Numri 2 i qeverisë Albana Koçiu e quajti një pamje të trishtë protestën para Ministrisë së Arsimit, që sipas saj, ka degraduar në një dhunë të orkestruar.
“Dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje. Zhurma e gurëve, sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit, si dhe shkatërrimi i pakuptimtë i pronës publike, nuk janë gjuha me të cilën i ka hije rinisë të shprehet, por zakoni i vjetër i atyre që i përdorin të rinjtë për të mbuluar paaftësinë e tyre politike”, shkroi ajo.
Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla i cili me disa postime rresht, publikonte pamje që sipas tij, vërtetonin aktet e dhunës së protestuesve, shkoi edhe më tej duke akuzuar drejtpërdrejtë Partinë Demokratike dhe Sali Berishën për dirigjim të protestës.
Përballë Berishës, që fliste për shoqërime nën terrorin e policisë të protestuesve-studentë, Balla përgjigjej me të tjera pamje që sipas tij tregonin një tjetër anë të realitetit: protestues dhunues dhe një polici që reagon ndaj akteve të dhunshme.
“Sali mashtruesi nxirre të plotë videon! Shikojeni kur ky “studenti” godet me pllakën e betonit punonjësit e Policisë së Shtetit”, shkroi Balla.
Madje, me argumentin se protesta nuk është e studentëve por e kapur prej Berishës, Balla publikoi edhe këtë pamje ku thotë se është dhëndri i tij i bashkëpandehur në SPAK, Jamarbër Malltezi.
"Student është ky? Apo dhëndri hajdut i bufit?! Kurrë mos kini dyshime. Pas çdo sulmi dhe dhune kundër institucioneve në këto 30 vite është Sali Berisha", shkruan Balla.
Foto e publikuar nga Balla
Por opozita insistoi se protestuesit para Ministrisë së Arsimit janë studentë të dhunuar nga forcat e policisë dhe kësaj të fundit i kërkoi të tërhiqej nga reagimet jo-proporcionale me gaz, ujë e shkopinj gome.
“Kush ngre dorë mbi rininë, dëshmon frikën nga zëri i saj dhe nga ndryshimi që ajo kërkon. Asnjë pushtet nuk mund ta shuajë me dhunë zërin e një brezi që kërkon dinjitet, drejtësi dhe të ardhme në vendin e vet. Mos e ngatërroni heshtjen me bindjen dhe frikën me nënshtrimin. Rinia nuk intimidohet, nuk blihet dhe nuk ndalet”, shkroi Gazment Bardhi.
“Dhuna ndaj studentëve që ngrihen për të kërkuar një të ardhme më të mirë është e papranueshme dhe e pajustifikueshme! Protesta nuk është krim, fjala nuk është kërcënim dhe kërkesa për dinjitet nuk mund të marrë përgjigje me shkopinj, forcë dhe terror policor”, shkroi Erisa Xhixho.
Ndërsa deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri prezent në protestë, publikoi pamje, ku pretendon se protestuesit janë dhunuar në furgonët e policisë.
Në protestën që po zhvillohet te Ministria e Arsimit, ka marrë pjesë edhe deputeti i partisë ‘Mundësia’, Erald Kapri.
Ai publikoi pamje, ku pretendon se protestuesit janë dhunuar në furgonët e policisë.
Zv.kryeministrja Albana Koçiu shkruan në rrjetet sociale se protesta që po ndodh te Ministria e Arsimit ka degraduar në dhunë të orkestruar. Ajo shton se dhuna ndaj institucioneve, policisë dhe shkatërrimi i pronës publike s’është gjuha e rinisë, por zakon i vjetër i atyre që i përdorin këta të fundit.
Deklarata duket se i referohet opozitës që deri më tani ka bërë reagime të vazhdueshme në mbështetje të protestës dhe ka akuzuar policinë për dhunë.
“E trishtë të shohësh se si kultura e protestës degradon në një dhunë të orkestruar dhe, me sa duket, të ‘provokuar’ rëndë nga pllakat e trotuareve.
Dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje. Zhurma e gurëve, sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit, si dhe shkatërrimi i pakuptimtë i pronës publike, nuk janë gjuha me të cilën i ka hije rinisë të shprehet, por zakoni i vjetër i atyre që i përdorin të rinjtë për të mbuluar paaftësinë e tyre politike”, shkruan Koçiu.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për përplasjet mes protestuesve e policisë në protestën që po ndodh te Ministria e Arsimit.
“Stop terrorit të banditëve të narkoshtetit ndaj studentëve guximtarë! Nderim studentëve misionarë!”, shkruan Berisha në reagimin e tij në rrjetet sociale.
Por këtë video e ka ndarë edhe Taulant Balla duke publikuar një moment që kreu i PD e ka prerë: momentin kur protestuesi godet me pllakë policët.
“Sali mashtruesi nxirre të plotë videon! Shikojeni kur ky “studenti” godet me pllakën e betonit punonjësit e Policisë së Shtetit”, i përgjigjet Balla.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar në mbështetje të protestës te Ministria e Arsimit, duke i quajtur “zemërluanë.” Ai thotë se të rinjtë që luftojnë kundër “diktaturës” dhe për lirinë e Shqipërisë nuk mund të ndalet.
“Zemërluanët po dridhin narkoregjimin!
Mbështetje pa kushte për të rinjtë dhe të rejat që janë ngritur në këmbë kundër diktaturës dhe po përballen me dhunën çnjerëzore të regjimit!
Nuk ka forcë në botë që mund ta ndalë një rini që lufton për Lirinë e Shqipërisë!
Liria nuk burgoset! Revolta nuk ndalet!
Forca, zemërluanë! Shqipëria ka nevojë për guximin tuaj!”, shkruan Blushi.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë te Ministria e Arsimit, duke kërkuar ndalimin e “terrorit policor ndaj rinisë”.
"Të rinjtë dhe të rejat që protestojnë për një Shqipëri më të mirë meritojnë respekt, jo dhunë; përgjigje, jo represion; liri, jo frikësim! Kush ngre dorë mbi rininë, dëshmon frikën nga zëri i saj dhe nga ndryshimi që ajo kërkon. Asnjë pushtet nuk mund ta shuajë me dhunë zërin e një brezi që kërkon dinjitet, drejtësi dhe të ardhme në vendin e vet. Mos e ngatërroni heshtjen me bindjen dhe frikën me nënshtrimin. Rinia nuk intimidohet, nuk blihet dhe nuk ndalet!Çdo akt dhune ndaj studentëve është një akt kundër së ardhmes së Shqipërisë. Dhe çdo pushtet që zgjedh dhunën përballë rinisë, përshpejton humbjen e legjitimitetit të vet. Duart larg studentëve!" shkruajti Bardhi nw njw postim nw rrjete sociale.










