Përplasja mes të rinjve protestues dhe militantëve të Partisë Demokratike, të cilët u përzunë nga para Ministrisë së Arsimit, sipas Enkelejd Alibeajt ka nxjerrë në pah ndarjen mes opozitës së vjetër dhe asaj që po lind nga protesta.
Ish-deputeti Alibeaj i ftuar në Report Tv thotë se kjo përçarje mund të reflektohet edhe në zgjedhjet lokale të 9 majit, ku opozita mund të përfaqësohet me dy kandidatë për Tiranën.
“Ajo pjesë e qytetarëve demokratë të lodhur, të papërfaqësuar, gjithmonë e më tepër të gënjyer dhe të zhgënjyer prej kaq e kaq vitesh prej Sali Berishës, ju mendoni se është inerte? Se është një tufë njerëzish, një turmë njerëzish që në mënyrë të verbër do të vazhdojë mbas fatit politik, më saktë fatit personal të një individi siç është Sali Berisha? Jo”, thotë Alibeaj.
Sipas Alibeajt, protesta duhet të ruajë distancën si nga Rama, ashtu edhe nga Berisha, për të mos humbur mbështetjen e qytetarëve të zhgënjyer nga të dyja partitë.
“Akti i vetëm që do t'i kthente ata në llogore, e dini kush do të ishte apo jo? Që protesta të identifikohej me Berishën. Dhe kjo është loja që bën Rama. Rama do që protestën ta identifikojë me Berishën”, vijon Alibeaj.
Alibeaj kërkon që të rinjtë të strukturohen politikisht dhe të mendojnë për përfaqësimin e tyre në zgjedhjet lokale, duke e cilësuar protestën si një alternativë të re përballë opozitës së drejtuar nga Berisha.
“Do duhet të fillojnë të mendojnë seriozisht prezantimin në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë se nga sot këtu ka një garë për opozitën. Kush do të jetë opozita?”, thekson Alibeaj.
Sipas Alibeajt, përplasja mes protestuesve dhe demokratëve mund të zhvendoset në një garë elektorale mes dy alternativave opozitare për Bashkinë e Tiranës.











Komente
Komento