Një protestues i lënduar është marrë nga policia. Në videon e siguruar nga Report Tv, shihen të paktën 4 policë që e mbajnë nga gjymtyrët, ndërsa këmba e djathtë i lëkundet.

Disa vajza që e filmojnë thonë “ua, i ka rënë të fikët” dhe “ua, i kanë thyer këmbën.”

Mësohet se protestuesi ka pësuar frakturë në këmbë, përkatësisht në kockën e femurit dhe do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin e Traumës. Momentalisht, ai është i vetëdijshëm.

Pas këtyre incidenteve Policia ka njoftuar se ka pezulluar 4 policë dhe shefin e komisariatit nr. 1 .

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:10
19-vjeçari me këmbën e thyer, pezullohen 4 punonjës policie, mes tyre dhe një nënkomisar! Nis hetimi disiplinor

1791923238_idemtuarimeblur.jpg

Policia ka reaguar lidhur me protestuesin 19-vjeçar me këmbë të thyer, rast për të cilin thotë se janë pezulluar nga detyra 4 punonjësit si edhe shefi i Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1. Ndaj tyre ka nisur edhe një hetim disiplinor.

Një grup i posaçëm po analizon të gjitha veprimet e punonjësve, ndërsa AMP e Prokuroria kanë nisur hetim.

Njoftimi i plotë:

Në lidhje me videon e publikuar në media, ku shfaqet 19-vjeçari L. B., i dëmtuar në këmbë, teksa shoqërohet nga punonjësit e Policisë pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital për ndihmë mjekësore, Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën e trajtimit të tij nga punonjësit e Policisë.

Pavarësisht verifikimeve të nisura, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, si dhe të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K. Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre.

Gjithashtu, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, është ngritur një grup i posaçëm, nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, për të verifikuar dhe analizuar të gjitha veprimet e punonjësve të Policisë, nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe zbatimin e procedurave standarde të punës. Çdo punonjës që ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.

Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin.

Policia e Shtetit thekson se aktet e dhunshme të shfaqura prej orësh në kryeqytet, përfshirë dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës, nuk kanë asnjë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë dhe nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë.

Policia e Shtetit u bën thirrje personave të maskuar dhe atyre që kryejnë akte dhune e shkatërrimi t’i ndalin menjëherë, pasi do të përballen me forcën e ligjit.

Gjithashtu, Policia e Shtetit u kërkon qytetarëve të distancohen nga personat e dhunshëm, për të garantuar sigurinë e tyre.