Ministri i Drejtësisë Toni Gogu ka reaguar pas dëmtimit të zyrës së ndihmës juridike falas, duke bërë të ditur se fatmirësisht asnjë punonjës nuk është lënduar.
Në reagimin e tij ai dënoi dhunën dhe theksoi se përgjegjësitë individuale për ngjarjen duhet të përcaktohen nga organet kompetente, sipas ligjit.
Në të njëjtën kohë, nënvizoi se të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë dhe të kërkojnë përgjigje për arsimin, punësimin dhe të ardhmen e tyre, pa u identifikuar me personat që përdorin dhunë.
Reagimi plotë:
Fatmirësisht, asnjë punonjës nuk është lënduar. Falënderoj zjarrfikësit dhe punonjësit e Policisë që ndërhynë për të mbrojtur jetën e njerëzve dhe për të kufizuar dëmet.
Në atë zyrë vijnë njerëz që nuk kanë mundësi të paguajnë një avokat. Pensionistë, nëna të vetme, të rinj, viktima të dhunës. Njerëz që kërkojnë ndihmë për të mbrojtur të drejtat e tyre.
Dëmin më të rëndë nuk e pëson qeveria. E pësojnë njerëzit që kanë më shumë nevojë për ndihmë.
Djegia e një zyre publike nuk është ushtrim i së drejtës së protestës. Përgjegjësitë individuale u takon t’i përcaktojnë organet kompetente, sipas ligjit.
Por dua të jem po aq i qartë për diçka tjetër. Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të ngrenë zërin dhe të kërkojnë përgjigje për arsimin, punën dhe të ardhmen e tyre. Ata nuk mund dhe nuk duhet të identifikohen me personat që po përdorin dhunë.
Nesër, ndihma juridike falas do të vazhdojë. Qytetarët do të mund ta marrin shërbimin te Hyrja e Ministrisë së Drejtësisë / 0800 10 10.
Zyrën do ta rindërtojmë.
Shërbimi nuk ndalet.
Ai dënoi dhunën dhe theksoi se përgjegjësitë individuale për ngjarjen duhet të përcaktohen nga organet kompetente, sipas ligjit. Në të njëjtën kohë, nënvizoi se të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë dhe të kërkojnë përgjigje për arsimin, punësimin dhe të ardhmen e tyre, pa u identifikuar me personat që përdorin dhunë.
Ministri bëri të ditur se ndihma juridike falas do të vijojë edhe ditën e nesërme, pranë hyrjes së Ministrisë së Drejtësisë, si dhe përmes numrit pa pagesë 0800 10 10.
“Zyrën do ta rindërtojmë. Shërbimi nuk ndalet”, përfundon reagimi i ministrit.









Komente
Komento