protestë përpara kryesisë së Kuvendit për të kundërshtuar projektligjin për këtë kategori, pasi sipas tyre, prek të drejtat e kësaj kategorie.
Kryetari i Shoqatës së të Verbërve, Sinan Tafaj, tha se ky pr/ligj është ndërtuar me hile dhe nuk duhet të kalojë në Kuvend sepse shkel të drejtat tona. Në nenin 22 ky pr/ligj e thotë qartë që i gjithë legjislacioni ekzistues do të ndryshojë në përputhje me këtë pr/ligj, pra ato të drejta që ne i kemi fituar do të rrezikohen për t'u hequr sipas rasteve e mundësisë që do t'i paraqiten kësaj ministrie.
Sipas Tafaj, ne jemi këtu për të mbrojtur të gjithë të drejtat që na ka dhënë zoti dhe qeveritë e shkuara.
"Ne jemi te vendosur për të luftuar e mbrojtur të drejtat tona. Të gjitha të drejtat që kemi arritur deri më sot i kemi arritur si rezultat i përpjekjeve e luftës së vazhdueshme", theksoi Tafaj.
Ministria e Mirëqenjes Sociale dhe Rinisë, në një deklaratë për shtyp, të dielën, duke marrë shkas nga fillimi i diskutimeve në komisionet parlamentare të ligjit kuadër për personat me aftësi të kufizuara sqaron se "ky ligj është një domosdoshmëri për të krijuar kushtet e nevojshme për respektimin e barabartë të të drejtave të të gjithë grupimeve të personave me aftësi të kufizuara, duke përafruar legjislacionin shqiptar me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara".
"Ligji synon të eleminojë gradualisht diferencat aktuale në trajtimin e grupeve të ndryshme të personave me aftësi të kufizuara, si për shembull personat me aftësi të kufizuara mendore, personat me probleme dëgjimi, etj", nënvizon MMSR./k.s/./a.g/