Kryeministri Edi Rama është shprehur se një udhëheqës që ka një qëllim të fortë, me çdo çmim i shkon qëllimit të tij deri në fund, duke mos u ndikuar nga faktorë të jashtëm.

Nga mbledhja e zgjeruar e Grupit Parlamentar të PS, Rama tha se nuk mund të realizohet anëtarësimi i Shqipërisë në BE, nëse qeveria merr drejtim nga fryn era.

“Kur ka momentet të tilla, kam kënaqësi të kujtojë një hollësi te Homeri, ‘kur Odiseu afrohet pranë sirenave dhe refuzon që t’i dëgjojë’. Përkundrazi, ai insiston që t’i dëgjojë, sepse vetëm ai që i dëgjon kupton sesa i madh është tundimi. Ai bën edhe një gjë tjetër, lidhet shumë fortë te direku i anijes, jo se s’ka besim te vetja, por se ai nuk e negocion destinacionin. Dhe atë që vetja mund t’ja bëjë duke e hedhur në ujë pas sirenave, ai e ndalon me litarët që lidh veten te direku.

Sepse ai e di që çdo gjë mund të ndodhë, por qëllimi është ç’ka e ka çuar deri aty dhe ç’ka e çon deri në fund. Një qeveri s’ka të drejtë të mbyllë veshët, por të dëgjojë. Ata janë dëgjuar. Nuk duhet që një qeveri t’ja hedhë gjithë fajin algoritmit, nuk është ky rasti. Por ka një gjë që një qeveri nuk e bën kurrë nëse është aty me një destinacion. Një qeveri nuk e dorëzon kurrë timonin te zhurma. Një grup udhëheqësish nuk i jepet zhurmës.

Sa më shumë zhurma zmadhohet, aq më shumë një grup udhëheqës forcon identitetin e vetë, duke bashkuar të gjithë në emër të destinacionit. Nuk ndërtohet një shtet si ai që ne po ndërtojmë dhe nuk çohet deri në fund një mision historik si ky që na ra ne, për ta bërë Shqipërinë pjesë të BE-së, duke i dhënë Shqipërisë momentin e dytë më të madh pas lidhjes së Prizrenit, nëse qeveria e tij merr drejtim nga fryn era dhe sugjestionohet nga zhurmat, erërat, sirenat e dallgët. Me çdo çmim, një grup udhëheqës i shkon deri në fund”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Rama: Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por nga emri i Kushner dhe hija e Trump! S’ka dorëheqje, sheshi i protestës, studio për të ushqyer algoritmin